Drejtësia

Dosja ‘Partizani’ / Fatmir Bektashi paraqitet në GJKKO, por mbyll gojën para mediave

Gazeta Si - Biznesmeni i ndërtimit Fatmir Bektashi, ortaku i Jamarbër Malltezit, dhëndrit të ish-kryeminsitrit Sali Berisha, është paraqitur në ambientet e Prokurorisë së Posaçme në lidhje me dosjen “Partizani”.

Ai ka zbatuar vendimin e Gjykatës së Posaçme që ka vendosur masën “detyrim paraqitje” për të, të hënën e parë dhe të tretë të çdo muaji.

Pas mbylljes së procedurave dhe paraqitjes përballë oficerit të policisë gjyqësore, Bektashi u largua nga ambientet e Prokurorisë së Posaçme.

Pas daljes nga godina e SPAK, Bektashi ka ndaluar para mediave, por ai ka parapëlqyer të mos flasë asnjë fjalë.

Ai u shfaq qesharak para kamerave, duke refuzuar çdo pytje të gazetarëve, të cilat i përcillte vetëm me buzëqeshje.

Më herët, Bektashi ka deklaruar se i qëndron përballë drejtësisë, sepse nuk ka kryer asnjë vepër penale të pretenduar nga akuza dhe këtë do ta vërtetojë koha.

“Unë kam një parim, çfarë do që të ndodhë, dil nga dera kryesore dhe përballu me këdo. Unë e dija që kishte hetim prej 2020. Kam qëndruar këtu të përballem me drejtësinë. S’ka asnjë vepër penale të pretenduar nga akuza dhe këtë do ta vërtetojë koha”.

Në ndryshim nga Bektashi, ish-kryeministri Berisha, me po të njëjtën masë për “detyrim paraqitje”, ka refuzuar të shkojë në SPAK, duke mos u përballur me drejtësinë, por ka mbledhur deputetët në Kryesinë e Kuvendit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë