Drejtësia

Dosja hetimore ‘Partizani’, GJKKO: Berisha mund të ndërhyjë në asgjësimin e provave. Malltezi i mori fisit 3-5% për letrat

Gazeta Si - Në dosjen e hetimit të aferës së ish-kompleksit “Partizani”, për të cilën po hetohet nën masën e sigurisë “arrest me burg” Jamarbër Malltezi, ndërsa në masë sigurie detyrim me paraqitje ortaku i Malltezit, biznesmeni Fatmir Bektashi, është i përfshirë edhe Sali Berisha.

Edhe për ish-kryeministrin, SPAK caktoi “detyrim paraqitje” pas akuzave për korrupsion pasiv, ku dyshohet se ka vënë në dispozicion të dhëndrit të tij, struktura të ndryshme të administratës shtetërore me qëllim realizimin e procesit të privatizimit të ish-klubit sportiv.

Në materialin prej 200 faqe, jepen një tablo historike se çfarë ka ndodhur me pronën objekt hetimi dhe veprimet e kryera nga ish-kryeministri Sali Berisha, dhëndëri i tij Jamarbër Malltezi dhe ndërtuesi Bektashi.

Sipas dosjes Malltezi, ka fituar si trashëgimtar i pronarëve një sipërfaqe prej 140 metra katror. Por metrat filluan të shtohen kur Malltezi ka lidhur marëveshje me anëtarët e tjerë të fisit që ishin trashëgimtarë të tokës.

Për çdo marëveshje, Malltezi ka kërkuar 3 deri në 5 për qind të sipërfaqes së tokës, që ata gëzonin.

Këto marëveshje për dhurimin e 5 përqind të metrave të pronës, detyrimisht zgjeruan dhe sipërfaqen e tokës për Malltezin.

Po ashtu, në vendimin e GJKKO-së, thuhet se ekziston mundësia që Berisha të ndërhyjë dhe të ndikojë në prishjen apo asgjësimin e provave, si dhe në krijimin e rrethanave që vështirësojnë mbledhjen e provave.

Sipas gjykatës, kjo gjë do të ndikonte në një hetim të mangët për sqarimin e plotë të faktit penal objekt gjykimi.

"Për të hetuarin Sali Berisha plotësohet kushti i parë i veçantë i parashikuar nga shkronja "a", pika 3, të nenit 228 të K.Pr.Penale, pasi ekzistojnë shkaqe të rëndësishme që vënë në rrezik marrjen ose vërtetësinë e provës në funksion të hetimit të kësaj çështjeje. Për faktin e ndodhur po zhvillohen hetime në drejtim të sqarimit të plotë të rrethanave të faktit dhe për shkak të funksionit që ka ushtruar më parë shtetasi nën hetim Sali Berisha në kohën e kryerjes së veprës penale, si Kryeministër i Republikës së Shqipërisë, por edhe funksionit të tij aktual si deputet në Kuvendin e Shqipërisë, shtetasi nën hetim i lartpërmendur, për shkak të marrdhënieve të krijuara si rezultat i ushtrimit të funksioneve të mësipërme dhe influencave që mund të ketë tek persona të tjerë, ekziston mundësia që të ndërhyjë dhe të ndikojë në prishjen apo asgjesimin e provave, si dhe në krijimin e rrethanave që vështirësojnë mbledhjen e provave, çfarë do të ndikonte në një hetim të mangët për sqarimin e plotë të faktit penal objekt gjykimi", thuhet në vendimin e argumentuar të gjyqtares Irena Gjoka.

Sipas dosjes hetimore, nga kallëzimi i Taulant Ballës tre vite më parë, thuhet se bazuar në dokumentet arkivore, ka dyshime se 80 vite më parë pronarët e tokës janë dëmshpërblyer me franga ari nga qeveria e asaj kohe (viti 1940) dhe ky akt nuk është marrë parasush nga Komisioni I Kthimit dhe Kompensimit të Pronave.

Asokohe, pronarët janë kompensuar nga Italia fashiste, e cila kishte planifikuar të ndërtonte një aeroport.

“Toka, nga Rruga e Kavajës te Rruga e Durrësit është blerë nga italianët dhe më pas kaluar në duart e shtetit. Për këtë arsye ngrihen dyshime mbi ekzistencën e veprës penale të falsifikimit të dokumenteve dhe shpërdorimit të detyrës”.

Në padi, Taulant Balla thotë se këto falsifikime, kanë ndodhur “për shkak se dihej kush do të ishte përfituesi I tyre dhe konkretisht, përfitues do të ishte shtetasi jamarbër Malltezi”.

Në vendimin e gjykatës, vërehet se Bashkia e Tiranës, e drejtuar prej korrikut 2011, deri në korrik 2015 nga Lulzim Basha, e ka pajisur me leje zhvillimore për ndërtimine  17 kullave shoqërinë “Homeplane sh.p.k”.

Mes të tjerash, ka pasur një sërë shkresash mes Ministrisë së Mbrojtjes, e cila drejtohej në atë kohë nga ish-ministri Fatmir Mediu dhe ish-ministri i Ekonomisë së kohës, Genc Ruli dhe Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Luan Hoxha.

Sipas dokumentave të SPAK, rezulton se një pjesë e pronave, vijonin që t’i përkisnin Ministrisë së Mbrojtjes dhe sipas planit të përhapjes dhe përdorimit të Forcave të Armatosura, i miratuar nga Zv/Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Luan Hoxha, sipas dokumentacionit, është përgjegjës administrativ, Komanda e Mbrojtjes Logjistike dhe rezulton që një pjesë e kësaj prone është në përdorim nga Forcat e Armatosura.

Më tej, në dosjen hetimore thuhet: Në vijim, lidhur me këtë pengesë, Ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu, i Dekretuar nga Presidenti i Republikës më datë 07.09.2005 (Dekreti nr. 4646), një muaj pasi kishte marrë detyrën, me shkresën nr. 9549/1 prot. datë 12.10.2005, i drejtohet METE-s, ministrit Genc Rulit, duke i bërë me dije se, Ministria e Mbrojtjes krahas pronësive të tjera të përcaktuara në VKM nr. 515 datë 18.07.2003 ka në administrim edhe terrenet sportive ku është vendosur Klubi i Futbollit Partizani. Nga studimi i bërë në Ministrinë e Mbrojtjes, bazuar në strategjinë e zhvillimit të FA dhe në kuadër të ristrukturimit të tyre, është konkluduar se këto terrene të mos përfshihen në planet e përhapjes së FA-ve. Ne këto kushte gjykojnë që të merren hapa të mëtejshme përsa i përket mënyrës dhe përgjegjësisë së administrimit të kësaj pronësie. Në vijim, me shkresën nr. 9549/3 prot date 14.11.2005, Ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu, i parashtron Ministrit të Ekonomisë, Genc Ruli, se: Klubi i Futbollit “Partizani” në bazë të VKM nr. 515 datë 18.07.2003 është inventarizuar. Në bazë të VKM nr. 195 datë 30.03.1998 “Për privatizimin e ndërmarrjeve që nuk mund të transformohen” propozojnë miratimin e privatizimit të objekteve dhe terreneve sportive të Klubit të Futbollit “Partizani” duke mirëpritur sugjerimet e METE në lidhje me forma të tjera.

Sipas dosjes hetimore, rezulton që të ketë pasur një debat të fortë mes drejtuesve të Forcave të Armostosura përsa i përket kësaj çështjeje.

“Këshilltari i Jashtëm, Genc Çelo, i cili i adresohet me një memo në vitin 2006 ish-ministrit Fatmir Mediu, ku e sqaron në lidhje me ndarjen e klubit Partizani në 2 pjesë dhe se cili institucion e ka në varësi, duke ofruar dhe të dhëna dhe se Ministria e Mbrojtjes i ka kërkuar Ministrisë së Ekonomisë miratimin e privatizimit të klubit sportiv Partizani”.

Rezulton, që sipas dosjes hetimore të SPAK, Malltezi nuk i kishte të gjitha paratë të krijuara në mënyrë të ligjshme për të gjitha ndërtimet që janë ndëruar mbi ish-klubin sportiv.

Kështu, Jamarbër Malltezi, akuzohet për "Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë", kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 260 e 25 i Kodit Penal dhe "Pastrimi i produkteve te veprës penale ose veprimtarisë kriminale", kryer në bashkëpunim.

Sali Berisha- Akuzohet për kryerjen e veprës penale "Korrupsioni pasiv i funksionarëve të larte shteterore ose te zgjedhurve vendore, kryer në bashkëpunim.

Fatmir Bektashi - Akuzohet për kryerjen e veprave penale "Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendore", parashikuar nga neni 245 i Kodit Penal dhe "Pastrimi i produkteve të veprës.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë