Rend dhe Ligj

Dosja e 613 kg kokainë, Arbër Çekaj “kërcënon” prokurorin e SPAK

Në Gjykatën Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar u zhvillua këtë të mërkurë seanca e parë ndaj Arbër Çekajt, pronari i kompanisë “Arbri Garden”, në magazinat e të cilës u zbuluan 613 kilogramë kokainë në aksionin e bujshëm të Policisë së Shtetit të ndërmarrë në shkurt të 2018-ës.

LEXO EDHE:
613 kg kokainë, Gjykata pranon gjykimin e shkurtuar për Arbër Çekajn
613 kg kokainë, Prokuroria kërkon 21 vjet burg për Arbër Çekajn
Ekstradohet nga Gjermania Arbër Çekaj, pronari i firmës që iu kap 613 kg kokainë

Dosja ndaj Çekajt ka kaluar tek SPAK-u, ku prokuror i saj është Edvin Kondilli, që ishte edhe mes kandidaturave për të drejtuar Prokurorinë e Posaçme.

Në këtë seancë, Arbër Çekaj akuzoi prokurorin se kishte manipuluar dhe bërë publike materiale të dosjes që i kanë vënë në rrezik jetën e familjes, se e kishte personale me të për shkak të vendit të origjinës, madje tërthorazi edhe e kërcënoi atë.

“Unë jam proceduar vetëm për shkak të mbiemrit. Prokurori Kondili ka manipuluar provat dhe ka përhapur lajme të pavërteta. Jam në burg se jam nga Tropoja, gjë që nuk i pëlqen prokurorit. Unë nuk dua ta lëndojë as prokurorin dhe as familjen e tij. Ai ka nxjerrë të dhëna të tjera dhe emra që kanë rrezikuar jetën e familjarëve të mi. Unë nuk do e bëja kurrë këtë për familjen e prokurorit”, deklaroi Çekaj në seancën gjyqësore.

Jo vetëm kaq, por Çekaj pretendon se Kondilli e ka kaluar vettingun duke përdorur dosjen e tij. “Është bërë VIP dhe sot është në SPAK”, ka vijuar ai.

Prokurori i SPAK, Edvin Kondilli. Gazeta Si, janar 2020

I pandehuri ka kërkuar përjashtimin e prokurorit në fjalë. Kërkesa i është drejtuar Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe deri në shqyrtimin e saj, Arbër Çekaj ka kërkuar nga gjykata që të pezullojë seancat gjyqësore.

Vetë Prokurori, sipas informacioneve që dolën nga kjo seancë gjyqësore i ka interpretuar si kërcënime të pastra deklaratat e Arbër Çekajt.

“Kërcënimet nuk t’i këshilloj dhe nuk më frikësojnë”, është shprehur ai.

Avokatët e Çekajt kanë kërkuar shuarjen e masës së sigurisë arrest me burg, duke sjellë si transformimet e gjykatës dhe prokurorisë sipas reformës në drejtësi. Ata thanë se sipas Kodit të Procedurës Penale, më 19 dhjetor ka ndodhur ndryshimi i statusit të gjyqtarit pas transformimit të Gjykatës për Krimet e Rënda në Gjykatë Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë