Rend dhe Ligj

613 kg kokainë, Gjykata pranon gjykimin e shkurtuar për Arbër Çekajn

Gjykata për Krime të Rënda ka pranuar kërkesën për gjykim të shkurtuar të Arbër Çekajt, i akuzuar për trafikun e 613 kilogramë kokainë të kapur në Maminas.
Prokuroria ka kërkuar afatin maksimal prej dy javësh për të dhënë pretencën. Në seancën e radhës në datën 15 tetor, ora 10.00 pritet të lexohen konkluzionet përfundimtare të Prokurorisë.
Më herët, Arbër Çekaj kërkoi nëpërmjet avokatit të tij gjykim të shkurtuar, ndërsa mohoi akuzat e Krimeve të Rënda.
Seanca e sotme u zhvillua mes debateve, ku avokatët pretendojnë se Prokuroria nuk ka prova që të vërtetojnë 3 veprat penale të ngritura. Gjykimi i shkurtuar u pranua edhe për Armando Pezakun dhe Donaldo Lushajn.
3 të dyshuarit akuzohen për veprat penale “Trafikimi i narkotikëve”, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, pas sekuestrimit të 613 kg kokainë në shkurt të 2018-ës.
Arbër Çekaj, pronari i firmës “Arbri Garden”, ku u sekuestrua kontenieri me 613 kg kokainë u ekstradua nga Gjermania drejt Shqipërisë më 19 shtator.
Në shkurt të vitit të kaluar në një operacion me Doganat, Policinë e Shtetit dhe partnerët ndërkombëtarë në kontejnerin me banane që vinte nga Kolumbia për llogari të “Arbër Garden” u sekuestruan 613 kg kokainë.
Pronari i mallit, Arbër Çekaj, pak ditë para sekuestrimit të sasisë së kokainës u largua nga Shqipëria për të humbur gjurmët për disa ditë.
Më pas, ai u prangos nga policia gjermane në bashkëpunim me atë shqiptare në një provincë pranë Dusseldorfit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë