Lajme

Ekstradohet nga Gjermania Arbër Çekaj, pronari i firmës që iu kap 613 kg kokainë

Është ekstraduar nga Gjermania drejt Shqipërisë, Arbër Çekaj, pronari i firmës “Arbri Garden”, ku u sekuestrua kontenieri me 613 kg kokainë.

Lajmin e bëri me dije Zv/Drejtoresha e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, Aida Hajnaj, në një deklaratë për mediat për kapjen e personave në kërkim kombëtar e ndërkombëtar.
Në shkurt të një viti më parë në një operacion me Doganat, Policinë e Shtetit dhe partnerët ndërkombëtarë në kontenierin me banane që vinte nga Kolumbia për llogari të “Arbër Garden” u sekuestruan 613 kg kokainë.
Pronari i mallit, Arbër Çekaj, pak ditë para sekuestrimit të sasisë së kokainës u largua nga Shqipëria për të humbur gjurmët për disa ditë.
Më pas, ai u prangos nga policia gjermane në bashkëpunim me atë shqiptare në një provincë pranë Dusseldorfit. Sasia prej 613 kg kokainë u sekuestrua më 27 shkurt në magazinat e Çekajt në Maminas të Durrësit. Droga e ardhur nga Kolumbia, ishte fshehur në një kontenier me fund të dyfishtë që ishte mbushur me banane, dhe kishte destinacion tregun europian. Kjo është sasia e kokainës më e madhe e kapur ndonjëherë në vendin tonë.
Aktualisht në Shqipëri të arrestuar për këtë ngjarje janë shoferi i kamionit, Armando Pezaku dhe menaxheri i kompanisë Arbri Garden”, Donaldo Lushaj.

Nga janari, 1187 të arrestuar
Po kështu në Rinas, Policia Kufitare ka kapur dhe ndalur shtetasin turk T. N., 35 vjeç, i kërkuar nga Zvicra për vrasje.
Gjithashtu u arrestua dhe ekstradua drejt Finlandës një shtetas i huaj, i cili figuronte në listën e personave më të kërkuar, me rrezikshmëri të lartë shoqërore dhe fshihej në territorin shqiptar.
Zv/drejtoresha bëri me dije se falë punës dhe angazhimit të shërbimeve të policisë, nga 1 janari e deri më sot, janë kapur dhe ndalur 1 187 persona të shpallur në kërkim kombëtar, për vepra të ndryshme penale.
“77 persona të kërkuar për krime të rënda kundër personit dhe pronës, si vrasje, rrëmbim personi dhe shkatërrim të pronës me eksploziv. 100 persona për kultivim dhe trafikim të lëndëve narkotike dhe 37 për trafiqe të paligjshme.
154 persona për krime në fushën e krimit ekonomik e financiar, si pastrim parash, korrupsion dhe krime kompjuterike. 110 persona për dhunë në familje, 709 persona për krime kundër personit, pronës dhe për krime mjedisore.
Vlen të theksohet se falë bashkëpunimit me qytetarët, gjatë kësaj periudhe janë ndaluar 259 persona të shpallur në kërkim, për vepra të ndryshme penale, ndër ta edhe persona me rrezikshmëri të lartë shoqërore”, bëri me dije zv.drejtoresha Hajnaj në deklaratën e saj.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë