Ana e errët

Dy dekada kokainë Kolumbi-Shqipëri, vetëm një grup i shkatërruar

Sokol Koçiu e ka përfunduar burgun. Ai tani është avokat dhe mbron kryesisht të drejtat e të burgosurve. Por, në vitin 2001 ai ishe personi më i lakuar në gjykata së bashku me Frederik Durdën, Arben Bërballën, Din Gjonajn dhe Vebi Hysën. Ata ishin pjesë e një grupi që mori emrin “Kokaina”. Sot ai vazhdon ta ruajë shoqërinë me pak nga të akuzuarit e atëhershëm dhe nuk mungon të pijë kafe në lokalet rreth Gjykatës së Krimeve të Rënda. E vetmja pafajësi që morën gjashtë të akuzuarit kishte lidhje me kryerjen e krimeve në kuadër të bandës së armatosur. Të tjerat u kushtuan vite burg secilit. Kjo është një nga historitë e para të bujshme të kokainës kolumbiane drejt Shqipërisë dy dekada më parë, e cila nuk ndalet as sot, ndërsa trafikantët vetëm sofistikojnë mjetet dhe format e mbërritjes.

Historia e kokainës

“Shuma prej 985. 050 dollarë t’i kalojë shtetit edhe motoskafi “Sia” që ndodhet i bllokuar në Portin e Durrësit të kalojë në favor të shtetit. Automatiku të kalojë në inventarin e Ministrisë së Rendit Publik. Dhe pasaportat në emër të shtetasve Stefan Goga dhe Blerina Goga të asgjësohen”. Kjo ishte një nga kërkesat e Prokurorisë së Tiranës gjatë shpalljes së pretencës në procesin që kishte mbërthyer në kafaz gjashtë të akuzuarit kryesisht nga Tirana dhe vetëm njëri prej tyre nga Deçani i Kosovës. Të akuzuar në një megaproces të drejtuar në atë kohë nga Ilir Mustafaj, Bledar Abdullai dhe Gjin Gjoni për akuzat e krijimit të bandës dhe organizatës kriminale me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike, prodhimit dhe mbajtjes së armëve luftarake dhe falsifikim të letërnjoftimeve dhe vizave, ata kërkuan të gjithë pafajësinë. Për të gjashtë të akuzuarit, prokuroria kërkoi pas një procesi maratonë dënimin e tyre me 64 vite burgim në total dhe dënimin me 6 milionë lekë gjobë.                        

Si njiheshin të akuzuarit e kokainës?

Të gjithë të akuzuarit e megadosjes që 18 vite më vonë në luftën ndaj drogave të forta rezultojnë grupi i vetëm i shkatërruar kishin njohje midis tyre. Frederik Durda kishte njohje të vjetra me të pandehurin Arben Bërballa, njohje të cilat kanë lindur mbi bazën e një lidhjeje familjare, por që më pas u konsolidua mes tyre edhe nga emigracioni në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ndërkohë Arben Bërballa dhe Sokol Koçiu ishin takuar më herët në Mirditë ku kishin punuar në sektorë të ndryshëm. Bërballa rezultoi të ishte “kumbari” që takoi ish-oficerin e policisë, Sokol Koçiu me Frederik Durdën. Ndërsa Din Gjonaj lidhej me ish-shefin e policisë Koçiu, njohjen fillestare dhe më të fortë e ka me të pandehurin nga një aktivitet në fushën e inerteve.

Sokol Koçiu në gjykatë

Gjatë gjykimit prokuroria evidentoi se gjatë qëndrimit në USA, Frederik Durda dhe Arben Bërballa kanë njohur disa kolumbianë. Madje gjatë gjykimit lidhja e fortë me Kolumbinë u theksua veçanërisht për Durdën, i cili kishte gjetur edhe bashkëshorten në këtë vend, me të cilën lindi një fëmijë. Gjykata deklaroi në atë kohë në dosjen që Gazeta “Si” disponon se:

“Gjatë qëndrimit të tij në Kolumbi, i pandehuri Frederik Durda ka arritur që të krijojë edhe lidhje me shoqëri të reja me persona me pushtet të padiskutueshëm në fushën e trafikut të drogës, marrëdhënie dhe lidhje, të cilat kanë marrë trajta serioze të  mirëfilltë të ligjshëm në pak raste, dhe atë të paligjshëm në shumicën e rasteve. Kështu midis eksperimenteve kolumbiane të drogës dhe të pandehurit Frederik Durda dhe të pandehurit Arben Bërballa janë vënë ura të forta bashkëpunimi për lëvrimin në sasira të mëdha të drogës. Mbi këtë bazë të pandehurit Frederik Durda dhe Arben Bërballa, duke parë edhe situatën e favorshme dhe ambientin e mundshëm dhe të padiskutueshëm që ishte krijuar në Shqipëri pas ngjarjeve të marsit të vitit 1997 i janë përveshur punës. Në këtë mënyrë pavarësisht se për një periudhë kohore të gjatë ka qëndruar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndryshe nga shumica e shqiptarëve, të cilët edhe në ditët e sotme kërkojnë mënyra dhe forma të ligjshme dhe të paligjshme, për të emigruar në Shtetet e Bashkuara te Amerikës dhe për më tepër pas ngjarjeve të 1997-s, të pandehurit Durda dhe Bërballa jo vetëm të kthehen në Shqipëri, por më tepër fillojnë krijimin e disa shoqërive tregtare me qëllim fillimin e aktivitetit të tyre tregtar”.

Teksa situata ishte e vështirë, Durda dhe Bërballa krijojnë shoqëri tregtare në Tiranë në tetor 1997, por edhe të tjera gjatë dy viteve në vazhdim. Prokuroria theksoi se ky veprim ishte kryer me prapamendimin kriminal, për të krijuar një infrastrukturë të nevojshme që sapo hidhte hapat e parë në vazhdën e veprimeve që anëtarët e grupit po kryenin nga 1997 deri në 1999, të dyshuarit po krijonin madje edhe bazën e tyre, duke marrë me qira një vilë në “Rrugën e Dibrës” për ta përdorur si “vatrën” e takimeve dhe kontakteve pse jo edhe me bosët kolumbianë.

Kolumbia, dashuria e trafikantëve

Gjykata evidenton në dosjen që Gazeta “Si” disponon se lidhja e elementëve shqiptarë me kolumbianë nis së pari me një dërgesë drejt “All Nation Wide” nisur nga Bogota, Kolumbi një sasi ngarkese e ligjshme. Ngarkesa përmbante bojë shkrimi, por diku ishte fshehur 6 kilogramë kokainë. Dërgesa ishte nisur në emër të shtetasit Thoma Koprani, një person ende i paidentifikuar dhe mban datën 4 shkurt 1998. Por, adresa e shoqërisë i përkiste Bërballës dhe Durdës. Për këtë episod prokuroria nuk ngriti akuzë,  por e ilustroi në gjykim si element të vazhdimësisë së grupit.

Anija Privilege dhe ngarkesa e madhe

Por kjo sasi nuk ishte asgjë. Duhej një rrugë dhe grupi mendoi që transporti i kokainës me rrugë detare do ishte perfekt. Në dosje thuhet: “Nga ana e të pandehurve Durda dhe Bërballa me elementët dhe eksponentët kolumbiane të trafikut të drogës është biseduar për mënyrat dhe rrugët sesi do të realizohej transportimi i lëndëve narkotike. Si rruga më e mirë dhe më e sigurt për ta është parë ajo e transportit detar. Për këtë ato i janë përveshur punës dhe kështu me dt. 27.09.1999 të pandehurit Frederik Durda dhe Arben Bërballa, janë paraqitur në Maltë, duke autorizuar me prokurë avokatin e tyre me emrat fiktivë Nikolla Papa dhe Arben Balla, ku kanë themeluar shoqërinë “Privillege Maritime “ L.T.D. në dt. 07.10.1999, pra as edhe një muaj më vonë nga momenti i krijimit të shoqërisë në Maltë, të pandehurit Frederik Durda dhe Arben Bërballa kanë realizuar blerjen e anijes “Privilegje”, anije e cila më vonë do të destinohej për transportimin e sasive të mëdha të kokainës nga Shtetet e Amerikës Latine në drejtim të Europës”.

Të pandehurit nuk sollën asnjë provë bindëse sesi ishte blerë anija me vlerë më shumë se 1 milion dollarë, ndaj edhe prokuroria theksoi se “kjo të forconte idenë se karteli kolumbian i drogës mund ta kishte financuar”.

Në vitin 1999 kolumbianët përmes Serxhio Guileres dërgojnë në Shqipëri L.Cestarin, e cila e paraqet Sergion si kumbarin e saj. Gruaja kishte mbërritur në Tiranë dhe qëndroi te 15-katëshi me vetëm një qëllim:

“Ardhja e saj në Shqipëri ka qenë e motivuar me qëllim se ajo do të verifikonte besueshmërinë e këtij organizmi, seriozitetin, mjetet, bankat, lehtësitë aeroportuale dhe detare si dhe çdo garanci tjetër të besueshme që pala shqiptare do t’u afronte eksponentëve kolumbiane për nisjen e sasisë së kokainës”.

Drogë e sekuestruar në Kolumbi

Takimi me Sokol Koçiun

Sokol Kociu u prezantua te gruaja mysafire dhe e provimit të madh nga Frederik Durda. Koçiu u prezantua si shefi i antimafias italiane, madje ai ndërhyri që teksa hynte ne Shqipëri ndaj saj të mos kryhej asnjë kontroll. Gjatë këtij takimi, Cestari u njoh dhe u takua me shumicën e anëtarëve të grupit. Shëtitja e mëpasshme e gruas ishte në Portin e Durrësit ku ajo ka marrë kontakt me disa drejtues të portit.  

Dosja që Gazeta “Si” disponon tregon më tej fiksimin e vjetër të trafikantëve për Portin e Durrësit.

“Ajo është dërguar drejt Portit të Durrësit ku kanë marrë kontakt me disa persona drejtues të këtij porti dhe kanë parë bashkë me të mundësinë reale për realizimin e një trafiku të tillë narkotikësh dhe i kanë paraqitur skafe të fuqishëm, të cilat ndodheshin të ankoruar në kalatë që do të shërbenin për transportimin e drogës. Pas kësaj ato janë nisur drejt Vlorës për të parë edhe atje mundësitë reale dhe kushtet në të cilat do të realizohej ky transport lëndësh narkotike. Në shoqërimin e saj dëshmitarja Lida Çestari ka qenë bashkë me të pandehurin Frederik Durda dhe Sokol Koçiu, i cili në sajë të funksionit të tij shtetëror dhe të qenies së tij në detyra policie dhe të njohjes që kishte me punonjës të policisë, dhe lehtësirave në lëvizje në vende, të cilat ishin të pakalueshme për persona të zakonshëm dhe pa leje të mëparshme të organeve kompetente, kanë bërë që tek ajo të krijohet bindja se ishin gjetur personat e duhur dhe ambienti i përshtatshëm për transportimin e kësaj lënde narkotike të destinuar për Shqipërinë. Sipas dëshmitares Lida Çestari përveç mjeteve, bankave, garanti kryesor ishte i pandehuri Sokol Koçiu, i prezantuar si shef i antimafies shqiptare, i cili do të vinte në shërbim të këtij transporti kokaine pikat e kalimit doganor, portet, aeroportet, si dhe tek ai, ajo ka parë një person me një bazë të gjerë njohje dhe bashkëpunim të ngushtë me policinë, të cilat do t’i shfrytëzonte në interes të organizatës së krijuar. Gjithashtu dëshmitares Lida Çestari në Portin e Durrësit i janë prezantuar edhe mjete në dispozicion të tyre dhe midis të tjerave edhe skafe të shpejtë, të cilët do të përdoreshin për të mundësuar transportin e kokainës nga anija për në brigjet shqiptare. Më pas, kjo sasi kokaine do të përdorej pjesërisht për tregun shqiptar dhe pjesa më e madhe për tregun rus dhe europian”…..

Gazeta Si do vijojë ditët në vazhdim të botojë dosjen e plotë të kokainës, e vetmja histori suksesi në shkatërrimin e grupeve të narkotrafikut.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë