Ekonomi

Donacionet 1.15 mld Euro, ekspertët: Kujdes me borxhin, të rishihet buxheti

Sabina Veizaj - Dhurimi i 1,15 miliard euro në mbështetje të Shqipërisë për rindërtimin pas tërmetit të 26 nëntorit, qe një akt entuziast të cilin një pjesë e lexuan si sukses politik të kryeministrit Edi Rama, të tjerë si ndihmë ndaj shqiptarëve.

Por të gjithë mendimet kanë një emërues të përbashkët, atë se Europa nuk e ka harruar Shqipërinë, sidomos në një moment të tillë kaq nevojtar.

Por a do të ndikojnë donacionet e rindërtimit në rritjen ekonomike të Shqipërië?
Për ekspertin Elvin Meka, angazhimi i një sasie të tillë fondesh për rindërtimin dhe jo vetëm është një sinjal i mirë për ekonominë.

Edhe eksperti Zef Preçi e sheh në disa drejtime shumën financiare të premtuar në konferencën e donatorëve një ditë më parë, (të hënën e 17 shkurtit).

Zef Preçi, Qendra Shqiptare për kërkime ekonomike

Për pjesën e shumës së dhuruar pa nevojë kthimi, Preçi thotë se, edhe pse jepen shifra të ndryshme rreth kësaj pjese të ofruar, edhe pse një pjesë e tyre janë rishpërndarje e projekteve e programeve ekzistuese (që operojnë aktualisht në Shqipëri), edhe pse një pjesë e tyre do të menaxhohen drejtperdrejt nga vendet apo organizatat donatore (dhuruese), pritet një ndikim pozitiv në rritjen ekonomike të vendit.

Ai gjykon se ndikimi do të jetë më i madh, sa më shpejt që të shpenzohen këto fonde, si dhe sa më shumë të shpenzohen për të blerë mallra dhe shërbime të çfarëdollojshme brenda vendit.

Preçi e analizon për Gazeta Si ndikimin në dy lloje: ndikim i drejtpërdrejtë (për shkak të një oferte financiare të shtuar për investime kapitale, siç është ndërtimi i banesave të reja apo blerja e disa mallrave dhe të shërbimeve në tregun vendas), dhe ndikim i tërthortë (psh për shkak të çlirimit të fondeve buxhetore që qeveria kishte parashikuar të investonte nga buxheti i shtetit) që detyrimisht thotë Preçi, mendoj se duhet të rishikohet për këtë shkak, por edhe për shkak të përmirësimit të infrastrukurës në turizëm, etj., deri edhe të imazhit të vendit që ndikon në rikthimin e ritmeve normale të rritjes ekonomike të vendit.

Për pjesën tjetër të fondeve të premtuara në konferencën e Brukselit që janë kreditë në forma të ndryshme, me norma interesi dhe periudha ripagimi të ndryshme, Preçi gjykon se duhet menaxhuar me kujdes.

Pasi, sipas tij, në kushtet e krizës ekonomike globale, mundësitë e marrjes së huave ekzistojnë, por rritja e borxhit publik është një kërcënim serioz për stabilitetin makro-ekonomik të vendit.

Sipas Preçit, ka vend për optimizëm të matur dhe për përgjegjshmëri të lartë nga ana e autoriteteve shqiptare.

Por, Elvin Meka, përtej ndjenjës pozitive, thotë për gazetën “Si”se duhet parë me vëmendje: Nënshkrimi i EUROBOND-it 600 milionë euro, e duket se do vendoset ON HOLD ( në pritje), deri në momentin e saktësimit të shumës finale që do jetë GRANT dhe KREDI, plus dhe termat e kredive.

Elvin Meka, Shef i Departamentit të Financës UET

Po ashtu sipas Mekës duhet vlerësuar nëse kreditë e buta tentojnë një normë interesi 2-2.5%, atëhere Eurobondi nuk zbret poshtë 3.5%, veç nëse ndodh ndonjë "mrekulli".

“Duhet parë ripërcaktimi i klasifikimit të besueshmërisë (credit rating), pas kërcimit që do pësojë borxhi publik, veçanërisht ai i jashtëm, aplikimi për kredinë madhështore 750 milionë dollarëshe të Bankës Botërore për rrjetin kombëtar të ujesjellës-kanalizimeve. Menaxhimi i kursit të këmbimit, pas kësaj "ujëvare" fondesh në monedhë të huaj, nëse nuk do ketë ndërhyrje sterilizuese nga Banka e Shqipërisë”- shprehet Meka duke shtuar se “ndërkohë, "habia" e mbështetjes së Francës u zgjidh, pasi tashmë përvec USAID, GIZ, COOPERAZIONE ITALIANA, dhe agjencive të tjera të Fuqive të Mëdha, hyn në tregun shqiptar dhe një Agjencia Franceze e Zhvillimit me kreditë e saj!”

Arben Shkodra nga Dhoma e Prodhuesëve e sheh më thjeshtë çështjen.

Sipas tij është e parakohshme të flitet mbi diçka që ende nuk është future në hulli.
Nga premtimi, thotë Shkodra deri tek disbursimi i shumave të deklaruara është një rrugë shumë e gjatë përpara.

Arben Shkodra, Dhoma e Prodhuesëve

“Si fillim duhen përcaktuar linjat e programit të rindërtimit nga qeveria. Me të gjithë organizmat që kanë premtuar qeveria do të hyjë në marrëveshje individuale sipas angazhimit, por deri në rimbursim ka goxha rrugë për të bërë. Është përpara një oqean teknikash buxhetore, kontabiliteti dhe administrativ”- shprehet Shkodra për gazetën “Si”, por gjithsesi ai e quan një lajm të mirë Konferencën e Donatorëve që sipas tij ishte një ndihmë për Shqipërinë dhe shqiptarët.

Në aspektin ekonomik, Shkodra vlerëson se do të ndikojë në disa sektorë pasi rindërtimi do të angazhojë inxhinierë, projektues, arkitektë, biznese shërbimesh e mallrash.
Por, thotë Shkodra, duhet të krijojmë mjedisin e duhur që të realizohet disbursimi, pasi sipas tij, mund të ketë kufizime buxhetore dhe administrative.

A ndikon fakti që një pjesë të parave e kemi marrë në formë borxhi?

Ekspertët mendojnë se rritja e mëtejshme e borxhit publik, qoftë edhe për një periudhë të shkurtër kohe, është zhvillimi makro-ekonomik më i padëshiruar për ekonominë tonë kombëtare.

Në këtë kontekst, si dhe duke marrë parasysh faktin se së shpejti qeveria shqiptare do të dalë në tregjet ndërkombëtare me Eurobond-et (dmth po marrim borxh të ri për të shlyer borxhin e vjetër), sipas ekspertit Zef Preçi, një ngutje qeveritare për të nënshkruar marrëveshjet përkatëse për pjesën e huave bankare apo nga shtete të veçantë rrezikon të rëndojë situatën e vendit.

“Është koha të kuptojmë se përtej humanizmit të shprehur dhe për të cilin të gjithë duhet të jemi mirënjohës, jetojmë në kapitalizëm që funksionon sipas postulatit “nuk ekziston dreka falas”. Dmth huatë duhen rikthyer dhe për hir të së vërtetes, huatë me norma të ulta interesi dhe afate të gjata shlyerjeje janë të preferueshme kur ndihmojnë për të zhvilluar degë apo sektorë të ndryshëm të ekonomisë,”- thotë Preçi duke shtuar ,” por jo në rastet kur akaparohen nga oligarikët dhe lobistët që qëndrojnë përreth qeverisë dhe kryeministrit, apo kur copëtohen në favor të interesave të ngushta e pse jo edhe private të drejtuesve vendorë duke ju larguar ndikimit pozitiv për një zhvillim të qendrueshëm të ekonomisë sonë kombëtare; duke u shndërruar në konferenca, seminare, trajnime., etj., shumë herë të panevojshme dhe që konsumojnë fondet pa efektivitet: duke u shpenzuar kryesisht me kompani të huaja (dmth që nuk lënë akumulim brenda vendit), etj.”

Ndërsa për pjesën e kredive tregtare, mbas të cilave qëndrojnë kushtëzime të natyrës fetare apo gjeo-strategjike, Preçi është i mendimit se duhen vlerësuar me kujdes për të mos lejuar që emergjenca e rindërtimit të mos cënojë sigurinë kombëtare dhe interesat afatgjatë të vendit si pjesë integrale e BE-së.

Kjo sepse, rritja e pakontrolluar e borxhit publik përbën një kërcënim që nuk mund të anashkalohet në një situatë të tillë. Për më tepër, shpjegon Preçi, që në rastin konkret, kreditë po merren për investime në sferën joprodhuese (ndërtim banesash, etj.) dhe që kalon në pronësi private.

Dhe çdo rritje e mëtejshme e borxhit publik nuk mund të mos rrisë ndjeshmërinë e investitorëve të huaj dhe këshu vendi rrezikon të jetë më pak tërheqës ndaj tyre.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë