Dokumentar

Dokumentari i parë shqiptar në Oscar/ Regjisori i ‘Alexander’: Për lirinë të gjithë duhet të grabisin një anije luftarake

Nga Gazeta Si - Në vitin 1990, një mekanik në Shqipëri i quajtur Aleksandër Gruda do të rrëmbente një anije luftarake për të fituar lirinë për veten dhe familjen e tij.

Gati tri dekada më vonë, Aleksandër Gruda bëhet heroi i dokumentarit “Alexander”, që është edhe kandidatura e Shqipërisë në edicionin e 96-të të çmimeve “Oscar”.

Regjisori Ardit Sadiku thotë për Gazetën “Si” se është dokumentari i parë nga Shqipëria që përzgjidhet për çmimet Oscar.

“Përzgjedhja e filmit dokumentar në Oscar 2024 ishte diçka shumë e mirë për karrierën time dhe për vetë filmin. Kjo përzgjedhje bëri që filmi të kishte shumë sukses në kinema, dhe ndihem shumë i nderuar me këtë selektim. Falënderoj shumë Qendrën Kombëtare të Kinematografisë që financoi filmin dhe komisionin që e përzgjodhi, pasi ky dokumentar është dokumentari i parë që dërgohet nga Shqipëria”, shprehet regjisori Ardit Sadiku për Gazetën “Si”.

Ky projekt u realizua midis Nju Jorkut, Shqipërisë, Malit të Zi dhe Australisë.

“Filmi është xhiruar në 3 kontinente dhe në 4 shtete, si SHBA, Australia, Shqipëria, dhe Mali i Zi. Xhirimet kanë zgjatur 25 ditë në total, ndërsa komplet procesi i filmit nga xhirimi deri në finalizimin e filmit ka zgjatur rreth 4 muaj”, vijon më tej regjisori.

Megjithëse kanë kaluar 30 vjet, kujtimet e asaj ngjarje tragjike janë ende të freskëta për protagonistin Aleksandër Gruda.

Ndonëse është një histori tronditëse e Shqipërisë komuniste,  Sadiku thotë se qëllimi i projektit është të ndajë me shikuesit jo vetë aspektin e diktaturës në Shqipëri, por heroizmin e përpjekjeve për liri të Aleksandër Grudës, familjarëve e miqve të tij.

“Filmi lidhet me periudhën e diktaturës dhe tema është tërësisht shqiptare, mirëpo unë kam dashur të trajtoj temën e lirisë më shumë dhe çfarë hapash mund të marrë një person, që të arrijë lirinë e tij. Arsyeja që ky film është realizuar është vetëm për faktin që një person ka grabitur një anije luftarake në mes të ditës dhe është arratisur nga vendi i vet. Nuk kam dashur të trajtoj shumë aspektin e komunizmit, por më shumë kam dashur të trajtoj aspektin e luftës së përjetshme të njeriut për liri”, thotë ndër të tjera regjisori për Gazetën “Si”.

Regjisori Ardit Sadiku

Aleksandër Gruda u arratis duke rrëmbyer një anije luftarake si një formë për të fituar lirinë, por sa kosto do të ketë pas liria e synuar prej tij?

Arratisja nuk shkoi ashtu siç ishte planifikuar. Anija u diktua dhe ndaj saj u hap zjarr. Për pasojë, vajza pesëvjeçare e Aleksandrit, Anisa Gruda, humbet jetën.

Sadiku tregon edhe mesazhin që do të japë me këtë dokumentar.

“Mesazhi që dua të jap me personazhin e Aleksandrit, dhe për historinë e tij është që të gjithë duhet të grabisin një anije luftarake që të arrijnë qëllimin e jetës pavarësisht kostove që mund të ketë sepse liria ka kosto shumë të madhe”.

Për pritshmëritë në garën më të njohur të filmit, Sadiku thotë se “nuk është se e mendoj shumë, dua t’ja lë kohës”.

“Uroj që të pëlqehet filmi dhe të vlerësohet, kjo është më e rëndësishmja”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë