Dokumentar

’20 days in Mariupol’ / Regjisori: Ndoshta jam i parë në këtë skenë që do të doja që të mos e kisha bërë kurrë filmin

Nga Gazeta Si- Dokumentari ukrainas ‘20 Days in Mariupol’, i cili u xhirua brenda qytetit port të rrethuar gjatë sulmit nga forcat ruse, ka fituar Oscar për dokumentarin më të mirë.

Drejtuar nga Mstyslav Chernov, një gazetar ukrainas i cili dokumentoi pushtimin në fillim të vitit 2022, 20 Days in Mariupol tërhoqi vëmendjen pas premierës së tij në festivalin e filmit ‘Sundance’ në 2023, me kritikët që e quajtën atë “një film që është dëshmitar i krimit që po bëhet në Ukrainë”.

Në një intervistë me The Guardian, Chernov e përshkroi filmin si "një lloj rezistence kolektive ndaj tragjedisë".

Dokumentari u konsiderua një pretendent i fortë për çmimin, pasi kishte marrë tashmë çmimin e dokumentarit më të mirë nga Bafta. Në fund triumfoi mbi pretendentët, duke përfshirë dokumentarin politik ugandan 'Bobi Wine: The People's President', dhe studimin e Alzheimerit, 'The Eternal Memory'.

Duke u ngjitur në skenë, Chernov tha se ky ishte Oscar i parë për një film ukrainas.

“Jam i nderuar, por ndoshta do të jem regjisori i parë në këtë skenë që do të doja që të mos kisha bërë kurrë këtë film. Do të doja të isha në gjendje të shkëmbeja këtë me Rusinë që nuk do e sulmojë më Ukrainën apo me Rusët që nuk vrasin ukrainasit”, tha Chernov, duke shtuar se nuk mund të ndryshojë historinë e as të kaluar por të gjithë së bashku mund të bëjnë diçka që e vërteta të mbizotërojë dhe njerëzit që kanë humbur jetën të mos harrohen kurrë.

"Sepse kinemaja formon kujtime dhe kujtimet formojnë historinë."

Chernov përfundoi: "Faleminderit për Ukrainën".

Dokumentari tregon historinë e ditëve të para të pushtimit rus të Mariupolit, i cili tani kontrollohet nga forcat e Kremlinit pas një bombardimi të pamëshirshëm.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë