Histori

Doktori-filozof Sokrates dhe historia unike e futbollit demokrat

“Democrazia corinthiana” është një nga sfidat më të mëdha që kam përballuar në jetën time profesionale. Kjo lëvizje, sipas meje, ka lindur nga një vëzhgim pak interesant: futbollistët në Brazil nuk janë aspak të vetëdijshëm për rëndësinë sociale që kanë në jetë. Hapi i parë ishte ai për të ngritur një diskutim në lidhje me këtë çështje. Çfarë ndryshimi na duhet për të përmirësuar raportet e punës dhe si mund të nxisim pjesëmarrjen e të gjithëve në vendimet kolektive? Ishte e nevojshme që pjesa më e madhe ta mësonte se në futboll fuqia qëndron te lojtarët: kjo fuqi ishte e jona dhe vetëm ne mund ta ushtronim, nëse do të ishim të ndërgjegjshëm për të. Kjo fuqi, në të shumtën e rasteve, në brendësi të strukturave futbollistike është objekt interferencash, kufizimesh e reformash. Edhe nëse nuk ushtrohet. Duke ia bërë të qartë grupit tonë, kemi pasur mundësinë ta merrnim situatën në duart tona”.

Sokrates mori vëmendjen e kohës me teorinë e tij "Democracia Corinthiana"

Nuk është një sociolog ai që flet, as një politikan. Fjalimi i tij nuk lidhet me polemikat e fundit të zgjedhjeve presidenciale në Brazil, me Rivaldon dhe Ronaldinjon që u deklaruan hapur mbështetës të kandidatit të ekstremit të djathtë, Jair Bolsonaro. Fjalët e mësipërme i përkasin Sokrates Brasileiro Sampaio de Souza Vieira de Oliveira, i njohur në histori thjesht si Sokrates. Ia ka besuar bashkëshortes së tij të fundit, Katia Banjarelit, autores së librit “Sokrates Eterno”, një përmbledhje tregimesh të rrëfyera nga vetë futbollisti legjendar brazilian.

Babai i tij, i cili kishte mësuar të lexonte në mënyrë autodidakte, ishte i apasionuar pas filozofisë dhe mendimtarëve të mëdhenj grekë. Pasi lexoi “Republikën” e Platonit, ai vendosi ta quante djalin e tij Sokrates, i frymëzuar nga Sokrati, një nga filozofët më të mëdhenj grekë dhe mësues i Platonit. Një emër që ka lënë shenjë. Historia e Sokratesit është e veçantë. Ai ka qenë kapiteni i një prej kombëtareve më të forta të të gjitha kohërave, Brazilit që u eliminua nga Italia në Botërorin e 1982-shit. Pele e ka përkufizuar “lojtari më inteligjent në historinë e futbollit brazilian”. Krojf ka thënë se e shihte me admirim, siç shihet një drejtues orkestre. Sokrates është një nga mesfushorët më të mëdhenj historisë së lojës së futbollit, gjenial, i gjatë dhe shumë elegant. Është një nga të parët lojtarë që aplikoi goditjen me thembër, për të jo vetëm një veprim teknik, por një shprehje lirie në lojë.

Sokrates dhe Ziko, dy nga futbollistët më të mëdhenj të Brazilit

Ka fituar pak në nivel klubesh dhe kush i gjykon futbollistët në bazë të palmaresit të tyre, te Sokrates do të zhgënjehej dhe do të ngrinte pikëpyetje në gjykimin e tij. Një nga zhgënjimet më të mëdha të karrierës së tij ishte përvoja në Itali me Fiorentinën. Nuk luajti mirë, pasi nuk u ambientua dot, u impenjua pak dhe nuk u shfaq lider si në skuadrat e tjera. Jashtë fushe nuk ishte një sportist shembullor, sepse pinte duhan e alkool dhe përfshihej në tema që me futbollin pak kanë të bëjnë. U diplomua në mjekësi dhe pasi u tërhoq nga futbolli, filloi të ushtronte profesionin e mjekut dhe të gazetarit.

Gjatë përvojës së tij te Korinthiansi ka kontribuuar për ndryshimin e futbollit. Ka drejtuar një nga eksperimentet më origjinalë dhe të veçantë të historisë së futbollit, të quajtur “Democrazia corinthiana”. Në vitin 1982, kur “Doutor” (kështu quhej për shkak të diplomimit në mjekësi) kishte 4 sezone që luante me Korinthiansin, Waldemar Pires u zgjodh president i klubit. Dhe kur historia e do që disa personazhe të takohen bashkë, ndodh për të ndërtuar një mekanizëm që bën ndryshimin e vërtetë. Përveç Piresit, te Korinthiansi u gjendën edhe sociologu Adilson Monteiro Alves në rolin e drejtorit sportiv, Mario Travalini në rolin e trajnerit, si dhe Sokrates, Wladimir dhe Kazagrande në fushë. Lindi një vetëadministrim, ku lojtarët dhe stafi e merrnin çdo vendim me votë. Formacioni i titullarëve, tipologjitë e stërvitjes dhe çështjet ekonomike, të gjitha me votë. Çdo aspekt që i përkiste skuadrës, edhe pse nuk kishte miratimin e “Doutor”, votohej me ngritjen e dorës në një sistem demokracie perfekt.

Sokrates, kampion me Korinthiansin

Ishte fillimi i viteve ’80 dhe në Brazil regjimi ushtarak ishte më pak i ndjeshëm. Ishte koha kur kishte pak më shumë liri shprehjeje. Korinthiansi, një skuadër historikisht proletare, solli këtë liri në terrenin e lojës. “Ganhar ou perder, mas sempre com democracia”. Të fitosh apo të humbësh, gjithmonë me demokraci, ky ishte slogani i skuadrës. Në zgjedhjet e 1982-shit, të parat zgjedhje të lira që prej vitit 1960 në Brazil, Korinthiasi zbriti në fushë me një fanellë me mbishkrimin “Dia 15 vote”. Pak rëndësi kishte rezultati i zgjedhjeve (“Democracia” ishte pranë partisë së punëtorëve dhe “Doutor” ishte një mik i ngushtë i Lulës, i cili u bë më pas president i Brazilit). Ajo që kishte rëndësi, ishte që populli të kthehej të votonte.

https://youtu.be/X60ATDHZiIs
Momente nga golat dhe loja e Sokratesit

Por ajo që kishte edhe më shumë rëndësi është se në vitet 1982 dhe 1983, Korinthiansi, përveçse i dha një sinjal të qartë kombit, arriti të fitonte dy kampionate. LeBron Xhejms ka thënë se është më mirë të mendojë vetëm për lojën, por nëse sot ekzistojnë sportistë që pavarësisht ngjyrës dhe ideve, zgjedhin të flasin për politikë dhe për tema sociale, është falë Sokratesit. Historia e tij futbollistike dhe njerëzore është shumë e lidhur me atë të Korinthiansit dhe asnjëra prej tyre nuk mund të trajtohet e ndarë nga tjetra. “Do të doja të vdisja të dielën, ditën kur Korinthiansi fitoi titullin”, - ka thënë në vitin 1983. Vdiq të dielën e 4 dhjetorit të 2011-ës. Pak orë më pas Korinthiansi fitoi titullin e 5-të në histori. Nuk ka nevojë për të thënë më shumë...

Përgatiti: Fatjon Rupi


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë