Opinion

Diplomacia e vaksinës – Si po mundohet Kina të zgjerojë ndikimin e saj

Bashkë me njoftimin se është pranë zbulimit të vaksinës së koronavirusit të ri, diplomacia kineze ka përshkallëzuar kontaktet duke u premtuar akses të hershëm të kurës për vendet që përbëjnë interes gjeostrategjik për Pekinin. Lëvizja po interpretohet si një përpjekje që me gjasë synon të riforcojë pozicionin global të Kinës, pas pandemisë që i goditi rëndë reputacionin dhe lidhjet gjeopolitike.

Ministria e Jashtme kineze i ka premtuar Filipineve akses parësor të vaksinës së mundshme, ndërsa kompania private kineze, Sinovac Biotech Ltd. ka nënshkruar një marrëveshje me Brazilin dhe Indonezinë që të prodhojë miliona vaksina të mundshme për popullsitë e tyre.

Pakistani nga ana tjetër, një prej aleatëve më të ngushtë të Pekinit mes vendeve në zhvillim do të përfitojë vaksina për një të pestën e popullsisë së tij prej 220 milionë banorësh, sipas një marrëveshjeje të nënshkruar me “China National Pharmaceutical Group”, të njohur edhe si “Sinopharm”, që do të kryejë edhe testet klinike atje.

Diplomacia kineze ka qenë aq e suksesshme sa ka siguruar një gjysmë premtimi për të ndikuar në prodhimin e vaksinës edhe nga Rusia, sipas një marrëveshjeje të nënshkruar mes dy Ministrive të Mbrojtjes. Marrëveshja paraprake përcakton se Rusia mund të prodhojë vetë një vaksinë të mundshme të prodhuar nga ushtria kineze dhe nga kompania kineze CanSino Biologics Inc., nëse kjo miratohet nga Ministria ruse e Shëndetësisë.

Deri më tani, kompanitë private dhe shtetërore kineze kanë përparuar në tre nga gjashtë vaksinat e mundshme anti-Covid-19 që janë në fazën e testimeve klinike tek njerëzit. Këto janë të dhënat e Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Tre të tjerat në fazat finale të testimit tek njerëzit po zhvillohen nga kompani me bazë në SHBA, Britaninë e Madhe dhe Gjermani.

Oferta e Pekinit për t’u siguruar vaksina vendeve të ndryshme nga Azia deri në Amerikën Latine mbërrin pas dhurimit të miliona maskave dhe materialeve të tjera shëndetësore në fillim të vitit. Autoritetet kineze janë shënjestruar nga SHBA dhe vende të tjera të Bashkimit Europian për mungesën e veprimit të shpejtë për të parandaluar përhapjen e infeksionit, që shpërtheu në fund të vitit të kaluar në Uhan.

Megjithatë, në krahasim me maskat dhe materialet e tjera mbrojtëse dhe parandaluese ndaj virusit, vaksinat do të shpërndahen me një sasi më të kufizuar.

“Bëhet fjalë për një nivel tjetër. Këtu fillon nacionalizmi i vaksinës”, thotë Thomas J. Bollyky, drejtor në Këshillin e Marrëdhënieve me Jashtë, një organizatë hulumtuese e marrëdhënieve ndërkombëtare me bazë në SHBA.

Rusia njoftoi javën e kaluar se kishte prodhuar vaksinën dhe vetë Presidenti Vladimir Putin dhe se mes personave që e kishin marrë atë ishte edhe vajza e tij. Megjithatë, njoftimi rus u prit me skepticizëm. OBSH tha se do të rishihkojë pretendimin rus, megjithëse Moska thotë se 20 vende, përfshirë Brazilin, Indonezinë dhe Emiratet e Bashkuara Arabe kanë bërë porosinë e saj.

Kompania private ruse, Petrovax, që po ndihmonë kompaninë kineze CanSino në testimin e një vaksine, tha se do të prodhojë vaksinën në Moskë për përdorim të brendshem dhe më pas tek ish-republikat sovjetike.

Nga SHBA, administrata Trump duhet ende që të sqarojë se në çfarë faze është prodhimi i vaksinës. Sekretari i Shëndetësisë, Alex Azar tha javën e kaluar se SHBA do të shpërndajë vaksinën e mundshme me vendet e tjera vetëm pasi të jenë përmbushur nevojat e brendshme të vendit, që është më fort i goditura në botë nga pandemia.

Kina nga ana tjetër, duke patur parasysh se pothuajse e ka eleminuar virusin nga kufijtë e saj, i ka duart më të lira për të shpërndarë vaksinën tek vendet e tjera. Një tjetër arse se përse Pekini mund të shpërndajë formulën lidhet edhe me faktin e mungesës masive të rasteve të reja me Covid-19, që janë të domosdoshme për testimin e vaksinës.

Kina është aktualisht prodhuesi më i madh në botë i vaksinave, me qindra milionë doza në vit dhe përveç prodhimit, në vitet e fundit kompanitë shtetërore dhe private kineze kanë investuar edhe në burime njerëzore dhe teknologji për të rritur aftësitë shpikëse të vaksinave të reja.

Prodhuesi më i madh i vaksinave është kompania shtetërore China National Biotech Group me rreth 200 mln doza në vit. Dilema më e madhe që mund të shoqërojë udhëheqësit komunistë në Pekin është nëse do të zgjedhin që fillimisht të vaksinojnë popullsinë prej 1.4 miliard qytetarësh, apo do të shpërndajë miliona doza në vendet e tjera.

Aktualisht, Kina mban të fshehta detajet e marrëveshjeve paraprake të nënshkruara me vendet e tjera. Megjithatë, deklaratat e udhëheqësve të saj sugjerojnë gatishmërinë e Pekinit për t’u përfshirë në një operacion humanitar ndërkombëtar, sidomos në vendet e Azisë Jug-lindore, ku Kina ka pretendime territoriale në ujërat e Detit të Kinës.

Për disa vende, pranimi i vaksinës kineze do t’i lidhte dhe forconte edhe më fort marrëdhëniet diplomatike me Pekinin, por në kurriz të Uashingtonit. Në fillim të këtij muaji, ministri i Jashtëm i Malajzisë foli si me homologun kinez, Ëang Yi, ashtu edhe me Sekretarin e Shtetit, Michael Pompeo për çështjen e vaksinësn.

As Pekini dhe as Uashingtoni deri më tani nuk kanë premtuar që të ndihmojnë Malajzinë me vaksina, por që të dyja vendet po përpiqen që të forcojnë lidhjet me Kuala Lumpurin mes tensioneve në Detin e Kinës Jugore, ku SHBA është në ballë të rezistencës ndaj pretendimeve kineze për ujërat territoriale të diskutueshme.

Në korrik, një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme kineze tha se Kina do t’i japë prioritet Filipineve dhe vendeve të tjera me pretendime të ngjashme në Detin e Kinës së Jugut, pas thirrjes së drejtpërdrejtë që Presidenti filipinas, Rodrigo Duterte i bëri Presidentit kinez, Xi Jinping që ta ndihmonte vendin e tij me vaksinën.

Duke u nisur nga fakti që në mes nuk janë vetëm të ardhurat financiare që mund të grumbullohen nga shitja e dozave të vaksinës, por edhe diplomacia gjasat janë që qeveria kineze të ndërhyjë edhe tek kompanitë private farmaceutike dhe t’i detyrojë ato që të punojnë e ofrojnë vaksinën për qëllimet e veta gjeostrategjike.

Megjithatë, ana tjetër e medaljes është rreziku që nga nxitimi për të patur të parët vaksinën, ajo të mos funksionojë dhe të fusë në një siklet më të thellë të gjithë diplomacinë kineze. Pikërisht ky rrezik është edhe arsyeja që shumë vende janë stepur nga nënshkrimi i marrëveshjeve me kompanitë e Pekinit.

Deri më tani, marrëveshje miliarda-dollarëshe janë nënshkruar nga SHBA dhe vende të tjera të zhvilluara kryesisht me tre kompani. Bëhet fjalë për kompaninë britanike AstraZeneca, atë amerikane Moderna dhe kompaninë gjermane BioNtech, që po bashkëpunon me Pfizer.

Por, një vaksinë e mundshme nga këto tre kompani rrezikon që të vonojë për muaj me radhë aksesin e vendeve të varfra tek ajo, duke detyruar qeveritë e këtyre vendeve që të veprojnë duke iu drejtuar vaksinave jo fort të sigurta, që mund të mbërrijnë nga Kina, apo vende të tjera, si Rusia. Burimi: Wall Street Journal. Solli në shqip: Gazeta "Si"


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë