Ngjarje

Dhunë dhe gjoba të padrejta. Çfarë i shqetëson shqiptarët nga policia?

Dhuna dhe gjobat e padrejta janë shqetësimet kryesore të qytetarëve kundrejt policisë.

Shqiptarët nuk i shqetëson aq shumë korrupsioni dhe zyrtari i policisë i inkriminuar se sa i shqetëson gjoba që u vendoset në automjet dhe njëanshmëria e efektivit në raport me më të fuqishmin.

Sipas raportit vjetor të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore bëhet me dije se shumica e shtetasve shqiptarë që janë ankuar ndaj Policisë së Shtetit pranë AMP në varësi të Ministrisë së Brendshme kanë kërkuar hetime ndaj policit që ju ka vendosur gjobë të padrejtë, sipas tyre.

Raporti zyrtar zbulon se në vend të parë qëndrojnë këto ankesa në masën e 350 ankesave ku AMP është telefonuar dhe është kërkuar që polici të hetohet administrativisht.

Policët më të ekspozuar ndaj pakënaqësisë së qytetarëve janë policët e sigurisë publike dhe të policisë rrugore për të cilët në total në masën e 74 për qind të ankesave u adresohen këtyre dy shërbimeve policore.

Tabela që vijon tregon se në vend të dytë qytetarët janë të shqetësuar së tepërmi nga shkelja standarde e punës së efektivit policor të tilla si mos sjellja në mënyrën e duhur me shtetasit, përdorimi i alkoolit, deri tek parkimet e gabuara të makinave nga policia qe qytetarët e vlerësojnë si tregim force dhe pushteti nga shefat.

Numri i denoncimeve të bëra nga qytetarët për policinë. Gazeta Si, 26 maj, 2022.

Policia akuzohet se nuk reagoi dhe nuk veproi në kohë në 259 raste për thirrjet e konflikteve banale kryesisht të pronësisë mes fqinjëve, pavarësisht se nga një vëzhgim i përditshëm i Gazetasi.al rezulton se policia është institucioni ku shqiptarët ankohen për çdo gjë, që nga problemet e shëndetit deri tek ndihma për bllokimin e ashensorit.

150 policë konsiderohen nga shqiptarët të njëanshëm ndaj një konflikti mes dy palëve, ndërkohë që ka ankesa për korrupsion. 98 qytetarë i denoncuan agjentët dhe uniformat e rendit për veprime arbitrare dhe 30 të tjerë kërkuan hetime pasi ishin shoqëruan në komisariate pa të drejtë.

Ndarë sipas denoncimeve, raporti vëren se dy policitë ku ka më tepër perceptim negativ është ajo rrugore dhe e rendit që janë policitë që vendosin më tepër gjoba.

Policia Rrugore ka 457 ankesa, ose 27% të totalit.  Hetimi i Krimit ka 318 ankesa, ose 19% të totalit. Policia Kufitare ka 45 ankesa, ose 3% të totalit.

Burimet Njerëzore kanë 30 ankesa, ose 2% të totalit. Garda e Republikës ka 3 ankesa, ose 0%. PMNZSH (Policia e mbrojtjes nga zjarri dhe për shpëtim) ka 4 ankesa, ose 0%. Akademia e Sigurisë ka 3 ankesa, ose 0%. Shërbimet Mbështetëse kanë 5 ankesa, ose 0%.  Ndërkohë për sigurinë publike ka 793 ankesa, ose 47% të totalit.

Në raport thuhet se ky trend i paligjshmërisë së mundshme të kryera nga punonjësit e strukturave, i korrespondon edhe trendit të ankesave sipas shërbimeve, ku evidentohen strukturat kryesore si siguria publike, policia rrugore dhe strukturat e hetimit të krimit.

Kjo përputhshmëri ndërmjet llojit të shkeljes dhe strukturës që ka kryer shkeljen, lidhet me natyrën e problematikave që trajtojnë këto lloj shërbimesh në kontakt të drejtpërdrejtë me qytetarin, siç janë konfliktet e llojeve të ndryshme, të zakonshme në jetën komunitare. Se si paraqitet implikimi i policisë në dhunë, drogë dhe vepra të tjera e tregon tabela si vijon që u vendos në dispozicion të Gazetasi.al.

Tabela që tregon trendin e formave të paligjshme të kryera nga policia. Gazeta Si, 26 maj, 2022.

Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë