Futboll

Dhuna ndaj arbitrave, Lorenc Jemini: Janë më të pambrojturit, trajtohen si dele!

Gazeta Si - Kur përmend një arbitër futbolli në Shqipëri, më shumë se një person me uniformë që vendos drejtësi në fushë plot autoritet, përfytyron një njeri që ikën me vrap dhe një turmë e që e ndjek nga pas për ta rrahur. Ky është imazhi që po e shohim vazhdimisht në fushat e të gjitha niveleve të futbollit tonë, së fundi në Rrogozhinë, në ndeshjen Tirana-Bylis.

Kridens Meta dhe asistentët e tij u dhunuan fizikisht, ashtu siç ka ndodhur më parë me shumë kolegë të tyre. Pse gjithmonë arbitrat e futbollit janë pre e dhunës? Si ka mundësi që asgjë nuk ndryshon, madje përkeqësohet dhe na ndodh që gjithmonë kemi klube të përjashtuara.

Lorenc Jemini, ish-arbiter i FIFA-s. Gazeta Si, 27 maj 2023

Një shpjegim për këtë situatë dramatike e jep për Gazeta Si Lorenc Jemini, ish-arbitër i FIFA-s dhe specialist gjykimi. Ai thekson ndër të tjera se dhuna ndaj arbitrave buron nga sistemi, nga fakti që në Shqipëri nuk ka shoqatë arbitrash të pavarur, nuk ka ligë të pavarur dhe nuk zbatohen ligjet. Ja intervista e Jeminit për Gazeta Si:

Lorenc, në Rrogozhinë pamë aktin e radhës të dhunës ndaj arbitrave. Si ka mundësi që ky fenomen vazhdon sistematikisht në futbollin shqiptar?
Po, gjithmonë ka dhunë ndaj arbitrave, ndaj zyrtarëve. Nuk ndodh të ketë dhunë ndaj futbollistëve. Edhe në Rrogozhinë tifozët nuk ushtruan dhunë ndaj sportistëve. Arbitrat janë më të ekspozuarit ndaj dhunës, sepse janë më të pambrojturit. Pra, me një arbitër mund të sillesh si të duash, në fushë, në qytet, ai nuk ka asnjë lloj mbrojtje. Sepse i tillë është edhe sistemi, nuk i mbron.

Ti shkon ankohesh në federatë dhe gjërat mbyllen aty. Nuk lejohet të bësh nëj denoncim në polici, sepse nuk ta lejon sistemi i federatës. Kërkon që ankesat të bëhen aty dhe pastaj nuk bëhet asgjë. Prandaj ka vite që ndodh kjo gjë. Njerëzit dhe tifozët e kanë kuptuar se duke ushtruar dhunë ndaj arbitrave, i frikësojnë, i futin në presion. Dhe nuk merret asnjë masë.

Nga buron kjo dhunë, pasi duket si një shpërthim i akumuluar?
Sa herë që ka dhunë, ajo është e akumuluar. Ka vite që ndodh, nuk lindi dje. Edhe arbitrat janë pjesë e situatës, duke bërë gabime si ai i vitti 2017 në Kukës, apo i 2021-shit në Tiranë te Partizani me Vllazninë, apo si rasti i fundit. Të gjitha këto bëjnë që ndaj arbitrave të ketë besim të ulët. Nuk punohet për të fituar besimin, nga asnjë allkë. Në momentin që arbitrat janë të varur nga sistemi, ka probleme të mëdha.

Momenti kur tifozet e Tiranes sulmojne arbitrat e ndeshjes ne Rrogozhine. Gazeta Si, 27 maj 2023

Nëse duhet ta kërkojmë fajin ku është, për të mos e lënë jetim, siç ndodh te ne, duhet që shoqata e arbitrave të jetë e veçuar nga federata. Liga nuk funksionon, edhe ajo duhet të jetë e veçuar nga federata. Pra, kemi një çorbë që gatuhet te shtëpia e futbollit dhe është kjo që është, diçka që mban erë të qelbur.

Sa përgjegjësi ka sektori i arbitrave dhe FSHF?
Ka përgjegjësi sektori i arbitrave, sepse është një sistem i gabuar. Për sa kohë arbitrat nuk kanë pavarësi, por komandohen si dele, për sa kohë janë të pambrojtur, të keqpaguar dhe keqatrajtuar, nuk kanë një kontratë pune, një rrogë fikse, siç e ka gjithë bota, këtu do jemi, në këto çudira. Arbitri me stemë të FIFA-s pezullohet 6 muaj Për arsye banale. Tjetri hiqet dhe nuk e di askush çfarë ka bërë. Për sa kohë nuk i rregullojmë gjërat… Nuk ka nevojë të shpikim, por të kopjojmë.

Si e gjykon rastin e penalltisë ndaj Tiranës në Rrogozhinë?
Penalltia kundër Tiranës, për mendimin tim, nuk është. Nuk është penallti, sepse kontakti është trup me trup, nuk përdor lojtari as duar as këmbë, ka një kontakt për një top të diskutueshëm. Të gjithë mbrojtësin kërkojnë ta nxjerrin nga trajektorja sulmuesin, atë që ka bërë edhe lojtari i Tiranës. Nëse do ta japësh penallti, me arsyen se ka kontakt, ok, futbollin duhet ta bëjmë volejboll, të mos ketë prekje fare. Futbolli ka të tjera rregulla.

Të japësh një penallti të tillë, që për mua nuk është fare, por edhe nëse ka ndonjë element, në këtë fazë të kampionatit, është gabim i madh. Pse nuk ndërhyn VAR-i? Shumë njerëz pyesin për këtë fakt dhe nuk kanë faj. VAR-i ndërhyn vetëm në raste bardhezi, jo në raste kur ka ndonjë element që arbitri e konsideron penallti. Ndërhyn vetëm kur nuk ka kontakt fare dhe arbitri jep penallti. Në atë moment VAR-i e këshillon ta shohë në monitor. Arbitri mund të jetë çmendur dhe e jep prapë penallti, VAR-i nuk del në fushë. Përsëri vendos arbitri.

Lorenc Jemini, kur ishte arbitër. Gazeta Si, 27 maj 2023

Një vlerësim për nivelin e arbitrave në Shqipëri?
E kam thënë gjithmonë, sepse e besoj, niveli i arbitrave është disa herë më i lartë se i futbollit shqiptar. E them me bindje, shumë i kam pasur kolegë, i njoh aftësitë preofesionale të tyre. Problemi është se arbitart nuk lejohen të arbitrojnë ashtu si duhet.

Ndikohen nga gjitha anët, nga të gjithë faktorët. Shiko ndihmoje këtë, sepse na duhet, na ka dhënë votën, ky tjeri është i ‘x’ partie e kështu me radhë. Janë çudira shqiptare dhe vijmë në pikën që themi: vërtet këta arbitra nuk dinë të arbitrojnë, apo nuk dinë nga t’ia mbajnë? Unë them është kjo e dyta, për sa kohë i futin duart të gjithë, e bëjnë pis këtë profesion, ashtu siç po e bëjnë.

Çfarë mendon për sigurinë në stadiume?
Kjo është një temë tjetër, që ha diskutim pa fund. Nuk mund të garantohet siguria në stadium me stjuardë, 10 apo 20. Këtë problematikë e kemi me tifozët, kur ligji është i kopsitur, por që nuk zbatohet. Nuk kam dëgjuar që një tifoz që futet në fushë, godet arbitrin dhe ofendon, të shkojë në burg. Duhet ndryshim, duhet policia në stadium, është tjetër gjë policia e shtetit dhe tjetër stjuardët. Këta të fundit nuk e di çfarë ruajnë, por fati i madh, në thonjëza, sepse është fat i keq, që nuk kemi shumë tifozë në stadiume.

Duket qartë në derbi, kur mbushet plot stadiumi, që çfarë katrahure bëhet. Stjuardët nuk dinë ta menxhojnë situatën, ka strategji për të menaxhaur 5 apo 10 mijë tifozë, policia trajnohet për këtë punë. Kjo duhet zgjidhur, nuk e kuptoj pse ka ngelur kështu. Fat i madh që nuk ka ndodhur ndonjë çudi në stadium, me këtë lloj sigurie që kemi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë