Futboll

Dhuna dhe futbolli në Shqipëri një histori e pandarë

Dënimi i rëndë për Kamzën nga Komisioni i Disiplinës për dhunën në ndeshjen e së dielës përballë Laçit ishte një mesazh i qartë nga Federata se fenomene të tilla do duhet të ndahen një herë e përgjithmonë nga futbolli shqiptar. Por gurët në duar, shkelmat, grushtet apo edhe sendet e tjera të forta nuk janë mjete të panjohura në futbollin shqiptar. Në këto 28 vitet e fundit në Superligën shqiptare, por edhe në kategoritë inferiore kemi parë shumë raste të rrahjes barbare të lojtarëve, arbitrave, presidentëve kundërshtarë, apo edhe zyrtarëve të FSHF-së. Fenomeni i dhunës në stadiumet shqiptare është bërë i pandarë me futbollin tonë në gjithë këto 28 vite tranzicion dhe ky dënim për Kamzën tingëllon disi i vonuar. Më poshtë po ju rendisim 10 raste të dhunës ekstreme që kanë ndodhur në Superligën dhe kategoritë më të ulta në futbollin tonë, ku kemi parë edhe armët të shkrepen në fushën e blertë.

Në vitin 2006 janë dy raste të dhunës barbare në stadiume. Në Peqin pas ndeshjes Shkumbini-Partizani, presidenti i klubit të kuq aso kohe, Albert Xhani do të sulmohej me sende të forta dhe grushte nga tifozët peqinas. Dënimi për Shkumbinin ishte vetëm pezullimi i fushës me 6 ndeshje pa tifozë. Po në vitin 2006 në Burrel në ndeshjen e skuadrës së këtij qyteti përballë Erzenit u sulmua brutalisht Sulejman Mema. Ky i fundit ishte në rolin e vëzhguesit në këtë ndeshje dhe ra pre e një sulmi barbar, prej të cilit klubi i Burrelit do të rrëzohej një kategori më poshtë nga Komisioni i Disiplinës.

Dy raste dhune shumë të forta në futboll regjistrohen edhe në vitin 2008. Në ndeshjen e kategorisë së parë, Tepelena-Pogradeci arbitri i ndeshjes u sulmua aq rëndë me mjete të forta, saqë përfundoi në spital për disa ditë rresht. Pamjet nga ajo ndeshje ishin të rënda, me uniformat e policisë që u detyruan të qëllonin në ajër për të larguar tifozët nga fusha e lojës. Po në këtë vit gjatë ndeshja Butrinti – Memaliaj u shndërrua në një arenë dyluftimi dhe për ato akte klubi sarandjot u dënua me dy vite pezullim nga çdo aktivitet futbollistik.
Një ngjarje pak a shumë e ngjashme me atë që ndodhi pak ditë më parë në Kamzë ishte ajo e Cërrikut në vitin 2009. Në ndeshjen e Tërbunit me Kastriotit, drejtuesit e ekipit cërrikas zbritën në fushë dhe sulmuan arbitrat. Për këtë veprim në atë përiudhë Tërbuni u zbrit një kategori më poshtë. Në vitin 2010 protagoisntë dhune ishin sërish Butrinti dhe Memaliaj. Por këtë herë do të bëhej dhunues ekipi i minatorëve, duke goditur barbarisht futbollistët sarandjot dhe zyrtarët e ndeshjes. Dënimi për ekipin e Memaliajit ishte i ngjashëm me atë që mori Butrinti në vitin 2008, 2 vite pezullim nga çdo aktivitet futbollistik.

Në vitin 2011 dhuna u ngjit në Kategorinë Superiore. Gjatë ndeshjes Laçi-Kastrioti zyrtarët e klubit kurbinas zbritën në fushë duke dhunuar arbitrin e ndeshjes dhe zyrtarët e tjerë. Për Laçin në atë vit dënimi ishte me vetëm me 6 pikë minus në tabelë dhe pezullimin e fushës deri në fund të kampionatit. Ekipi i parë që do të rrëzohej nga Superliga për shkak të dhunës ishte Bylisi në vitin 2014. Gjatë ndeshjes Bylis-Laçi do goditeshin me sende të forta zyrtarët e ndeshjes, por edhe futbollistët e ekipit kundërshtarë. FSHF-ja e zbriti një kategori më poshtë ekipin mallakastriot dhe në atë kohë presidenti Kapllanaj u përjashtua përjetë nga çdo aktivitet futbollistik. Në këtë vit dhuna do të prekte edhe një nga ndeshjet emblematike të futbollit shqiptar, Vllaznia-Tirana. Përballja e dy ekipeve në “Loro Boriçin” e vjetër u kthye në një arenë të vërtetë lufte mes dy tifozerive.

Në vitin 2015 dhuna sërish do të bëhej e rëndë në Librazhd. Gjatë ndeshjes Sopoti-Luftëtari u dhunua arbitri i ndeshjes. Dënimi për klubin librazhdiot ishte me 6 pikë minus në tabelë. Në vitin 2016 përveç futbollistëve dhe arbitrave, për herë të parë në fushën e lojës pamë dhe forcat e ndërhyrjes së shpejtë të policisë. Gjatë ndeshjes Korabi-Kastrioti, dhuna precipitoi dhe nga shkallët e stadiumit vërshuan gurët dhe sendet e forta në drejtim të lojtarëve krutan e zyrtarëve të ndeshjes. Korabi u ngjit atë vit në Superligë, por nuk luajti asnjë ndeshje në shtëpi, pasi e kishte fushën të pezulluar. E njëjta gjë po në vitin 2016 ndodhi edhe në ndeshjen Pogradeci-Luftëtari. Në fundin e ndeshjes, me ekipin gjirokastrit që kishte siguruar ngjitjen një kategori më sipër fusha e stadiumit të Pogradecit u shndërrua në një arenë përleshje mes futbollistëve dhe tifozëve.

Por dhuna në stadiumet shqiptare që duket sikur është kthyer në traditë nuk është vetëm një histori e largët e sezoneve të shkuara. Edhe këtë edicion të Superligës shqiptare kemi pasur disa raste, kur dhuna ka zbritur në fushën e blertë. Që në start, në ndeshjen Skënderbeu-Partizani, tifozët hynë në fushë. Ishte ndeshja e parë që policia nuk ishte brenda në stadiume dhe çdo gjë shkoi si mos më keq. Përtej kësaj, dënimi nga FSHF për këtë rast do të ishte minimal, vetëm duke pezulluar me pak ndeshje pa tifozë stadiumin e Korçës. Dhuna nga ana tjetër do të vazhdonte edhe më pas në ndeshjen Kukësi-Laçi. Arbitri i ndeshjes ra pre e sulmit të tifozëve kuksian me shishe uji, por edhe këtë herë reagimi i FSHF ishte vetëm me një gjobë për klubin verilindor. Së fundmi, vetëm pak javë më parë në mes të Tiranës, në ndeshjen Partizani-Flamurtari u regjistrua rasti më i freskët i dhunës. Fotografi i klubit vlonjat u sulmua nga tifozët e klubit kryeqytetas dhe reagimi i FSHF ishte sërish me gjobë. Këto raste deri diku, jo shumë të rënda dhe dënime e lehta nga FSHF duket se ishin si parapërgatitje që sollën tek dhuna ekstreme në Kamzë. Kamza nuk ishte rasti më i rëndë i dhunës në futbollin shqiptar, por mori dënimin e rëndë të merituar, që në fakt do duhej dhënë që në krye të herës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë