Futboll

Rekordi i çuditshëm i futbollit shqiptar, 26 trajnerë për 10 skuadrat e Superiores

Nga Gazeta 'Si'- Dy javë kanë mbetur nga edicioni i veçantë i Superligës shqiptare, i cili për herë të parë ka testuar dhe po provon një kampionat me dy fitues… I pari, në përfundim të 36 javëve, që duket të jetë Egnatia tashmë, për herë të parë në histori që e mbyll një sezon në vendin e parë, por pa mundur të marrë titullin kampion, pasi këtë titull, do t’i duhet ta luajë në dy ndeshjet e fundit të ‘Final Four’, faza finale, ku vendi i parë do të luajë me vendin e tretë dhe vendi i dytë me të katërtin, për të zhvilluar më pas një finale dhe nga ku do të dalë skuadra kampione.

Megjithatë, nëse flasim për një sezon të ri me risi, dhe me një skuadër që nuk e ka parë asnjëherë më parë veten në krye, ka diça që mbetet e vjetër për ne, madje unike, bëhet fjalë për shkarkimin dhe emërimin e trajnerëve.

Në këtë sezon, Superliga jonë me 10 skuadra ka përdorur 26 trajnerë, po, po, e lexuat mirë, 26 trajnerë për 10 skuadra. Duket si një përllogaritje e gabuar, apo diçka që nuk shkon, por në të vërtetë është thjeshtë tradita jonë, apo tradita e presidentëve tanë të paduruar.

Në kampionatin tonë rekordi është tashmë i atij apo atyre presidentëve, të cilët mbajnë dhe rezistojnë dhe e mbyllin sezonin me të njejtin trajner. Dhe këtë edicion që mbyllet pas dy javëve, dallojnë Egnatia dhe Skëndërbeu, të cilët e filluan dhe po e mbyllin kampionatin me të njëjtin trajner, respektivisht me Edlir Tetovën rrogozhinasit dhe korçarët me serbin Ivan Gvozdenoviç.

Ndërkohë rekordin më negative e mbajnë dy skuadrat veriore, Kukësi, i cili ka zyrtarizuar rënien nga Kategoria Superiore pas 12 vitesh dhe Laçi që është në përpjekje për t’i shpëtuar “play-out”-it, me nga 4 trajnerë secila skuadër të ndryshuar.

Verilindorët e filluan kampionatin Rahman Hallaçin, për të vazhduar me Stavri Nicën, Emiljano Çelën dhe tani po e mbyllin me Bledar Devollin, ndërkohë që kurbinasit gjithashtu e filluan sezonin me Stavri Nicën, për të vazhduar me Skerdi Bejzaden, Mirel Josën dhe tani Armando Cungun.

Pas tyre me nga tre trajnerë vijnë skuadrat më me traditë të futbollit tonë si Tirana, Partizani dhe Vllaznia, ndërkohë që Teuta e mbyll këtë kampionat, me shpresa dhe shanset për të qenë në katërshen me dy trajnerë, Diego Longon në fillim dhe më pas Edi Martinin që po e mbyll kampionatin.

Shifra të çuditshme, që padyshim na bëjnë të vendosim një rekord ekskluziv për futbollin shqiptar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë