Dosje

Dëmet nga zjarret, 360 milionë lekë çdo vit

Një helikopter cougar vërtitet në qiell. Në tokë dhjetra ushtarë me lopata dhe mjete rrethanore si shkarpa dhe shkopinj përpiqen mes tymit të dendur të ndalojnë përparimin dhe vrapin e flakëve që shpejtojnë të gllabërojnë gjithçka. Banorët luten për shi e ndonjëri prej tyre është arrestuar. Një skenë që përsëritet përvit por këtë verë ministri i mbrojtjes Niko Peleshi shfaqet herë pas here në ekrane dhe jep informacion të përditësuar që ngjan sikur kërkon të përçojë se po bëhet gjithçka dhe se reagimi është i atypëratyshëm. Në të vërtetë Shqipëria aktivizoi këtë verë veçse dy helikopterë, një tjetër u mor nga privati me nënkontraktim. Kurse dërgimi nga të huajt i dy helikopterëve u prit me bujë mediatike.

Në të vërtetë në këto operacione ndërhyrjeje shkresat tregojnë se vendi ynë në gjendje zjarresh ka kapacitet ndërhyrjeje 7 helikopterë. Askush nuk përgjigjet se përse nuk u përdorën të gjithë dhe ku gjenden. Pajisjet e tjera mungojnë, zjarrfikëset janë të pakta. Ndaj në male shpresa mbetet tek krahët e efektivëve të ushtrisë të mbledhur nga repartet ushtarakë. Panoramë dëshpëruese që tregon edhe njëherë se përballë fatkeqësive natyrore për secilën stinë, me dimrin që sjell përmbytje dhe dëborë që bllokon fshatrat dhe verën që sjell zjarret, insitucionet shqiptare vijojnë të jenë në kuadrin e improvizimit dhe tepër larg strategjive të stërholluara që egzistojnë në dokumenta dhe ku ndajne zë më zë veprimet e secilit nga institucionet duke nisur nga përpjekjet parandaluese deri tek evakuimi i banorëve. Evakuimi i banorëve në disa fshatra u konceptua veçse një lutje e ministrit të mbrojtjes që disa herë u shfaq në media duke kërkuar largimin e banorëve.

Në letra çdo gjë është në rregull

Midis këtyre teknikave rezulton, sipas vëzhgimit të Gazetasi.al, se zyrtarisht nga vitit 2014 deri në 2020 u aplikua projekti Fire–Prep (Improved Forest FIRE PREParedness in Greeçe and Albania” në Programin IPA Bashkëpunimi Ndërkufitar (CBC), projekti tjetër që u aplikua është “TO BE READY” në Programin Trilateral Interreg ltali- Shqipëri-Mali i Zi, si dhe ai për forcimin e kapaciteteve të strukturave operacionale të mbrojtjes civile në mjete, pajisje dhe burime njerëzore në vlerën prej 30 milionë euro, financuar në formë kredie/hua nga Qeveria Italiane dhe ndërtimi i Godinës se re të AKMC(Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile), me fond 3.000.000 (tre milion) Euro në formë grandi. Të gjitha këto të lënë përshtypjen se ne jemi gati. Por Shqipëria reagoi shtatë ditë me vonesë për zjarrin e ndezur në Karaburun dhe askush nuk ka një përgjigje përse ndodhi diçka e tillë, teksa mijëra hektarë me shkurre dhe kafshë të egra u shfarosën nga zjarret.

Agjencia, ministria dhe pyjet…

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile thuhet për Gazetasi.al se ka shtatë drejtori, më e rëndësishmja ajo e zvogëlimit të riskut dhe fatkeqësive dhe parandalimit, teksa katër qendra të mbrojtes civile përfshijnë qarqet që janë konceptuar si vijon: Shkodra, Kukësi dhe Lezha e kanë qendrën në Shkdër, Tirana, Durrësi dhe Dibra me qendër në Durrës, Elbasani, Berati dhe Korça me qendër në Korçë dhe qarqet Fier, Vlorë dhe Gjirokastër me qendër në Fier. E konceptuar deri në qelizë se si reagohet në raste përmbytjesh, zjarresh apo dhe tërmeti, dokumentat tregojnë kapacitetet përkatëse me aq detaje sa edhe numërimi i çdo force apo mjeti si përdorimi i 13 copëve buldozera dhe eksvatora me zinxhirë për hedhje dherash nga forcat xhenio. Por as në Gjirokastër, as në Vlorë apo qytete të tjera përveç ushtarëve dhe helikopterëve që ngjajnë se improvizojnë një reagim të aty për atyshëm, asnjëra nga shkresat nuk u zbatua dhe sërisht vendi ynë shfaqet i papërgatitur.

Çfarë thonë në shkresa?

Në parashikimin historik të ngjarjeve të shkaktuara nga zjarret, Ministria e Mbrojtes detajon teorikisht në planin kombëtar të reagimit se pyjet në Shqipëri zënë 1045 milionë hektarë dhe se sipërfaqja prej 77 përqind përbëhet prej pyjesh të degraduara me prodhimtari të paktë  (pyje dushku 31,8% dhe shkurret 25,6%).  Këto detaje publikohen në faqen zyrtare.

“Nga këto, rreth 900.000 ha=86% të sipërfaqes janë pyje prodhimi dhe rreth 140.000 ha ose 14% janë pyje mbrojtëse. Llojet kryesore të drurëve janë: pisha, dushku, ahu, bredhi dhe lloje të tjera gjethegjera. Gjatë dy dhjetëvjeçarëve të fundit, zjarret në pyje në Shqipëri janë shtuar si numër, por është rritur, gjithashtu, edhe përmasa e sipërfaqeve të prekura”, thuhet në strategjinë kombëtare.

Çfarë ka ndodhur me zjarret?

“Më 1999-2001-në, të dy treguesit janë mbi karakteristikat mesatare për vendet mesdhetare. Shkaqet kryesore të zjarreve janë pakujdesia e njerëzve, djegia për kullota dhe natyrore (rrufetë). Shumica e dëmeve ndodhin në pyjet halore. Rreth 65 për qind e popullsisë së Shqipërisë jeton në zona rurale dhe varet kryesisht prej veprimtarive të bujqësisë ekstensive dhe blegtorisë. Keqpërdorimi i pyjeve nga njerëzit (i shoqëruar me shpyllëzimet gjatë viteve të kaluara) dhe praktikat e kullotjes, pa dyshim, janë shkaktarët e pjesës më të madhe të shkatërrimit të pyjeve. Kullotja e pakufizuar dhe zjarret e pakontrolluara, të shkaktuara aksidentalisht dhe shpesh për shkak të djegies me qëllime pastrime kullotash, vijojnë të ndodhin në vend. Për periudhën 1989/98, raporti ndërmjet sipërfaqes pyjore të djegur dhe sipërfaqes së vendit ishte rreth 2,19; për periudhën 1998/2001 është rritur në 5,66. Që nga viti 1992 në Shqipëri është rritur ndjeshëm rreziku i zjarreve në pyje, duke arritur kulmin në vitin 2000. Dëmet e korijeve, të shkurreve e të kullotave dhe humbjet e lidhura me to janë dëme të fushës “vijohet më tej në planin kombëtar të emergjencave duke përshkruar se vendi ynë mesatarisht çdo vit humbet nga zjarret 360 milionë lekë që janë dëme të drejtpërdrejta ekonomike”.

Shkalla e këtyre humbjeve kërkon vëmendjen e të gjitha subjekteve të interesuara, duke përfshirë edhe shërbimet e emergjencës civile. Denduria e zjarreve të pyjeve në Shqipëri ndryshon gjeografikisht duke qenë më e lartë në rrethin e Vlorës (vjetore 50 zjarre/vit) dhe më e vogël në rrethin e Kuçovës (një rast/vit). Por pavarësisht se aty detyrat dhe si reagohet janë të mirëpërcaktuara duke nisur nga ato të lëna ndaj drejtorisë së përgjithshme të pyjeve për vënien në punë të sistemit të vrojtimit dhe sinalizimit, zjarrëvënësit nuk u parandaluan dot dhe sërisht kriza e zjarreve tregoi se për izolimi e flakëve reagohet në formë amatoreske.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë