Politike

Dekreti i dytë i Metës ngre shtet paralel dhe fut vendin në kaos

Kur nxorri dekretin për anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit, dilemat mbi pasojat që do të kishte ky vendim i Ilir Metës mbi krizën politike ishin të mëdha. Presidenti e shoqëroi vendimin me arsyetimin se kështu po u jepte kohë palëve me shpresën se po i detyronte ato që të uleshin në tryezën e bisedimeve.

Lexo edhe:
- Ironia e Metës me 30 qershorin: Shijoni zgjedhjet socialiste, si në 1982
- Meta shkruan letër: I dashur Edi, ti paktet i ke bërë me Berishën
- Rama: Revolucionarët në grahmat e fundit, Meta më çoi letër dashurie me kod

Nga një pjesë e analistëve Dekreti Presidencial u cilësua si akt që do të zbuste krizën. Por, mazhoranca e cilësoi juridikisht joekzistent këtë dekret dhe vazhdoi përpara si me fushatën, ashtu edhe me përgatitjet për zgjedhjet e 30 qershorit dhe dilemat u shuan shpejt. Dekreti i Metës, në vend të ujit, i kishte hedhur benzinë zjarrit të krizës politike.

Nëse për atë dekret pati dilema, për dekretin e dytë të Presidentit, pra atë të vendosjes së 13 tetorit si data e re e zgjedhjeve, nuk ka asnjë pikëpyetje: ky dekret përshkallëzon krizën politike dhe institucionale, ngre shtet paralel dhe e fut vendin në ujëra të palundruara më parë, edhe në periudhat më të vështira të tranzicionit 30-vjeçar shqiptar.

Për çfarë pasojash bëhet fjalë? Mazhoranca nuk ka ndërmend që të tërhiqet nga zgjedhjet e së dielës dhe për këtë ka edhe një mbështetje të fortë të ndërkombëtarëve. Njëri prej tyre, zv.ndihmëssekretari për Europën dhe Azinë në Departamentin e Shtetit në Uashington, Matthew Palmer e tha qartë se SHBA pret që jo vetëm zgjedhjet të mbahen më 30 qershor, por ato të jenë edhe të qeta dhe pa incidente. Pjesa e parë e mesazhit të tij është një sinjal i përforcuar për socialistët që të mos tërhiqen nga 30 qershori, ndërsa pjesa e dytë një mesazh drejtuar opozitës, ndaj të cilës SHBA pret që të mos e minojë procesin.

Por, edhe nëse zgjedhjet do të mbahen të qeta edhe në ato bashki të kontrolluara nga opozita, procesi vetë pritet që të fusë në një tjetër hulli përplasjen. 30 qershori do të nxjerrë emrat e kryebashkiakëve të rinj edhe në ato bashki që sot kontrollohen nga opozita. Opozita nuk i njeh këto zgjedhje dhe për rrjedhojë as produktin e tyre. Kjo do të thotë se me dekretin e Ilir Metës në dorë që anulon zgjedhjet e 30 qershorit, drejtuesit dhe administrata e bashkive të opozitës do të refuzojnë lirimin e zyrave dhe duke iu referuar dekretit të dytë të Ilir Metës do të deklarojnë se zgjedhjet janë më 13 tetor.

Pra, përplasja e pushteteve në nivel qendror, do të transferohet me një tjetër vrull në pushtetin vendor. Kjo situatë mund të nxjerrë jashtë funksionit bashkitë, duke u pamundësuar atyre ofrimin e shërbimeve bazike për qytetarët, siç është ai i ndihmës ekonomike apo të tjera shërbime që kryen ky pushtet.

Qeveria mund të përdorë forcën për të vënë në krye të detyrës kryebashkiakët e dalë nga zgjedhjet e 30 qershorit, por kjo do të rrezikonte të përshkallëzonte krizën nga një krizë mes mazhorancës dhe opozitës, në një përplasje civile të mbështetësve të saj. Një zgjidhje tjetër do të ishte edhe bllokimi i fondeve. Me taksat vendore bashkitë e kanë të pamundur që të ofrojnë shërbimet bazë për qytetarët e tyre. Kjo mund të ndizte edhe më tej përplasjet.

E gjithë kjo panoramë e zymtë nuk premton një zgjidhje të shpejtë të krizës politike, përkundrazi. Në këtë situatë nuk ndihmon as interpretimi sipas interesit politik të Kodit Zgjedhor, Kushtetutës dhe të ligjit për vetëqeverisjen vendore. Drejtuesit e opozitës thonë se asnjë ligj nuk është pengesë për qëndrimin e këtyre kryebashkiakëve në detyrë pas 30 qershorit, ndërsa mazhoranca pretendon të kundërtën.

Këto pasoja duhet t’i ketë menduar Presidenti Ilir Meta kur nxorri dekretin e ri të shpalljes së 13 tetorit si datë e re zgjedhjesh vendore. Këtë herë, ndryshe nga dekreti i 10 qershorit me të cilin anuloi zgjedhjet e kësaj të diele, Presidenti nuk e interpreton aktin e tij si një mundësi që u jepet palëve për dialog. Në vend të kësaj, ai iu drejtua Edi Ramës përmes një letre publike, ku i kërkonte që të reflektojë.

Por, edhe nëse Edi Rama do të tërhiqej në minutë të fundit nga organizimi i zgjedhjeve më 30 qershor dhe të njihte Dekretin e Presidentit dhe 13 tetorin si datë të re zgjedhjesh, sërish nuk premtohet zgjidhje e krizës. Vetë Partia Demokratike tërthorazi nuk e njeh këtë datë të re të Ilir Metës. Lulzim Basha përsëriti të enjten në mbrëmje kushtin e opozitës se nuk ka as negociata dhe as zgjedhje me Edi Ramën Kryeministër.

Ky është rrethi vicioz në të cilin vazhdon të rrotullohet prej muajsh tashmë kriza politike shqiptare dhe pas këtij dekreti të Ilir Metës, xhirot e këtij rrethi janë përshpejtuar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë