Lajme

Rama: Revolucionarët në grahmat e fundit, Meta më çoi letër dashurie me kod

Ndërkohë që presidenti Meta ka dekretuar një datë të re zgjedhjesh, kryeministri Edi Rama vijon turin elektoral në Himarë.
Në fjalën e tij para himariotëve, kryeministri hodhi një lumë akuzash ndaj presidentit Meta për caktimin e datës së re të zgjedhjeve. Presidentin Meta tashmë e ka cilësuar si një nga udhëheqësit e revolucionit imagjinar.
“Haxhi Qametaj s'di se çfarë bën me dekretet e tij, s'di çfarë vulos. Janë vulat e panikut, e dëshpërimit dhe të grahmave të fundit të një revolucioni imagjinar që që nga dje e ka selinë në Presidencë”, tha ndër të tjera kryeministri Rama.
Sa i përket letrës që presidenti i dërgoi kryeministrit Rama, ai tha se bëhej fjalë për një letër dashurie me kod, pasi sipas tij ajo letër erdhi pasi u dogj KZAZ në Shkodër.
“Baba Xhikja që më kishte çuar dhe një letër mbrëmë, një letër dashurie që çuditërisht e çoi pasi u dogj KZAZ në Shkodër. Reflekto Edi se e sheh ça po ndod. Një letër dashurie me kod”, tha Rama.
Lidhur me shtyrjet e zgjedhjeve, Rama bëri një krahasim me shtyrjen e zgjedhjeve nga Ramiz Alia, por sipas tij ndryshimi qëndron në ngritjen e popullit gjë që s’po ndodh tani.
“Ramiz Alia i shtyu zgjedhjet se ishte Shqiptaria e ngritur për të ndryshuar sistemin, se kështu si erdhi puna sot edhe Bujar Nishani krahasuar me Baba Xhikën na duket se Xhefersoni, edhe Ramizi na del burrë shteti që i shtyu. Po këtu ku është populli që është ngritur, populli i atyre familjarëve të kreut të bashkisë së Vaut të Dejës që hedh gurin dhe fsheh dorën apo atyre punonjësve bashkiakë që i mori në qafë një hileqar një i pabesë, një burrë që pi raki në klub dhe njerëzit e tij i çon burgjeve, ja këta janë”, u shpreh ndër të tjera kryeministri Rama.
Kreu i qeverisë e ka cilësuar 30 qershori si ditën e ndëshkimit të opozitës që i cilëson si karnavale. Po ashtu përsëriti edhe njëherë që do të ndëshkohen të gjithë ata që kryejnë krime elektorale.
“30 qershori është dita e ndëshkimit të këtyre karnavaleve që shkojnë si çetat e enveristëve.
Një dallgë që nuk është sa vetë do marrin pjesë në votim, por është një dallgë që do i marr përpara këta. Sa u përket atyre të djeshmëve që u ra zjarri në dorë dhe dogjën KZAZ te Vau i Dejës dhe sot janë pranga, do të akuzohen për shumë vepra penale, do të mbeten brenda dhe kur të dalin do rrinë brenda këtu, nuk do kapërcejnë më kufirin as për të shkuar në Mal të Zi e jo më tej sepse kriminelët e zgjedhjeve janë njësoj të rrezikshëm si çdo kriminel tjetër”, tha Rama.
Gjatë fjalës së tij, Rama ka falënderuar publikisht ish-ministrin Damian Gjiknuri për gjithë punën e bërë për këtë qark si dhe kreun e bashkisë së Himarës.
Sa i përket Himarës, kryeministri tha se "është në transformim e sipër për atë që ne duam të jetë Himara". Sipas tij, 4 vjet më parë ishte një Bathore në buzë të mrekullisë së Jonit, pa asnjë lloj infrastrukture.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë