Analize

Rënia e opozitës dhe udhëheqja e Metës, të gjithë hapat e krizës

17 Shkurt 2019

Opozita PD-LSI merr vendimin e madh për të djegur mandatet e deputetëve, për të braktisur Kuvendin. Opozita vendos kushte për zgjedhje të reja të përgjithshme përmes një procesi që do të kalojë nga largimi i Edi Ramës si Kryeministër, krijimi i një qeverie të përkohshme që do të krijojë garancitë, sipas opozitës, për zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Opozita organizon protesta kombëtare, shpesh herë të dhunshme dhe nuk pranon asnjë fomë dialogu me qeverinë pa largimin e Ramës.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian dënojnë djegien e mandateve dhe i bëjnë thirrje deputetëve të listës të marrin vendet e lëna bosh. Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian dënojnë dhunën në protesta dhe kërkojnë që partitë organizatore të protestojnë paqësisht, duke e konsideruar protestën si e drejtë themelore, por dhunën si të papranueshme. Shtetet e Bashkuara të Amerikës i bëjnë thirrje partive të opozitës që vetë të protestojnë qetësisht dhe të lënë ata që duan të marrin pjesë në Kuvend të vazhdojnë punën normalisht.

Mars 2019

Presidenti i Republikës reagon për herë të parë një muaj pas vendimit të opozitës për djegien e mandateve dhe pas disa protestave të saj përpara Kryeministrisë dhe Kuvendit. Ilir Meta thotë se debati bëhet në institucione, por qeveria duhet të tregohet e përgjegjëshme ndaj kërkesave të opozitës, protestave dhe protestuesve, disa prej të cilave i konsideron shqetësime të drejta. Ilir Meta thotë se është gati të sakrifikohet si Aliende për të mbrojtur demokracinë në vend.

Mars-Prill

Opozita vijon protestat kombëtare, herë të dhunshme, herë më paqësore. Pas djegies së mandateve të deputetëve, opozita thotë se nuk do të marrë pjesë në asnjë palë zgjedhje me Edi Ramën kryeministër duke përgatitur edhe bojkotin e zgjedhjeve lokale në 30 qershor. Shtetet e Bashkuara përmes zëvendësndihmës sekretarit amerikan të Shtetit thonë se Metju Palmer kritikon ashpër në Tiranë vendimin për djegien e mandateve, i bën thirrje opozitës të marrë pjesë në jetën politike, dënon dhunën e protestave dhe kërkon pjesëmarrjen e saj në zgjedhjet lokale. Shtetet e Bashkuara thonë se do të njohin zgjedhjet lokale dhe nëse opozita nuk merr pjesë dhe se do të bashkëpunojnë me të zgjedhurit e ri lokal pas 30 qershorit, edhe nëse ata janë të gjithë socialistë.

Presidenti i Republikës Ilir Meta i pyetur vazhdimisht për qëndrimin e tij lidhur me krizën politike, kritikon ashpër qeverinë, thotë se opozita ka të drejtë në një pjesë të kërkesave, por se ai është i pafuqishëm për të ndërhyrë pasi i ka ezauruar të gjithë mundësitë dhe palët me qëndrimet e tyre, opozita me kërkesën për të mos u ulur me Edi Ramën dhe Edi Rama me qëndrimin e tij injorues për kërkesat e opozitës. Në këtë kontekst, Ilir Meta thotë se ai nuk mund të bëjë asgjë tjetër vetëm se të bëjë thirrje palëve për përgjegjshmëri, duke patur parasysh dhe proceset integruese të vendit.

Maj 2019

Opozita vijon protestat përpara Kryeministrisë, Kuvendit, Drejtorisë së Policisë, një herë të dhunshme, një herë jo me kërkesën “Rama Ik”. Policia vazhdon të shpërndajë protestat duke përodur gaz lotsjellës. Protestat mbyllen me të plagosur nga policia pas përdorimit të mjeteve piro-teknike dhe protestues me probleme për shkak të gazit. Presidenti dënon teprimin e në përdorimin e gazit nga policia, viziton në spital vetëm Sait Dollapin. Qeveria dhe ambasadat e huaja dënojnë dhunën ndaj policisë me bomba molotov dhe mjete piroteknike. Opozita vendos përfundimisht të bojktojë zgjedhjet lokale, duke deklaruar se nuk ka zgjedhje në 30 qershor dhe se nëse mazhoranca do të shkojë në zgjedhje në atë ditë do të ketë përplasje civile. Edi Rama dhe mazhoranca deklarojnë se do të shkojë në zgjedhje dhe në KQZ rregjistrohen së bashku me partitë aleate dhe një numër partish të vogla të djathta, përfshirë edhe partinë më të re të krijuar nga fraksionimi i PD-së, Bindjen Demokratike. Edi Rama thotë se pranon të dialogojë gjithçka me opozitën me përjashtim të 30 qershorit, që është një datë kushtetuese. Afati i fundit kushtetues për zhvillimin e zgjedhjeve, i dekretuar rregullisht nga Presidenti i Republikës. Edi Rama thotë se është i hapur të flas me Lulzim Bashën për gjithçka, por jo me kushte, sepse nuk mundet të negociojë pushtet në tavolinë dhe se largimin e tij e vendosin zgjedhjet jo bisedimet.

Qershor 2019

Shumica fillon fushatën zgjedhore, opozita vijon protestat dhe përplasjet. Ambasadat e huaja dënojnë dhunën. 

8 qershor 2019

Opozita lajmëron protestën më të madhe kombëtare, sipas saj, ku fjalët kanë mbaruar dhe tani fjalën do ta thotë vetëm sovrani. Shtetet e Bashkuara të Amerikës vënë gishtin mbi Lulzim Bashën dhe Monika Kryemadhin si përgjegjës nëse protesta do te ketë qoftë edhe një akt dhune. Dy orë më pas Ilir Meta vendos të hyjë në fushë dhe thotë se ka dekretuar anullimin e zgjedhjeve, domethënë ka dekretuar anullimin e dekretitt tij. Opozita deklaron fitore dhe shpërndahet. Edi Rama thotë se Ilir Meta shkeli kushtetutën, sepse Presidenti nuk ka asnjë kompetencë për zgjedhjet me përjashtim të asaj për të dekretuar datën e zgjedhjeve brenda afatit kushtetues, afati i fundit i të cilave është 30 qershori. Ilir Meta thotë se arriti në këtë konkluzion pas një argumentimi juridik, politik e llogjik. Lulzim Basha thotë se mbështet Ilir Metën, thotë Rama ik, por nuk thotë nëse do të marrë pjesë në zgjedhje nëse Meta shpall datë të re.

Rama thotë se ndodhi ajo që pritej, Meta u rreshtua në frontin e të keqes për t’i shpëtuar fytyrën Lulzim Bashës dhe bashkëshortes, në shkelje të Kushtetutës dhe se mazhoranca do të nisë procedurën e shkarkimit të tij. Ditë më pas, shumica miraton në Kuvend një rezolutë me 100 vota për shkarkimin e Presidentit, hapi i parë i procesit. Ilir Meta thotë se Kuvendi është ilegjitim dhe nis proccedurën ligjore për t'u mbrojtur në Gjykatën Kushtetuese, kur ajo të krijohet dhe kur shkarkimi i tij të diskutohet në gjykatë. Ilir Meta thotë se vetëm gjykata Kushtetuese mund të rrëzojë dekretin e tij, por qeveria thotë se dekreti i Metës është thjesht një akt administrativ dhe jo kushtetues. Ilir Meta thotë se zgjedhjet duhen anulluar, ndërsa Bashkitë e PD-LSI nisin aksionin për mbrojtjen e dekretit të Ilir Metës. KQZ rrëzon dekretin e Metës dhe vijon përgatitjen e zgjedhjeve në 30 qershor. Ilir Meta thotë se po mban shënim ata që shkelin ligjin. Në disa KZAZ ka tensione. Mbështetësit e PD-LSI djegin një shkollë në Shkodër, thyejnë disa zyra zgjedhore ne Kukës e Tropojë. Opozita lajmëron protestë Kombëtare, Edi Rama vijon fushatën me prita dhe protesta. Shtetet e Bashkuara bëjnë një deklaratë ku nuk përmendin më togfjalëshin parti të opozitës, por organizime dhe kërkojnë që t’i qëndrojnë larg dhunës. Lajmi tjetër është se udhëheqësit e opozitës paralajmërohen se janë një hap shpalljes në listën e zezë të SHBA si organizime të dhunshme e terroriste. Protesta kombëtare kthehet në koncert-miting në 21 qershor. Java e fundit e fushatës karakterizohet nga heshtja e LSI-së, kthesa e Lulzim Bashës me thirrje vetëm për bojkot dhe paqe relative në pritat ndaj Edi Ramës. Monika Kryemadhi nuk flet, Lulzim Basha duket i dorëzuar, Ilir Meta vendos të udhëheqë. Në 27 qershor në kulmin e krizës, Ilir Meta dekreton 13 tetorin si datë e re zgjedhjesh. Kolgjei zbardh vendimin për rrëzimin e dekretit të Presidentit, duke intepretuar se akti normativ është i pavlefshëm. Edi Rama thotë se 30 qershori mbetet dhe se kjo është çmenduria e fundit e katërshes që i trembet reformës në drejtësi. Ndërkombëtarët thonë se njohin 30 qershorin. E dëgjuam pak sot, por nesër pritet që vulën ta vendosin Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me zë dhe figurë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë