Edmond Prifti – Nëse thua “Korçë”, të vijnë ndërmend direkt kalldrëmet, shtëpitë e vjetra, sokakët, serenatat apo karnavalet, apo edhe “bre-të”, nga pas çdo fjalie. Njihen si kurnacë, ashtu si edhe gjirokastritët, por realisht shprehja “Kur erdhe? Kur do ikësh?”, përdoret shpesh nga korçarët, si një shprehje për të përgatitur një lakror nga ata që lëpin gishtat, apo për të sajdisur mikun e tyre të shtrenjtë, me gjithçka çfarë munden për aq kohë sa do rrijë në atë qytet të bekuar, në atë qytet që njihet ndryshe edhe si “Parisi i vogël” apo “Qyteti i muzeve”.

Por ky qytet, njihet edhe zyrtarisht si qyteti që “ka vulën zyrtare” të “xhiros”, në Bulevardin Republika që në vitet ’20. Korçën e gjen ngaherë të bukur në çdo stinë, ashtu si edhe vetë korçarët, si dikur edhe sot, ashtu edhe femrat korçare si të tilla, (ngaherë i mendoj korçarkat me kokoridhe) rrugicave të kalldrëmta të këtij qyteti. Edhe vetë Fan Noli ka thënë për ta një shprehje të bukur: “Do për punë një korçar, i ke bujq e ustallarë, Për qejf bashkë hapur venë/Krahë e kokë s’u kanë të sharë”.
Korça ka mbetur e fiksuar edhe në shumë fotografi të vjetra të viteve ‘20-‘30, nga Gjon Milli (fotografi i famshëm mik i Picasos), sot me një muze tek Shtëpia Rumune në qendër të Korçës, Vani Burdës (fotografit të femrave korçare), Kristaq Sotirit nga Mborja e Korçës (“Studio Sotiri” në Korçë në vitin 1923).

Korça përveç atyre që dini mbahet edhe si qyteti i parë ku u zhvillua edhe konkursi i bukurisë femërore. Mjafton të shohësh foton e famshme të “Pandës”, në vitin 1927 dhe do të kuptosh se Korça është e dashur dhe me njerëz të paparë. Që asokohe, femrat uleshin së bashku me burrat… (Vitet ’20 hë… ku një pjesë e Shqipërisë mbante ferexhe). Kështu që ishte normale që në vitet ’30, në Korçë u organizua edhe konkursi i parë i njohur në Shqipëri, i bukurisë femërore, apo siç e njohim ndryshe sot “Miss Korça”.

Shkrimtarja dhe udhëtarja Edit Durham kishte vizituar në vitin 1904 Korçën. Ajo mbeti e mahnitur! Por Korça ishte bërë që nga viti 1644 një rrugë tregtare, pasi Porti i Durrësit ishte mbyllur dhe të gjithë udhëtarët bënin rrugën Elbasan-Korçë-Sojadhë-Korfuz-Venedik, ndërsa në Pazarin e Korçës bliheshin prodhime blegtorale, zejtarie, e shiteshin stofra të sjella nga Venediku. Sipas dokumenteve të vitit 1712, edhe vetë banorët e Voskopojës kishin shkuar tek mjeshtrit e Kazasë së Korçës, ku kishin mësuar zejet e rrobaqepësisë, këpucarisë e farkëtarisë. Kështu pra, Korça nisi të bëhej rivale e tregjeve të tjera, aq sa konsulli i Austrisë në Janinë, albanologu Han do të shkruante “… Tani në kohët e fundit po bëhet Korça që është në lulëzim e sipër, një konkurrent i rrezikshëm i Janinës për sa i përket tregtisë me viset e veriut… Pozita e saj, ku kryqëzohen shumë rrugë kryesore, është shumë e përshtatshme për tregtinë, ndaj tregtarët e Janinës kanë filluar të shqetësohen”.
Ndërsa sipas Karmicit, “Korça është depoja natyrale e Selanikut dhe Stambollit, e pjesërisht e Janinës, duke i përhapur prodhimet industriale dhe natyrale të Evropës e të kolonive siç janë stofrat e ndryshme, sheqeri etj, në tërë periferinë e Shqipërisë Juglindore”. Duke u rikthyer edhe njëherë tek Edit Durham ajo përmend se, “…Korçarët më pritën shumë mirë dhe u entuziazmuan me planin tim për udhëtimet me kalë nëpër Shqipëri. Familjet ku shkova ishin të gjitha shqiptare, shtëpitë ishin të rehatshme dhe të rregulluara me shije”. Edit Durham kishte dhënë në librat e saj dhe vlerësimet e famshme për qytetin e Korçës, të cilat kanë mbetur të paharruara: “Korça është një qytet që të habit, është i pastër, shumë i pastër, madje qyteti më i pastër që kam parë në Perandorinë Turke, me rrugë të drejta të shtruara mirë, pa qen, e plehra nëpër këmbë…”.

Korça në histori
Mjafton pakëz që të kuptosh se Korça është qyteti nga ku vijnë shumë prej personazheve të famshëm që sot janë në piedestalin e vlerave e historisë së kombit – nga ky qytet i dashurisë, serenatave, artit e birrës së famshme, por edhe i kërnackave, që ja vlen ta vizitosh në çdo stinë të vitit. Madje edhe atëherë kur temperaturat ulen ndjeshëm në stinën e dimrit, në Korçë, do të gjesh ngaherë dashuri e strehëza të ngrohta, ku meloditë e kitarës së serenatave të ngrohin shpirtin. Kjo zonë ka rrënjët në lashtësi. Deri në vitin 650 p.e.s. fushëgropa e Korçës udhëhiqej nga një dinasti e Mbretërisë Ilire.
Gërmimet arkeologjike rreth qytetit të Korçës kanë zbuluar një arkivol të shekullit II-të e.s., i cili tregon të gdhendur figurën e dy farkëtarëve ilirë, duke punuar hekurin në kudhër. Vlen të përmendet Tuma e Kamenicës, fakt që tregon banimin e kësaj zone në epokën e bakrit. Sipas Enciklopedikut Shqiptar thuhet se, “Korça gjendet në trevën e fisit ilir të Enkelejve, në rrëzë të Malit të Moravës, në lartësinë 869 metra mbi nivelin e detit”.

Krahina e Korçës, ra nën sundimin e perandorit bullgar Boris në vitin 853. Ai formoi në këtë zonë njësinë administrative të emërtuar “Kutmicevicë”, që në shqip do të thotë “Tokë e porsa pushtuar”. Forcat bullgare qëndruan deri në vitin 1018. Kisha e shekullit të IX-të, e rindërtuar në shekullin e XIV-të ka fillesat e para, ndërsa Iljaz Bej Mirahori njihet si themeluesi zyrtar i këtij qyteti (djali i një prifti, Ilia Parariti). Ky qytet u themelua në fshatin Peskopje më 1496, pikërisht nga Mirahori, që ishte pjesëmarrës në pushtimin e Konstandinopojës në vitin 1453, duke u shpërblyer kështu nga Porta e Lartë me prona të shumta, – njëherazi vali i Vilajetit të Janinës. Në ato vite kur filloi të lulëzohej Korça, nga familja Mirahori, në Pazar gjendeshin 16 hane, ndërsa sot qëndrojnë në këmbë vetëm 4 prej tyre. Qyteti nisi të lulëzojë akoma më shumë, pas bastisjes së Voskopojës nga osmanët, në vitin 1788. Nga dokumentet e vitit 1510, nga Gjon Muzaka, pas pushtimit turk të Shqipërisë shkruhet se, princi Andrea Muzaka që arriti të merrte titullin e lartë Sebastokrator në vitin 1280-1281, e se aty ka pasur edhe një kala… (Nga “Paleologët tek Muzakajt”).

Megjithatë, shekulli i themelimit zyrtar të këtij qyteti njihet si shekulli i XV-të, nga Iljaz Bej Mirahori, në formën e një qyteti modern të kohës. Një tjetër fakt i rëndësishëm se, “pse Korça u konsiderua si franceze”, është se, gjatë Luftës së Parë Botërore, zhvillimet në Frontin e Maqedonisë bënë që qyteti të binte shpejt nën kontrollin francez (1916-1920). Gjatë kësaj kohe, katërmbëdhjetë përfaqësues të Korçës e Kolonel Deskoini, nënshkruan protokollin që shpallte krijimin e Republikës Shqiptare të Korçës, nën mbrojtjen ushtarake të ushtrisë franceze dhe me president, Themistokli Gërmënjin.
Valuta e përdorur qe Franga dhe Skënderi i Korçës. Disa zëra thonë se Korça, e mori emrin “Parisi i vogël”, pasi aty u ndërtua Liceu Francez i Korçës. Megjithatë e përfundimisht, Korça u bë pjesë e Shqipërisë në 1921, kur Komisioni Ndërkombëtar i Kufijve, riafirmoi kufijtë e vitit 1913. Gazeta italiane “Il giornale dell’architettura”, përmend ditë më parë se, “…çdo moment historik ka lënë gjurmën e vet: elementët e derivacionit Lindor dhe Ballkanik, që bashkohen me një ndjeshmëri të tipit perëndimor në një qendër të ekspozuar ndaj kërkesave të shumta kulturore – atyre Greke, Turke, Rumune, Franceze, por edhe të Amerikës së Veriut dhe Italisë – që gjejnë një sintezë të mrekullueshme edhe në “këngën urbane të Korçës”.

Personazhet tanë të “Le petit Paris”
Fill pas të famshmit “Majestik” të Korçës, marr rrugicat që shkojnë përpjetë e të çojnë në lagjet më të vjetra të Korçës (në fakt ndërtesa të tilla mbi 100-vjeçare, i gjen ngado në këtë qytet). Aty takojmë Elisaveta Rizën, e ish-profesoren, Ermioni Andrean, të cilat na flasin gjerë e gjatë për Korçën e djeshme, e atë të sotmen.
“Një pallat vetëm me gra jemi…dhe veçse një familje është e re”, thotë Elisaveta Riza. Më tej, Riza na rrëfen se pastrimi i sokakëve ende vijon në Korçë për çdo mëngjes, e po ashtu edhe petkat dhe zahiretë, teksa vijon bisedën me katër mikeshat e saj përreth, të ulura aty pranë në karriget e drurit, – përballë me hyrjen e pallatit të stilit sovjetik të viteve ’60. “Jemi një kolektiv shumë i mirë”, thotë ajo, teksa na tregon hardhitë sipër, si një tarracë natyrale, ndërsa bëjnë vetë edhe rakinë madje… “I ndajmë madje bashkërisht”, – thotë ajo, ndërsa vijon se, “edhe suvatimin e pallatit njësoj. I ruajmë ende traditat ashtu siç rrinim dikur nëpër sokakë, e tani rrimë në oborr”. Kur e pyet se sa ka ngelur nga Korça e djeshme në atë të sotmen, thotë se, “fëmijët duan fast-food-e, e jo petkat”. Kur e ngacmon më shumë a dalin korçarkat thotë: “Ne e ruajmë këtë traditën që dalim e llafosemi këtu jashtë”.

Ermioni Andrea thotë një shprehje: “Karriget që flasin”, për arsye se për çdo ditë aty jashtë ndodhen karriget prej druri. “Flasim për problemet tona”, – vijon ajo, “E reja ka të mirën dhe të ligën e vet, pasi jemi si një juri kur kalon…”, ndërsa po aty të drejtojnë dorën për nga një burrë i moshuar mbi 90-vjeç, i cili kujdeset për vreshtin e pallatit. “Dalim që në 6-të të mëngjesit dhe fillojmë punët në shtëpi pas orës shtatë e gjysmë. Duhet të mbajmë trupin që të na mbajë”, thotë ish profesorja e drejtoresha, Ermioni Andrea. Më tej, takojmë dhe ish-profesorin e Histori-Gjeografisë, Esat Qose, që na rrëfen për Korçën duke shkuar në pikën më të lartë, atë pranë ish-kampit të Punëtorëve të Korçës, apo kodra “Partizani”, siç njihet ndryshe nga korçarët.
“Lagjet e vjetra e ruajnë ende traditën e vjetër. Brezi ynë e ruan, por brezi i ri e ka të vështirë ta ruajnë këtë traditë. Ne mundohemi t’ua kultivojmë të kaluarën dhe për të mirat e asaj kohe. Karakteristikë është se Korça është e pastër dhe është ndërtuar në mal, mbi 900 metra në nivelin e detit, këtu ku jemi…është për shëndet dhe ajri na mban, ndërsa kur vijmë andej nga ju në Tiranë, nuk marrim dot frymë”. Esati, po ashtu na flet për Pazarin e Vjetër që dikur ishte me “rroba Gabi”, e sot Korça ka një vlerë, “…një diçka që t’i kujtojë brezave Korçën e dikurshme, apo anën e bukur të Korçës. Edhe ne kemi pasur dikur, qytetërim…”.

Fjalorth “pe Korçe” bre lalkë!
Korça njihet si qyteti i shkollës së parë shqipe, i kulturës, serenatave, karnavaleve, por është edhe qyteti i fjalëve e shprehjeve lokale mbase më të pasura në Shqipëri, i “kë”-ve dhe “ushka”-ve, që i shtohen çdo fjale.
Mos mu bëj si francezkë! – Mos më bëj sikur nuk di!
Bobo mos korbeckë! – Bobo moj e shkretë!
Më ngeli peronkë! – Mu bë fiksim!
Ik o se tu futa me lepitkë! – Mu hiq sysh se të godita me shapkë!
Më je bërë si Xhuvi i dasmave – Njeri që futet kudo pa qenë i ftuar
Kokoridhkë – Kacurrulese
Mi ke turinjtë si pezhishkë! – Mi ke turinjtë si rrjetë merimange

Gjeneza e një emri
Në Korçë, ndodhej ndër kishat më të vjetra në Shqipëri me emrin “Shën Gjergj”, e jo rastësisht lumi aty pranë prej nga buron emri i lumit “Devoll” dhe i zonës përreth, dikur në lashtësi, ky lumë zbriste nga malet e larta “Bora-ava”, që quhej nga romakët Propilion. Në periudhën bizantine e pushtimeve bullgare ky lum u quajt: “Eordei” dhe zona përreth sigurisht që mori këtë emër të shenjtë: “Di Eordei” – prej nga ku kemi, emrin më fillestar të qytetit “Korçë”, – “Di-Eordei”, që prej turqve u shkrua e u shqiptua “Djordjë” – apo me emërtimin e parë shqip: “Xiorxè”, – që do të thotë vend i begatë, i ulët, toka “Ar” – ara buke drithi-dritë, “Xixë” (Di/or-xë) ashtu fiks si “detyra” e Shenjtit “Shën Gjergji”.
Sipas Perikli Ikonomit, në studimet e tij, “Lumi i Devollit quhej ‘Lumi i Zotit’”, pasi ai lum shkonte në drejtim të malit të shenjtë të Tomorit dhe ka qenë i lavdëruar edhe nga perënditë e këtij mali. Sakaq, në testamentin e Gjon Muzakës të viti 1510, ekzistojnë disa përkthime siç është ai në gjuhën frënge, ku pranë fjalës “Korça” është vendosur në kllapa emri “Djordja”, sepse emri i Korçës shënohej “Gjortscha” nga turqit në gjuhën arabe, e në frëngjisht “Gueuridje”. Në turqisht, ky emërtim jep të njëjtin kuptim “Djordje”, që përkthehet “shiko e shko” – apo ndryshe “fushëpamje” – “ara tokë buke”, ku edhe fushë-gropa e Devollit të Madh u njoh me emrin Korça, – “Korçë”, e përmendur në regjistrin turk të Korçës e Përmetit, në vitet 1431-1432.

Po ashtu, gjatë pushtimeve bullgare dhe në hartat e vjetra shkruhet lumi “Eordei”, ndërsa malet e larta aty pranë të quajtur “Bora”, apo “Borava” (mali Morava, sot) dhe Debora – Devolli sot… Gjithashtu, fshati “Mborje” ka po të njëjtin kuptim “i bardhë borë”, – në këtë fshat ku edhe sot duken gërmadhat e një vendbanimi të lashtë, – ndërtime tipike të pellazgëve (Kalendari Kombiar 1898).

Kuriozitete
Korça kishte ujësjellës dhe kanalizime të ujërave të zeza që në vitet 1750. Rrjeti i ri i ujësjellësit dhe kanalizimeve që përfundoi në vitin 2010 u zbatua nga një kompani siciliane.
Plani i parë rregullues për qytetin e Korçës daton rreth vitit 1850. Në atë kohë në Ballkan, plan rregullues kishte vetëm Athina (1832). Plani rregullues i viti 1850, udhëhoqi ndërtimet në Korçë për gati 100-vite, duke e transformuar Korçën nga një qytet mesjetar kaotik, në një qytet të rregullt me tipare të theksuara perëndimore. Korça ishte qyteti i parë që kishte mjek në shekullin e XIX-të.
Pija tradicionale e familjeve korçare ka qenë vera dhe jo birra. Korça prodhonte një nga verërat më të mira në Ballkan deri në ndërtimin e “Birra Korçës”, kur pas investimit italo-shqiptar u shkatërruan, vreshtat e Voskopit.
Që në vitet 1930, Korça ka pasur të parën bibliotekë publike në Shqipëri e një ndërtesë të ngritur posaçërisht për të. Në vitet 1970, në Korçë u projektua dhe u ndërtua e para ndërtesë për bibliotekë publike në Shqipëri e ndërtuar nga regjimi komunist, duke e bërë Korçën me dy biblioteka publike. Sot Korça, nuk ka asnjë bibliotekë publike dhe asnjë ndërtesë posaçërisht për të.

Në Korçë në vitet 1920-30 bëhej një “xhiro” apo shëtitje e mbrëmjes përgjatë bulevardit “Republika”, ku qytetarët pasi dilnin me veshjet e tyre më të mira, vërtiteshin lart e poshtë 15-20 herë, duke përshëndetur njeri-tjetrin po aq herë. Gjatë kohës së komunizmit kjo “xhiro” u kthye në traditë dhe u përhap edhe në qytete të tjera.
Në vitet 1920-30, nëse dikush dashuronte një vajzë e kishte zë të mirë, merrte një kitarë dhe këndonte pranë shtëpisë së saj disa këngë. Një zë – një kitarë. Kjo ishte serenata që njohim ne. Sot, çdo mbrëmje deri në 01.00-02.00 pas mesnate, në bulevardin “Republika” dhe në disa sheshe që menaxhohen nga Bashkia, ndotja akustike nga altoparlantë të fuqishëm shkon mbi 100-110 decibelë, e barabartë me atë të një koncerti rock (60-70 decibelë norma e lejueshme)
Korça ka 40 hotele e bujtina, 60 restorante, mbi 120 kafene dhe asnjë shkollë profesionale për hoteleri, kulinari, kamerierë, apo shërbime turizmi.

Përreth Korçës së bukur
Katedralja e Korçës dhe statuja e luftëtarit kombëtar
Katedralja së bashku me luftëtarin kombëtar, vepër e babait të skulpturës shqiptare, Odhise Paskalit, janë simbole të padiskutueshëm të Korçës së bukur. Qyteti e rrethinat, janë të pasura me monumente natyre dhe po ashtu kulturore e fetare. Megjithatë, Katedralja “Ringjallja e Krishtit”, që zë një sipërfaqe prej 1800 metrash katrorë dhe lartësi prej 28 metrash, u ndërtua në vitin 1992, mbi rrënojat e Katedrales së Shën Gjergjit, e cila gjatë revolucionit kulturor të 1968-ës u shkatërrua nga themelet. Dikur në atë vend ishte edhe hyrja e tregut të qytetit ose fundi i bulevardit me të njëjtin emër “Shën Gjergji” (sot pedonalja). Kisha e parë e rrënuar, u shkatërrua në vitin 1875, e Mitropolia e Shenjtë e Korçës mblodhi ndihma si dhe fonde nga pasuritë e saj, duke ndërtuar në vitin 1881 kishën e re, më të madhe e të bukur të “Shën Gjergjit”. Dita e Shën Gjergjit festohet për ta përjetuar ndarjen e dimrit e ardhjen e stinës së verës. Ajo fillon në datën 5 maj, e vijon deri më 15 maj.

Festa karakterizohet me lojëra të shumta, me fluks të madh të shqiptarëve në fusha të gjëra, pranë livadheve, Vakëfeve (Bakefeve), Tyrbeve, apo dhe të tjera vendbanime të lashta, – ku gjurmët e saj shkojnë larg në lashtësinë ilire, atëherë kur ata besonin në shumë perëndi fizike e natyrore.
Ndërsa “Statuja e Luftëtarit Kombëtar” në Korçë u ndërtua për patriotët korçarë që u organizuan dhe morën pjesë për çlirimin e vendit nga pushtuesit osmanë midis viteve 1906-1912. Skulptori i shquar shqiptar, Odhise Paskali, e përjetësoi veprën e tyre me një monument kushtuar Luftëtarit Kombëtar që zbret nga mali në vitin 1933.
Luftëtari kombëtar i Korçës quhet Nexhip Bënja (Hysaj) nga Bënja e Këlcyrës, Përmet. Ai ka luftuar me çetën e Çerçiz Topullit dhe Mihal Gramenos, Hajredin Tremishti në luftën kombëtare kundër turqve. Përpara se ti bashkohej çetës së Çerçizit, ai ishte komit apo kaçak, që sulmonte karvanët turq.

“Birra Korça” dhe “Panda”
Projekti i birrës më të famshme që pimë edhe ne sot, “Birra Korça”, u hartua nga një projektues italian në vitin 1928, me vendim të parlamentit të asaj kohe e me miratimin e Mbretit Zog i I-rë, me dokumente të firmosura nga Pandeli Evangjeli, Mit’hat Frashëri, e avokati Mano. Fabrika e birrës filloi ndërtimin në Korçë, në tetor të vitit 1929. Ajo u themelua nga investitori italian Umberto Umberti (600.00 franga ari) nga Venecia dhe e Selim Mborjes (350.000 franga ari) nga fshati Mborje i Korçës. Fabrika, filloi të prodhonte birrë bionde, të zezë, ujë “Kristal” dhe akull, me anën e proceseve teknologjike të prodhimit të birrës nga inxhinieri teknolog gjerman Hebard Geraldine, – proces që ruhet edhe sot.
Në vitin 1942, filloi edhe ndërtimi i fabrikës së prodhimit të maltos, që përfundoi në vitin 1943. Pas Luftës së Dytë Botërore, e me vendosjen e pushtetit komunist në Shqipëri më 11 janar të vitit 1946, fabrika “Birra Korça” u shtetëzua, bazuar në ligjet në fuqi.

Kafeneja “Panda”, apo siç njihej “Klubi i Osmanllinjve” (pronësi të Pandë/Pandi Osmanlliu, me emrin “Klubi i Osmanllinjëve”) është selia më e hershme intelektualëve të Korçës. Ajo ka pasur emrin “Panda”, që këtu e një shekull më parë. Pas vitit 1920, u bënë përpjekje për t’ia ndërruar emërtimin, (“Parajsa”) por rezultoi e pamundur, pasi asnjë emër tjetër nuk ngjiti te korçarët. Aty ndryshe nga sot, luhej teatër, këndoheshin këngë, recitohej, vinin muzikantë e prestigjiatorë për të shpalosur talentin e tyre, bëheshin mbledhje për vëllazërimin, e të gjitha komuniteteve që jetonin në qytetin e Korçës, ndihmoheshin të varfrit, e shumë aktivitete të tjera, – ndërsa “Banda e Lirisë” ishte gjithnjë e pranishme në ambientet e kësaj kafeneje.

Ajo ishte pronë e Mirahorëve, pikërisht, e atyre që themeluan qytetin e Korçës. Mirahorët kishin edhe një klub tjetër po kaq panoramik, i cili quhej kafeneja “Plakoci”, pasi aty shërbente një plak me mbiemër Koci, i ndërtuar në krye të lëndinës së quajtur “Lëndina e Lotëve”, pronë e Mirahorëve, ashtu sikurse lulishtja “Themistokli Gërmenji”, “Bregu i Shëndëllisë”, territoret pranë kishës së “Shën Triadhës”, e pjesa te lokali “Valbona”.
Mali i Moravës
Ka plot arsye se përse duhet të vizitoni këtë vigan natyror që arrin deri lartësinë e 2042 metra (Maja e Badaroshit). Ashtu si statuja e Krishtit është kthyer në simbolin e pagabueshëm të Malit Korkovado, e qytetit të Rio De Zhaneros, Kryqi i madh i bardhë është simboli i Moravës, që shërben si udhërrëfyes për të gjithë besimtarët apo turistët që duan të ngjisin malin. Pranë Kryqit ndodhet dhe Kisha e Shenjtit Ilia, që dominon gjithashtu malin dhe mundëson një rrugëtim shpirtëror të rrallë falë panoramës dhe maleve të shumta që shfaqen ngado. Nëse ja keni kushtuar ditën Moravës, nuk mund të humbisni dhe Parkun Kombëtar “Bredhi i Drenovës”, i cili njihet për burimet e shumta si Burimi i Shën Gjergjit, Pllakës apo Burimin e Pllicës.




Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.