Filma

Cirku Fluturues – Një film homazh për teatrin dhe rezistencën kulturore

Mbresa që lë tek publiku, ndërsa shohin në ekranin e madh të kinemasë imazhin e godinës së Teatrit Kombëtar në një prodhim kinematografik të 2019-s, është pështjelluese. “Ndoshta është filmi i fundit i xhiruar në Teatrin Kombëtar”, rrëfen regjisori Fatos Berisha në konferencën për mediat, në kuadër të festivalit ndërkombëtar të filmit “Dea Open Air”.

Cirk Fluturues ishte filmi me metrazh të gjatë që çeli netët e edicionit të shtatë, në amfiteatrin e vogël të Universitetit të Arteve.Një komedi e zezë, edhe pse skenaristi dhe regjisori Berisha nuk i ka qejf etiketimet, rrëfen aventurat e rrezikshme të katër aktorëve të rinj nga teatri “Dodona”  të Prishtinës që kalojnë ilegalisht kufirin nga Mali i Zi, për të marrë pjesë në një festival teatrosh në Tiranë.

Ishin vitet ’90, shtypja serbe ndaj popullsisë shqiptare në Kosovë ishte realitet, por gjenocidi ende nuk i kishte marrë jehonën ndërkombëtare.Të rinj, naivë, donkishotë ndoshta në ndërmarrjen e tyre, të shtyrë nga ideja se në atë festival teatrosh në Tiranë do të takonin idhullin e tyre, aktorin Michael Palin të “Monty Python”, trupa e komedisë surrealiste në Britani, që krijuan të famshmen shfaqje televizive “Cirku Fluturues i Monty Python”, nga ku duket se ka gjetur frymëzim për titullin regjisori Berisha.

Por filmi në të vërtetë rrëfen regjisori është homazh për dy artistë shqiptarë; aktoren nga Kosova Adriana Abdullahu, e vrarë nga serbët në ditën e saj të diplomimit dhe aktorin nga Shqipëria, Vangjush Furxhi. E para, thotë Berisha, reflekton të gjithë gjeneratën e aktorëve që përjetuan luftën e Kosovës.I dyti, aktori i ndjerë Vangjush Furxhi duket edhe filli që e çoi regjisorin të shkruante skenarin për këtë film, që vetëm pak ditë më parë u vlerësua me “Grand Prix”, në festivalin “War on Screen”, në Francë.

“Kur ngjarja ka ndodhur në realitet, kur ne kemi ardhur në Tiranë”, shpjegon Berisha, për të ndarë faktet nga fiksioni –edhe  pse filmi është mbështetur fort në ndodhinë e vërtetë –,   “Vangjush Furxhi ishte udhëheqës i Festivalit të Teatrove dhe është kujdesur shumë për ne. Ishim shumë të rinj, udhëtimi ynë ishte traumatik dhe ai  u kujdes si për fëmijët e tij.  Qëndruam  një kohë pas festivalit, sepse nuk dinim si të ktheheshim në Kosovë dhe Vangjushi u kujdes të merrnim pasaportat shqiptare e të ktheheshim nga Maqedonia,  sepse po të ktheheshim nga ajo rrugë e rrezikshme  nuk e dimë çfarë do të ndodhte. Vangjushi na dha shpresë dhe një ndjenjë të ngrohtësisë dhe mikpritjes”, thotë Berisha, duke rrëfyer edhe një anekdotë lidhur me filmin, që ka një kastë aktorësh nga Kosova dhe Shqipëria dhe pjesa më e madhe e xhirimeve është bërë këtu. Regjisori rrëfen se u gjend rastësisht në këtë udhëtim në vitet ’90, i ftuar nga miqtë e tij që kishin një shfaqje. “Erdha me ta për të bërë dritat dhe muzikën se teknikët e teatrit kishin frikë”, thotë ai, ndërsa la të birin 4 muajsh, kur u nis në rrugëtimin e rrezikshëm.

https://www.youtube.com/watch?v=dM6-8wFqUgs

Ishte kostumografja Desantila Lika, që ndërsa regjisori i rrëfente ndodhinë me Vangjush Furxhiun, i tha se do të shkonte tek bashkëshortja e aktorit për t’i kërkuar ndonjë fotografi, kështu do të kishin idenë si vishej ai atëkohë.Personazhi i Furxhiut, që në film shfaqet me tjetër emër, interpretohet nga aktori Romir Zalla dhe bashkëshortja e aktorit të ndjerë iu dha madje edhe veshjet e tij. Kështu Zalla mban veshur në film rrobat e vërteta të Vangjush Furxhi.

Filmi që për destinacion të kulmimit të ngjarjeve ka një festival teatrosh, është edhe një homazh për dy institucione të rëndësishme të kulturës shqiptare këtej dhe andej kufirit si Teatri Kombëtar dhe teatri “Dodona”.“Kemi menduar të japim një mesazh rezistence kulture”, do të thoshte Berisha. Dodona e Prishtinës qe vërtet simboli i rezistencës së kulturës, si i fundmit institucion i mbyllur nga serbët në Kosovë.

Regjisori Fatos Berisha në festivalin "War on Screen"

Pavarësisht masave të dhunshme të regjimit serb më 1994-n, teatri vazhdoi punën pa ndërprerë duke u bërë tempull  i kulturës në gjuhën shqipe. Nga ajo kohë deri në vitin 1999 teatri realizoi më shumë  se 400 shfaqje, duke marrë pjesë edhe në një sërë festivalesh.“Dodona ka qenë jo vetëm teatër. Ishte   shtëpi, fakultet, kafeteri, të gjithë jetën komuniteti ynë e ka bërë në Dodonë. Aty kemi jetuar ne”, tha Berisha, ndërsa foli më pas rreth shembjes së Teatrit Kombëtar më 17 maj të këtij viti.

“E kam deklaruar edhe publikisht dhe i qëndroj mendimit tim se, mënyra si u rrënua ka qenë e papranueshme, por është një problem jo vetëm i komunitetit teatror apo artistik, por i të gjithë shoqërisë shqiptare – edhe në Kosovë –se kur ndodhin trauma të madha duhet të reflektojmë të gjithë. Kjo ka qenë një traumë për mua. Pa një reflektim të përgjithshëm nuk do të ketë progres”,  deklaroi regjisori Berisha. Megjithatë Bashkia e Tiranës, një vit përpara se të çonte fadromat në shembjen e godinës 80-vjeçare, ndihmoi financiarisht dhe me leje për xhirim në disa lokacione  të filmit.

Për të mbërritur te premiera absolute në Festivalin e Filmit “Black Nights” në Talin të Estonisë,  Berisha ka zbuluar se iu deshën nëntë vjet për  ta shkruar skenarin.“Fillimisht patëm luftën, pastaj ishte koha për ta shijuar lirinë. Atyre që u ka munguar u duhet pak kohë të ngopen me lirinë. Ashtu edhe ne. E rindërtuam jetën nga zeroja dhe nuk mendova fort tek filmi’, thotë Berisha duke shtuar se megjithëse klishe, i duhej distancë kohore për ta gjykuar e shkruar me objektivitet.“Jam marrë edhe më shumë gjëra të tjera; kam  punuar shumë në televizion, u bëra drejtor i Qendrës kinematografike të Kosovës  dhe nuk kam mundur ta financoj filmin tim, për shkak të konfliktit të interesit dhe këto kanë ndikuar që filmi të vonohet”.

Berisha u konsultua me ekspertë të skenarëve e dramaturgë “për të ardhur në një nivel të kënaqshëm ndërkombëtar për të mos pasur vetëm kontekstin lokal”.Ndonëse titulli për audiencën e huaj çon tek emri i bandës së famshme të humorit “Monty Python”, humori i katër aktorëve Armend Smajli, Tristan Halilaj, Afrim Muçaj dhe Shpëtim Selmani, qëndron vetë duke i kënaqur shikuesit vendas, por edhe joshqipfolësit, ku ndërthuret aventura me aksionin si kalimi ilegal i kufirit me trafikantët e naftës.

“Cirku fluturues”  vjen si bashkëprodhim i tre shteteve, Shqipëri-Kosovë-Maqedoni e Veriut, ndërsa producentja Vjosa Berisha flet për vështirësitë e realizimi.Konceptuar fillimisht me një buxhet prej 500 mijë eurosh, filmi mundi të sigurojë vetëm 225 mijë të tilla, shifër e vogël kjo sipas producentes duke pasur parasysh një “road movie”, xhiruar në tre vende dhe një staf prej 70 personash.

Buxhetin e parë të filmit, rrëfen Vjosa Osmani, e morën nga Shqipëria, megjithëse për shkak të përfshirjes së Qendrës Kombëtare Kinematografike në një proces gjyqësor produksioni i filmit ende nuk i ka marrë paratë. “Të hollat e shpenzuara në një film nuk kthehen kurrë. Nuk kemi aq arkëtime nga shitjet e biletave në kinema, por një lajm i mirë është se së paku filmat shqip zgjojnë interes të madh dhe kohët e fundit filmat e realizuar në Kosovë kanë pasur shikueshmëri të madhe. Kjo na gëzon por na jep një shpresë”, thotë producentja, ndërsa Kosova ka marrë vendimin e hapjeve, sipas protokolleve anti-covid, të teatrove dhe kinemave.

Kur e pyesin nëse i ngjan si kthim i kohëve pas, ku për shkak të një lufte tjetër – asaj me koronavirusin – teatrot janë mbyllur, Fatos Berisha thotë se disa gjëra nuk kanë ndryshuar nga vitet ’90. “Teatri dhe filmi nuk janë në gjendjen më të mirë. Kemi ecur si shoqëri edhe këtu edhe në Kosovë.  Kam  përshtypjen se vëmendja e vendeve tona për teatrin dhe filmin nuk është në nivelin e duhur. Politika krenohet me ne, në suksese ndërkombëtare,  na rrahin shpatullat, por harrojnë të mbështesin”, thotë Berisha, duke përfunduar me një shprehje të Winston Churchill, kur gjatë Luftës së Dytë Botërore diskutohej mbyllja e teatrit, ai tha: “Atëherë përse po luftojmë?!”/ S.B


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë