Taksa

Cilat taksa ‘ngriu’ qeveria nga ndryshimet që kishte parlajmëruar

Nga Gazeta 'SI' - Në Komisionin e Ekonomisë të 6 shtatorit, i parë për sezonin e vjeshtës, ministrja e Financave tha se do të shtyhet miratimi i çfarëdo lloji takse përfshirë në strategjinë afatmesme, për një moment të dytë. Kjo për shkak të krizës energjitike, çmimeve të larta dhe disbursimit të paketës së emergjencës për shtresat më në nevojë.

Strategjia afatmesme 2022-2026, të cilës iu referua ministrja Ibrahimaj, përfshin një sërë ndryshimesh në sistemin e taksimit. E para ishte ajo e përfshirjes së më shumë subjekteve në skemën e TVSH-së dhe reduktimin e përjashtimeve. Sipas studimit të bërë nga MFE, TVSH-ja është burim kryesor të ardhurash në vend dhe përjashtimi i një pjese shumë të madhe mallrash e shërbimesh nga kjo shkallë, i ka sjellë shtetit 80 mld lekë humbje.

Pjesë e kësaj skeme, sipas dokumentit, do të ishin edhe shërbimet private të shëndetit dhe arsimit, primet e sigurimit të jo jetës dhe në shitjet e banesave rezidenciale, me normën e 20%.

Në dokument shkruhet dhe se disa produkte importi, do të rifuteshin në skemën e TVSH-së. Po ashtu sugjerohet rishikimi i pragut të futjes së profesioneve të lira në skemën e TVSH-së, nga 10 mln lekë që është. Kjo sepse, sipas studimit, disa nga këto profesione e deformojnë këtë prag dhe shmangin pagesën e taksës.

Në dokument parashikohet edhe rritja e bazës së tatimit mbi të ardhurat, pa përcaktuar një shifër dhe unifikimin e normës tatimore të tatimit mbi fitimin për të gjitha bizneset.

Një tjetër pikë është ajo e eleminimit të skemës së kompensimit për fermerët dhe vendosja e mekanizmave subvencionues. Gjithashtu edhe rikthimi i TVSH-së për inputet bujqësore, por e reduktuar nga 20 në 10%, sepse, përfitimet nga heqja e saj kanë shkuar tek importuesit dhe jo fermerët, sipas Strategjisë. Unifikimi i nivelit të akcizës për produktet verë dhe birrë duke eliminuar diferencën ndërmjet prodhuesve të vegjël dhe prodhuesve të mëdhenj, është një tjetër ndryshim i parashikuar nga Ministria.

Disa nga këto ndryshime janë diskutuar më herët gjatë vitit dhe nuk janë mirëpritur nga grupet e interesit. Ndryshimet në përfshirjen e skemës së TVSH, profesionet e lira dhe rritja e tatimit për të ardhurat personale, kanë ngelur ende pezull nga konsultimet e fundit dhe kundërshtitë e shumta. Të tjera si ajo e heqjes së taksave për mjetet e luksit që furnizohen me naftë në Shqipëri dhe vendosja e një takse prej 100 lek/kg për importimin ose prodhimin e qumështit pluhur, janë diskutuar dhe miratuar më herët gjatë vitit 2022, (më vonë taksa e qumështit pluhur u hoq nga pakënaqësitë e prodhuesve.)

Këto janë ndryshimet që vetë MFE ka parashikuar për periudhën  2022-2026, dhe një pjesë të tyre synonte t’i miratonte brenda këtij viti. Gjithsesi, ministrja Ibrahimaj, nuk e përcaktoi se kur mund të jetë “momenti i dytë”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë