Mendim

Çfarë po bën Rama?

Nga Nik Tari - Një ditë pas mbledhjes së Kryesisë së PS-së, Edi Rama filloi me urimet e festave dhe duket sikur nuk është diskutuar asgjë rreth problematikave të fundit. Mbledhja zgjati shumë, u fol shumë, u mendua shumë, u peshua shumë dhe nuk transmetoi asgjë… I gjithë opinioni publik ishte i përqendruar në një rokadë ministrash, vendosje gishti mbi fajtorin, zgjidhje të problemeve të shtruara nga studentët, aferat e fundit që po pushtojnë faqet e para të gazetave…, por nuk doli asgjë nga këto, veç një shprehje ose më mirë të themi 2: “Ne duhet të vetërregullohemi”, sepse e ka fajin opozita që nuk na korrigjon dhe nuk na vë në pozita optimale për të punuar, që nuk na tregon alternativat e saj për të qeverisur më mirë.

Por, çfarë është vetërregullimi në kushtet aktuale? Çfarë ka në dorë për të ofruar opozita, kur nuk ka në dorë as qeverinë, as parlamentin? Ndërrim nuk bëhet fjalë, as në njerëz, as në filozofi qeverisjeje, as në linja, por bëhet fjalë vetëm në përmirësim ose mënyrë sjelljeje. Pra, ka qenë gabim komunikimi i asaj që kemi pasur në mend ose që kemi bërë, sepse njerëzit nuk na kanë kuptuar ose nuk po na kuptojnë. Pra, ne jemi në rregull, është çdo gjë ashtu siç duhet të jetë, ashtu si ne e kemi menduar, ashtu si ne e kemi projektuar dhe normal që alternativat nuk ekzistojnë dhe të tjerët janë në gabim… Problemi i vetëm që na ka dalë është pse nuk na kuptojnë, pse studentët dalin në protesta, kush po i fryn ata? Pse mediat nuk kanë pasur sukses në formimin e opinioneve pozitive?

Këtyre pyetjeve nuk mund t’u përgjigjesh pa pasur një panoramë se si janë studentët e sotëm, janë të njëjtë me ata të 90-ës? Cilat janë masat e sotme dhe pse media klasike nuk ka më fuqinë e disa viteve… Patjetër që këto pyetje nuk mund të kenë përgjigje në një artikull, por një meditim të vogël edhe mund ta provojmë ta bëjmë. Studentët e sotëm janë më shumë, nga shumë shtresa dhe rajone dhe janë shumë më të informuar se paraardhësit e tyre të viteve ‘90. Kanë më shumë të drejta dhe janë më shumë të paduruar, i duan të gjitha dhe shpejt. Kanë miq dhe shokë që janë studentë në realitete shumë herë më të mira se tonat dhe krahasimi me to është imediat. Të gjitha këto e ndërlikojnë situatën edhe për studentët, edhe për qeverinë. Sot problemet fluturojnë në rrjete, krahasohen me realitete që nuk puqen përveçse në një kompjuter ose në një celular, problemet udhëtojnë në autostrada të ndryshme, por janë në horizontal, paralel me njëra-tjetrën, por të ndryshme. Cilësitë e tyre, parametrat dhe kushtet janë komplet të ndryshme, vetëm drejtimi është i njëjtë. Drejtimi i kohës sonë, i demokracisë perëndimore, ëndrra e njëjtë me mjete të ndryshme. Në këto kushte, qeveria e ka pothuaj të pamundur të bëjë të mundur realizimin e aspiratave të studentëve për njehsimin e kushteve me perëndimin e krahasueshëm, por e ka plotësisht të mundur të jetë në lojë për të ndihmuar në mënyrë dinjitoze studentët në rrugëtimin e tyre. Ndihma është te konteksti i vendit që duhet përmirësuar i gjithi, pa dallim fushe prioritare, por mbi të gjitha në mendësi. Sot kryesorja është mendësia. Mendësia për të bërë gjërat, për t’u sjellë, për të punuar, për të qeverisur dhe këtu duhet të shohë veten në pasqyrë kjo qeveri. A është me të vërtetë me mendësinë e kohës? Pikërisht këtu, unë them që studentët kanë të drejtë… Pse nuk funksionojnë më mediat për të paketuar opinione, ide ose mentalitet? Mediat klasike nuk po evoluojnë në drejtimin e duhur për disa arsye të ndryshme. E para nuk janë të pavarura dhe u mungon demokracia brenda vetes për të gjeneruar ide dhe opinione origjinale dhe të pavarura për të krijuar tendenca, ato janë të paketuara nga politika dhe interesat e saj të ngushta për të ushtruar pushtet. Duke qenë të kontrolluara nga politika, nuk janë më afër njerëzve, por sa vjen dhe largohen më shumë. Pjesa më e madhe e tyre vazhdojnë për inerci, inerci që filloi në vitet ‘90 dhe fillimin e viteve 2000, por sot jemi afër 2020, pra forca fizike e tyre është vetvetiu në rënie. Mediat e reja, rrjeti “Facebook”, “Instagram”, etj., po e sulmojnë nga të gjitha anët. Sot njerëzit nuk ulen në divanin e shtëpisë për të parë lajmet, por për të parë celularët e tyre, sipas dëshirës së tyre. Shpejtësia e qarkullimit të lajmeve,opinioneve, ideve sot është në mënyrë të papërshkrueshme. Jemi të gjithë vonë para shpejtësisë së qarkullimit të vërtetë apo të gënjeshtërt, të manipuluar apo të kamufluar, të pëlqyer apo zhgënjyer. Sot lëvizjet popullore bëhen në rrjete. Ankesat bëhen në rrjete, konsensi kërkohet në rrjete. Shitet dhe blihet në rrjete, exit pool bëhen në rrjete, pra gjithçka bëhet aty… Në këto kushte obsesioni për të pasur gjithçka në kontroll, duket i tepërt dhe joproduktiv në një demokraci me prirje për t’u bërë “perëndimore”. Në këto kushte, të zvarrisësh një vendimmarrje, pa ndryshuar mendësinë është si loja e strucit. Nuk zgjidh problemet, nuk ushtron meritokracinë, e lënë të rrjedhë derisa çdo gjë të shuhet vetvetiu pa bërë asgjë… deri në një thirrje tjetër nga rrjeti, me shpejtësinë e papërshkrueshme dhe me të njëjtat probleme që transmetojnë nga një brez në tjetrin me përpikërinë e një ore zvicerane.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë