Ne rrjet

Çfarë ndodhi mes Merkel e Trump në Bruksel?

Nga stafi i Der Spiegel - Të premten në orën 15:15 minuta, Angela Merkel dhe Donald Trump u ulën në të njëjtën tryezë sikur të mos kishte ndodhur asgjë. Sikur Trump nuk e kishte nisur ditën me një gjuhë urryese ndaj Gjermanisë! Sikur nuk e kishte përkufizuar vendin si rob të Rusisë, apo “totalisht të kontrolluar nga rusët”! U ulën sikur Trump nuk kishte shpërthyer në Twitter me akuza të rënda për Gjermaninë me arsyen e vetme sepse Gjermania po refuzon që të bëjë ato që Presidenti amerikan i kërkon.

Në takim të gjitha këto u përmendën përciptazi dhe provoi se fasada triumfon edhe në mes të një përplasjeje serioze. Të dy buzëqeshën, shtrënguan duart dhe thërritën njëri-tjetrin në emër. “Kemi një raport shumë shumë të mirë”, deklaroi Trump. Kur u ulën në karriget e bardha në tryezë nuk po diskutohej më për NATO-n dhe 2 përqindëshi i shpenzimeve të kërkuara nga Shtëpia e Bardhë me këmbëngulje. Tani flitej për Ivankan.

Trump i bëri të fala nga vajza e tij Angela Merkelit, duke i thënë se ajo ishte shumë e impresionuar nga kancelarja gjermane, në një përpjekje për të bërë një kompliment. Në atë moment e gjithë përplasja për raportin brenda aleancës së trans-Atlantiku u zëvendësua nga “të falat e Ivankës”.

Një shfaqje kundër Gjermanisë

Donald Trump e ktheu samitin e fundit të NATO-s në Bruksel në një shfaqje kundër Gjermanisë dhe kundër kancelares së saj – Trump vs Merkel, Trump vs Gjermani. Në kulmin e përplasjeve, Trump shkoi deri aty sa të kërcënojë me largimin e SHBa nga aleanca dhe për dy ditë me radhë ushqeu dyshimet për të ardhmen e NATO-s.

Donald Trump ka treguar që prej zgjedhjes si President i 45-të i Shteteve të Bashkuara se nuk pyet për aleatë, apo partnerë. Po udhëheq një luftë tregtare me Kinën, shkatërroi samitin e G7 në Kanada në muajin qershor dhe ofendoi kryeministrin kanadez, Justin Trudeau si “të pandershëm” dhe “të dobët”.

Trump e Merkel në konferencë për mediat gjatë vizitës së kancelares në Shtëpinë e Bardhë

Megjithatë, Trump nuk ka sulmuar asnjë vend tjetër me frekuencën e bërë ndaj Gjermanisë, pikërisht atë Gjermani që për dekada me radhë është aleati më besnik i Amerikës. Vendi, që në vitet e Luftës së Ftohtë ishte në vijën e parë, duket se tani është shndërruar në armikun numër një për Donald Trump.

Trump shpërthen për makinat gjermane që qarkullojnë në rrugët e Amerikës, iluzionon për një situatë pasigurie dhe krimi alarmant në Gjermani dhe flet me zell kur përmend se sa “të pakënaqur janë gjermanët me qeverinë e tyre”. “Gjermanët po u kundërvihen udhëheqësve të tyre”, deklaron Trump.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara duket se ka një kendvështrim të përzier mes xhelozisë, admirimit dhe zemërimit për Gjermaninë. Ai është i bindur se suksesi ekonomik gjerman është në pjesë të madhe falë aftësisë së tyre në të shkuarën për të përfituar nga ekonomia amerikane në mënyrë të pandershme.

Donald Trump flet për gjithçka dhe e bën gjithçka lëmsh. Përzien tregtinë me mbrojtjen, linjën e gazit Nord Stream 2 me Iranin dhe në qendër të sulmeve të fundit janë shpenzimet e Gjermanisë për sigurinë dhe mbrojtjen. Sipas Trump, gjermanët janë të çarmatosur dhe sigurinë e tyre e kanë të garantuar nga amerikanët, të cilët si shpërblim marrin shumë pak mbrapsht.

“Nuk jemi skllevër të askujt”

Sulmet e vazhdueshme të Trump nuk mund të injoroheshin më në Berlin, madje as nga politikanët më optimistë për marrëdhëniet trans-Atlantike.

“Ne nuk jemi të burgosur, as të Rusisë dhe as të SHBA. Ne i marrim vendimet për buxhetin, energjinë dhe tregtinë të lirë, sovranë dhe bazuar në fakte”, deklaroi ministri i Jashtëm gjerman, Heiko Maas.

Ministri i Jashtëm gjerman, Heiko Maas

Por pse Trump e ka kapur me Gjermaninë mbi të gjitha anëtare të NATO-s? Ndoshta është një miksim arsyesh, një miksim mes fuqisë ekonomike, vetëpërmbajtjes ushtarake dhe krenarisë morale të Gjermanisë që e bëjnë Berlinin një subjekt të tërbimit të Trump.

Ajo që është e sigurtë është se nuk ka asnjë vend që po përballet me frekuencë të tillë sulmesh tani për tani. Kjo u parashikua në pranverën e 2017 nga një raport për politikën e jashtme të Këshillit Europian. “Jo Kina, por Gjermania do të jetë armiku Nr.1 i Donald Trump”, thuhej në të.

“Gjermania mund të jetë shënjestër e sulmeve të tij pasi Donald Trump e sheh të pasur si përfituese të planit Marshall pas Luftës së Dytë Botërore, që e ringriti në një superfuqi ekonomike dhe që tani kjo superfuqi nuk po paguan mbrapsht detyrimet e saj”, thotë Jim Townsend nga Qendra për një Siguri të Re Amerikane.

Historiani Timothy Garton Ash sugjeron që për të kuptuar Donald Trump duhet pyetur Sigmund Freud. Në një intervistë dhënë për Der Spiegel ai argumenton se shpjegimet racionale nuk mund të shterojnë pyetjen se përse Trump po sulmon Gjermaninë. Garton Ash këshillon shpjegimin psikologjik dhe të shkuarën e Donald Trump si një njeri që s’i sheh me sy të mirë gratë e fuqishme, siç është Angela Merkel.

Duke e parë Angela Merkel nga kendvështrimi i mundshëm i Donald Trump, ka disa faktorë që mund të bëhen bashkë dhe të shpjegojnë urrejten e Presidentit amerikan ndaj Kancelares. Së pari, raporti i saj i ngushtë e miqësor me Barack Obaman, paraardhësin e urryer nga Donald Trump, apo ndoshta qetësia epike me të cilën është përballur me Presidentin aktual të SHBA, duke shkaktuar zemërim si në SHBA, ashtu edhe në Gjermani.

“Sulmi ndaj Merkel është thuajse një reagim natyral”

Në shtypin liberal në SHBA, përçmimi i Donald Trump ndaj Angela Merkel e ka ngritur Kancelaren gjermane në një lloj heroine. “Merkel mbron disa vlera liberale, si multikulturalizmi dhe kufijtë e hapur të Europës, duke e bërë atë një antidot politik për Donald Trump dhe sulmi ndaj saj është thuajse një reagim natyral”, shpjegon Stephen Walt, profesor i marrëdhënieve ndërkombëtare në Harvard.

Ish-ambasadori amerikan në NATO, Nicholas Burns

Nicholas Burns, ish-ambasadori amerikan në NATO nuk përjashton se objektivi i Trump është rrëzimi i Angela Merkel. “S’mund të dal në një përfundim tjetër, përveç atij që Trump po përpiqet ta dobësojë. Është aq i përqendruar tek ky mision saqë nuk është në gjendje që të kuptojë e lexojë përfitimet e përbashkëta nga aleanca jonë”, thotë ai.

Trump dhe Merkel janë përplasur disa herë në të shkuarën, por ndasitë nuk janë shoqëruar asnjëherë më parë me nivelin e tensioneve që u shpërfaqën në samitin e Brukselit.

Shfaqja mes Kancelares dhe Presidentit amerikan ndodhi në ditën e dytë të Samitit, në mbledhjen me dyer të mbylluara, megjithëse agjenda e diskutimeve nuk kishte asnjë çështje për t’u përplasur, por vetëm marrëdhëniet me Gjeorgjinë dhe me Ukrainën, ku si Berlini, ashtu edhe Uashingtoni ndajnë të njëjtin qëndrim.

Ilustrim i përdorur nga Der Spiegel për përplasjen Trump-Merkel

Por, Trump ishte i etur për “sherr”. Së pari mbërriti me vonesë në mbledhje dhe fill nisi sulmet se si gjermanët po mashtrojnë amerikanë në tregti, që ka shumë makina BMW në rrugët amerikane, për varësinë nga gazi rus të Gjermanisë dhe që Berlini refuzon të shpenzojë më shumë për ushtrinë e tij.

Trump kërcënon me “shkëputjen”

Takimi ishte standardi i akuzave të padrejta me të cilat Angela Merkel është mësuar tashmë. Por, këtë herë sulmet nuk ndodhën në Twitter, armën e preferuar të propagandës së Donald Trump, por në një tryezë, ku gjermanët u sulmuan përballë të gjithë aleatëve. Ishte një sulm i pashembullt.

Trump iu drejtua të gjitha vendeve anëtare që nuk plotësojnë detyrimin prej 2 për qind të GDP-së, duke u kërkuar që të realizojnë këtë detyrim brenda vitit të ardhshëm. Kërkesa e tij bie ndesh me atë që u arrit në samitin e 2014 në Uells, ku aleatët ranë dakord që të arrijnë shpenzimet në 2 për qind deri në vitin 2024.

Çudia?! Një President amerikan vë në mëdyshje ekzistencën e NATO. Sekretari i Përgjithshëm, Jens Stoltenberg ndërpreu mbledhjen dhe u kërkoi përfaqësuesve të Gjeorgjisë dhe Ukrainës që të largoheshin nga salla, pasi vendet e tyre nuk janë vende anëtare. Në atë moment u bë e qartë për të gjithë se takimi nuk do të kthehej më në shinat e agjendës së parashikuar.

"Mos përmendni fjalën që nis me “U”

Aleatët e Amerikës mbeten të habitur, madje edhe vetë këshilltarët e Donald Trump u sikletosën. Të sulmosh e vendosësh nën presion Gjermaninë është një gjë, por të hedhësh në erë të gjithë NATO-n, kjo është diçka tjetër. Njerëzit e Trump nuk e bënin dot dallimin dhe këshilluan kolegët e tyre nga vendet e tjera që të mos diskutonin në këtë samit marrëveshjen e arritur në Samitin e Uellsit katër vite më parë për shpenzimet.

Barack Obama dhe Jens  Stoltenberg gjatë samitit të NATO-s në Uells, 2014

Merkel kishte planifikuar të dilte në një konferencë për mediat, por plani u anulua. Në vend të kësaj ajo kërkoi një mbledhje të pazakontë të udhëheqësve të NATO-s për t’u përballur me krizën. I gjithë stafi u largua, përveç nga një përfaqësuesi për çdo qeveri. Merkel u shfaq në krah me ministren e Mbrojtjes, Ursula von der Leyen. Trump nuk e respektoi këtë rregull dhe me vete pati ndihmë ekstra. Në sallë qëndroi Sekretari i Departamentit të Shtetit, Mike Pompeo, këshilltari i sigurisë kombëtare, John Bolton dhe zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Sarah Huckabee Sanders.

Merkel dhe Trump u ulën mjaft larg njëri-tjetrit në tavolinën e rrumbullktë, të vendosur sipas rendit alfabetik, nga “A” për “Albania” tek “U” për “United States”. Fjalën e mori Stoltenberg. “Duhet të sheshojmë ndasitë dhe synimi është që NATO të dalë nga samiti me një zotim të qartë”, tha ai.

Këtu e mori fjalën Donald Trump. Të tjerët e kishin në kokë një ide se çfarë mund të deklaronte: më shumë vrer ndaj Gjermanisë. “Pra, ne duhet të mbrojmë Gjermaninë, por ata marrin energji nga Rusia. Ma shpjegoni këtë?! Nuk mund të shpjegohet! Është e pandershme”, tha ai.

E para që iu përgjigj ishte Presidentja e Lituanisë, Dalia Grybauskait. Është e trajnuar në karate dhe në dyluftimin SHBA-Gjermani u rendit në krah të Berlinit. Ajo propozoi që të gjendet një rrugë e mesme dhe shpenzimet të rriten gradualisht, të njëjtën gjë që është nënshkruar në Uells katër vite më parë. Por, ashtu si të tjerët në sallë, edhe ajo nuk dëshironte që të përmendte fjalën “Uells”.

Arsyeja është e qartë: Marrëveshja e Uellsit është nënshkruar nga Barack Obama, ndaj është një marrëveshje toksike për Donald Trump. Kur Presidenti dëgjon fjalën “Uells”, me gjasa i shkon nëpër mend emri i Barack Obamas. Edhe Presidenti francez, Emmanuel Macron e shmangu fjalën “Uells” dhe në vend të kësaj foli për përpjekjet që po bëjnë vendet europiane brenda aleancës së NATO-s. Ai vuri në pah se si industria amerikane e mbrojtjes po përfiton nga fakti që europianët po shpenzojnë më shumë në mbrojtje.

“E dimë që duhet të bëjmë më shumë”

I erdhi radha për të folur edhe Angela Merkelit. Gjermanët, tha ajo, janë duke shpenzuar shumë më shumë se në të shkuarën për mbrojtjen dhe ushtrinë. Përmendi më pas listën e angazhimeve të Berlinit, që në këto ditë duhet ta ketë mësuar përmendësh. Përfshiu propozimin për ngritjen e një qendre logjistike të NATO-s në Ulm dhe qëndrimin 17-vjeçar të ushtrisë gjermane në Afganistan në krah të SHBA, faktin që Gjermania është vendi i dytë me më shumë trupa në Aleancë dhe që ka miratuar tashmë vendimin për të rritur buxhetin për shpenzimet ushtarake në 1.5 për qind të GDP-së brenda 2024.”I kemi duart e zëna vetëm me zbatimin e këtij plani”, tha Merkel.

Angela Merkel dhe Donald Trump gjatë një  takimi publik në Bruksel, në kuadër të samitit të NATO-s

Por, Trump është i paduruar dhe kërkon që shpenzimet të arrijnë 2 për qind që në vitin e ardhshëm. Merkel e quajti të pamundur. “E dimë që duhet të bëjmë më shumë dhe duhet të diskutojmë se në çfarë niveli do të rrisim shpenzimet për pajisje ushtarake, e theksoj, pajisje dhe jo armë”, deklaroi më vonë në një konferencë për mediat, kancelarja gjermane.

Pas Merkel folën britanikët dhe më vonë holandezët. Trump nuk mund të priste në radhë dhe sulmoi sërish Gjermaninë. “Vetëm 1.2 për qind për mbrojtjen?”, pyeti ai, duke iu drejtuar më pas në emër kancelares gjermane: “Angela, kjo është e pamundur!”

Trump iu rikthye çështjes së gazit rus me pretendimin se Gjermania merr 70 për qind të tij nga Rusia, Angela Merkel e kundërshtoi duke thënë se shifra nuk shkon as 40 për qind, ndërsa Trump këmbënguli. “Në SHBA duket sikur Gjermania po copëtohet”, tha ai.

Koha kaloi, ishte mbrëmje dhe momenti vendeve më të vogla të Aleancës për të folur. Ato u rreshtuan me Gjermaninë. Gjatë një pushimi, Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama iu afrua kancelares gjermane. Vendi i tij ishte i vetmi që mori lëvdata nga Donald Trump, por dukej sikur Rama nuk donte të krijonte përshtypjen se Shqipëria, në një farë mënyre, ishte fëmija shembullor i Trumpit.

Në fund, Stoltenberg ndërhyu për t’i dhënë fund mbledhjes. Këshilloi që udhëheqësit të dilnin me një mesazh të përbashkët, që pavarësisht ndasive zotoheshin për të rritur shpenzimet. Vitin e ardhshëm, me rastin e 70-vjetorit të NATO-s do të jetë i mundur matja e progresit që është bërë. Formulimi është evaziv dhe të gjithë e kanë të qartë këtë, por ndoshta ndihmon disi.

Pas samitit, Donald Trump tha në media se Gjermani ishte zotuar për të rritur shpenzimet ushtarake, por ky është një lajm i rremë. Burime pranë Kancelares Merkel thanë se pozicioni i saj nuk ka ndryshuar dhe është ai është i njëjtë me atë që tha në konferencën për mediat. Pra, që ideja se gjermanët po përfitojnë nga amerikanët është një fiksim i hershëm i Donald Trump. Në një intervistë të dhënë për “Playboy” në vitin 1990, Trump ankohej se si të “ashtuquajturit aleatë” po “përfitonin” nga amerikanët. Në intervistë përmendi edhe vende të tjera, por shënjestër kryesore ishte Gjermania Perëndimore e asaj kohe.

Kur u pyet se cili do të ishte vendimi i parë që do të merrte si President, Trump u përgjigj: Do të vendosja një taksë për çdo Mercedes-Benz në rrugët tona dhe ne do të kishim sërish aleatë të mrekullueshëm”.

“Gjak gjerman…”

Ka patur një spekulim të vazhdueshëm që prejardhja e Donald Trump mund të ndikojë tek sulmet e tij ndaj Gjermanisë. Fakti që paraardhësit e tij emigruan nga qyteza Kallstadt, qartësisht nuk ka ndikuar që ai të ketë një lloj tërheqjeje miqësore me vendin e rrënjëve të paraardhësve të tij.

Në rastin më të mirë, Trump ka një marrëdhënie të dyzuar me rrënjët gjermane. Familja e tij nuk ishte fort krenare për origjinën e vet, përkundrazi. Gjatë periudhës naziste, babai i Trump, Fred nisi të deklarojë se familja e tij ishte nga Suedia. Arsyet mund të justifikoheshin në atë kohë, pasi të identifikoje veten si gjerman në mes të shekullit të 20-të në SHBA nuk ishte një gjë që mund të të ndihmonte në biznes, sidomos në Nju Jorkun me një popullsi të madhe hebreje.

Për këtë arsye Trump e ripërsëriti këtë pretendim të të atit në librin “Arti i marrëveshjeve”, në vitin 1987. “The NeW York Times” ka raportuar se Trump e pyeti të atin para publikimit se përse duhet të vazhdojnë akoma të thonë suedezë?”, por nuk dihet se cila ka qenë përgjigjia që ka marrë mbrapsht.

Në vitet ’90, shqetësimi i identifikimit si gjerman ishte zbehur. “Është e vështirë! Babai im nuk ishte gjerman, ndërsa prindërit e babait tim ishin gjermanë, suedeze…në të vërtetë nga e gjitha Europa”, deklaronte ai për Vanity Fair, kur u pyet nëse kishte origjinë gjermane apo jo.

Donald Trump me kryebashkiakun e Nju Jork të asaj kohe në paradën e komunitetit gjermano-amerikan

Në vitin 1999, Trump udhëhoqi në Nju Jork “Steuben Parade”, një event të organizuar nga kominiteti gjermano-amerikan. Përmes një video-mesazhi të publikuar, në momentin që kalon pranë qiellgërvishtësit të vet 69-katësh, Trump Toëer sheh lartë dhe thotë: “Ka qenë një rrugëtim i gjatë që nga Kallstadt. Jam një gjermano-amerikan krenar”.

Në vitin 2015, Trump rikonfirmoi rrënjet e familjes së tij. “Kam një trashëgimi fantastike gjermane. Jam shumë krenar për këtë. Jam krenar që kam gjak gjerman dhe nuk kam asnjë dyshim për këtë. Jam i fortë, i qëndrueshëm dhe i përpiktë. Përfundoj detyrat që i vë vetes në kohë dhe ky është thelbi i gjithë kulturës gjermane”, deklaronte ai në një dokumentar.

Megjithatë, krenaria e Trump për “gjakun gjerman” duket se nuk ka ndihmuar shumë në marrëdhëniet e tij me vetë Gjermaninë dhe nuk ka ndryshuar as qëndrimi i shprehur në 1990 në intervistën për “Playboy”. Prej asaj kohe vazhdimisht ka përsëritur e vazhdon ta bëjë që “amerikanët po tallen nëpër botë për mbrojtjen që u ofrojnë vendeve të zhvilluara pa marrë asgjë në këmbim”.

Marrë nga Der Spiegel


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë