Histori

Çfarë i zhduku harapët?

Historianët dhe arkeologët kanë përcaktuar se deri në vitet 1800 para Erës Sonë, në luginën e lumit Indus, pjesë të Pakistanit të sotëm, ka lulëzuar qytetërimi Harap. Pas kësaj periudhe ata u zhdukën.

Se çfarë e zhduku këtë qytetërim, që për nga urbanistika dhe infrastrukturat e tjera konsiderohen të përparuar po aq sa Egjipti i Lashtë mbeten ende një mister. Shkencëtarët përjashtojnë njëzëri luftën apo konfliktet e brendshme, e po ashtu pjesa më e madhe e tyre përjashtojnë edhe mundësinë e rënies së ndonjë epidemie që zhduku këtë qytetërim. Atëherë çfarë e shkatërroi qytetërimin Harap?

Në 1800 para Erës Sonë, banorët e luginës së lumit Indus braktisën qytetet e fortifikuara dhe të mirëndërtuara, me kanalizime dhe sisteme vaditëse të sofistikuara, për të krijuar disa fshatra në Himalaje. Deri më tani askush nuk ka qenë në gjendje që të shpjegojë këtë migrim të çuditshëm.

“Harapët ishin një qytetërim i zhvilluar. Ndërtuan qytete të mëdha, të mirëmenduara dhe të planifikuar. Ata kishin një rrjet kanalizimesh ujësjellësi dhe vaditëse mbresëlënës. Rrjeti shfrytëzonte rrjedhën e lirë të ujit të lumit”, thotë studiuesi Liviu Giosan nga Instituti i Oqeanografisë, “Woods Hole”.

Rrënojat aktuale të qytetit Mojendo-Daro

Giosan thotë për BBC se ky rrjet u mundësonte që të merrnin të korra të mëdha nga prodhimi kryesisht i misrit dhe orizit. Por, diçka ndryshoi.

“Thuajse të gjitha studimet e realizuara në këtë zonë dalin në përfundimin se në periudhën e zhdukjes së qytetërimit Harap kanë ndodhur disa ndryshime të mëdha klimaterike. Deri në atë periudhë, rajoni kishte një klimë të lagësht të butë. Reshjet e shiut nuk ishin të dendura, por ato shtriheshin përgjatë gjithë periudhës së vitit. Në këtë periudhë dhe në dekadat që pasonin, reshjet në dimër filluan me rrebeshe, ndërsa vera ishte e thatë”, thotë Giosan.

Klima ekstreme nuk favorizonte më kultivimin e kulturave bujqësore. Rrebeshet e dimrit frynin lumin duke përmbytur tokat e qytetet harapiane, ndërsa thatësia e verës thante të mbjellat dhe nisi të shkaktojë mungesë të ujit nëpër qytete.

Përballë këtyre ekstremeve, sipas studiuesit Liviu Giosan, harapianët vendosën të largohen. Një pjesë e tyre u zhvendos në Indinë e sotme, të tjera drejt Gadishullit Arabik, ndërsa pjesa u zhvendos dërrmuese në malet Himalaje.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë