Treg

Çfarë duhet të bëjë qeveria që të ‘shpëtojë’ vajin e ullirit

Nga Gazeta ‘Si’-Shitja rifuxho dhe pa emër e vajit shqiptar të ullirit në tregjet ndërkombëtare duket si një dalje nga kriza e stokut, por mospasja e markës “Made in Albania” krijon kosto afatgjatë.

Për ekspertët e bujqësisë tashmë është momenti më i mirë që Shqipëria të bëhet pjesë e konjukturës ndërkombëtare pas rritjes së ndjeshme të eksporteve që erdhi nga mungesa e vajit në tregjet europiane si pasojë e thatësirës që preku Italinë dhe Spanjën, dy nga prodhuesit më të mëdhenj në botë.

Por, që vaji shqiptar i ullirit të shitet nën markën e tij autoktone në tregjet e huaja dhe të jetë i certifikuar, ata theksojnë se ka shumë punë për t’u bërë jo vetëm nga qeveria, por edhe nga vetë fermerët.

Ilir Pilku, ekspert bujqësie, deklaron se fillimisht për të prodhuar vaj ulliri ekstra të virgjër, një ullishtar i mirë duhet të dërgojë çdo natë ullirin në fabrikë për përpunim, që të mos kalojnë 24 orë.

“Çdo ditë qëndrimi në fermë, vaji në brendësi të frutit humbet 10- 20% të cilësisë, duke rritur aciditetin, pakësimin e elementëve cilësorë si polifenoli dhe pakësimi i aromës. Vaji ekstra i virgjër duhet të jetë i shtrydhur pa nxehtësi të shtuar, pra në temperaturë të ambientit jo më të lartë se rreth 27°C.

Drita është armiku i vajit të ullirit dhe po ashtu edhe nxehtësia, ndaj ai duhet të ruhet në enë inoksi apo enë qelqi të errëta dhe në një mjedis të freskët”, thotë ai.

Megjithatë, ekspertët e fushës theksojnë për Gazetasi.al se rolin kryesor jo vetëm për gjetjen e kanaleve të eksporteve por edhe për krijimin e markës shqiptare duhet ta ketë qeveria pasi aktualisht fermerët prodhues nuk kanë kushte për të trajtuar e ruajtur vajin sipas kërkesave teknologjike që nevojiten.

Çdo ditë qëndrimi në fermë, vaji në brendësi të frutit humbet 10- 20% të cilësisë, duke rritur aciditetin, deklaron Pilku

“Të bëhen analiza laboratorike”

Agim Rrapaj, kreu i Këshillit të Agrobiznesit Shqiptar thotë për Gazetasi.al se është shumë e rëndësishme që të shtohen analizat laboratorike në proces prodhimi në terren për të njohur dhe parandaluar disa nga shkaqet që dëmtojnë cilësinë.

“Nga analizat që janë kryer deri tani na kanë rezultuar mostra me mbetje të ndryshme të pa lejuara dhe të përziera me vajra të tjerë.

Gjithashtu duhet bashkëpunim me Akademinë e Shkencave të Shqipërisë për parandalimin e sëmundjeve, pastrimin nga viruset, si dhe prodhimin e fidanave të ullirit të pastër nga viruset”, deklaron ai pasi vaji nuk mund të tregtohet jashtë nëse nuk përmbush të gjithë standardet.

"Nga analizat që janë kryer deri tani na kanë rezultuar mostra me mbetje të ndryshme të pa lejuara", citon Rrapaj.

“Fabrikat të pajisen me depozita dhe fermerët me NIPT”

Fakti që gjithmonë ka munguar tregu i shitjes i ka gjetur të paorganizuara pikat e përpunimit dhe fabrikat pa depozita këtë vit.

“Fabrikat përpunuese nuk kanë depozita, pasi nuk kanë investuar, duke qenë se ka munguar gjithmonë tregu i shitjes për shitjen e vajit të ullirit. Në këto fabrika, fermerët e dërgojnë ullirin vetëm për ta përpunuar si vaj, të cilin më pas e depozitojnë në shtëpitë e tyre”, thotë Ylli Hajdini i cili ka kompaninë e tij prodhuese të vajit të ullirit, S.E.D Borsh.

Fabrika e përpunimit, sipas tij, nuk kanë investuar në depozitim me qëllim grumbullimin e vajit që përpunojnë fermerët, për shkak të kostos së lartë nga mungesa e fuqisë punëtore, por edhe për shkak të informalitetit të lartë të fermerëve.

“Pjesa dërrmuese e fermerëve nuk janë të pajisur me NIPT, për këto arsye nuk mund të lëshojnë faturë tatimore. Informaliteti i lartë na penalizon tek investimet për të depozituar vajin, pasi nuk mund të eksportojmë vaj të blerë pa faturë”, thotë ai.

Investimet në rritjen e kapaciteteve depozituese synojnë të rrisin kapacitetin prodhues të vajit deri në 50.000 litra për këtë vit sipas ekspertëve.

Kërkesa në rritje i gjeti të paorganizuara pikat e grumbullimit

“Të krijohet skema e bashkimit të fermerëve dhe rajonalizimit”

Skema që do të mund të siguronte zgjidhje afatgjatë për shitjen e vajit në tregjet e huaja, deri tani nuk është arritur, pasi fermerët nuk kanë pranuar të bashkohen.

Ekspertët rekomandojnë se për shkak të fragmentimit të madh të tokës së mbjellë me ullishte është e domosdoshme që fermerët të bashkohen, për të krijuar markën e vajit.

Individualisht sipas tyre është e pamundur që vaji të certifikohet, të kryhen analizat dhe më pas të eksportohet.

“Ullishtat në Shqipëri janë tepër të fragmentuara në toka me nga 100, 200 apo 500 rrënjë ullinj. Për këtë arsye, në tregjet e huaja nuk mund të konkurrohet me sasi shitje të vajit, por me cilësi.

Fqinjët tanë Italia dhe Greqia renditen ndër vendet kryesore në botë për prodhimin e lartë të vajit të ullirit. E vetmja armë e jona është të rritet vlera e produktit.

Tokat e fermerëve janë më tepër në kodër dhe kjo e bën të pamundur shtimin e shërbimeve dhe automatizimit të prodhimit. Kjo sigurohet vetëm nëpërmjet bashkimit të ullishtave, për të prodhuar markën e vajit të ullirit, sipas zonave.

Kooperimi i favorizon të furnizohen, që nga furnizimi me çmim më të ulët të plehut, përdorimin e inputeve të duhura dhe në sasi të caktuar, pasi fermerët do të asistohen me analizat e tokës nga Ministria e Bujqësisë, por do të kenë edhe fabrikën për përpunimin, standardizimin dhe grumbullimin e vajit të ullirit”, ka deklaruar më herët Dhimo Kote, zv.ministër i Bujqësisë.

“Të vijojnë subvencionet”

Vitin e shkuar, për herë të parë në skemën e mbështetjes me naftë falas për fermerët, u përfshinë edhe kultivuesit e ullirit.

Sipas të dhënave nga Ministria e Bujqësisë, naftën pa taksa e përfituan rreth katër mijë fermerë që kultivojnë ullirin nga 34.731 fermerë që ishte totali i përfituesve, me vlerë fond financimi 1.95 mld lekë.

Por për fermerët kanë sugjeruar shpesh se atyre duhet t’u subvencionohet shitja e vajit ekstra të virgjër të paktën 100 lekë për litër, për të mos shitur nën kosto.

Sipas tyre mungesa apo niveli i ulët i mbështetjes dekurajon vazhdimin e angazhimit dhe investimeve në sektorin bujqësor, përfshi edhe rastin e ullirit.

“Duhet patjetër të eksportojmë sepse kemi investuar me vite të tëra në kultivimin e vajit të ullirit, në kultivimin e kultivarëve autoktonë me vlera të larta ushqyese. Mbetet veçse të gjejmë tregjet e duhura”, mbyll Pilku për Gazetasi.al ndërsa thekson se iniciativa duhen edhe nga Shoqata e Prodhuesve të Ullirit e cila sipas tij, në vitet e fundit është bërë thuajse inekzistente.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë