Treg

Vaji i ullirit sivjet më i shtrenjtë

Nga Gazeta ‘Si’ - Pas shitjes të gjithë stokut që kishte mbetur nga mbiprodhimi i vitit të shkuar, një pjesë e konsiderueshme e së cilit shkoi për eksport, fermerët deklarojnë se këtë vit çmimi i vajit do rritet.

Thatësira drastike e prodhuesve më të mëdhenj të ullirit në botë, Italisë dhe Spanjës, çoi në ulje të ndjeshme stokut  të vajit në tregjet europiane duke favorizuar ndjeshëm eksportet shqiptare. Por, sipas tregtarëve çmimi i shitjes nuk i justifikonte të gjitha kostot e prodhimit dhe përpunimit. 

“Këtë vit, një litër vaj është shitur 400 lekë/litër brenda vendit dhe 4 euro jashtë Shqipërisë. Më shumë se sa të përfitonin, shqetësimi  i fermerëve ishte të shisnin vajin që u kishte mbetur stok dhe thatësira e Italisë, i dha një dorë Shqipërisë”, thotë për Gazetasi.al Përparim Yzaj, një fermer i cili ka vite që merret me prodhimin e ullirit.

LEXO EDHE:
- Koha është tani! Vaji i ullirit është para në bankë
- Vaji shqiptar i ullirit po shitet rifuxho dhe pa emër në tregjet ndërkombëtare

Ai shton mandej se pritshmëritë për këtë vit janë pozitive por nuk pret që të ketë mbiprodhim për së paku dy vitet që do vijnë.

“Litri i vajit do shtrenjtohet me 150 deri në 200 lekë për shitjet e ardhshme ndërsa eksporti jashtë Shqipërisë do të vazhdojë, megjithatë, vijimësia e eksportit varet shumë nga prodhimi i vendeve të tjera të Europës”, shton ai.

Edhe Agim Rrapaj, Kreu i Këshillit të Agrobiznesit Shqiptar thekson se përfitimi i fermerëve shqiptarë është ende në nivele të papërfillshme.

“Fermerët prodhues të vajit të ullirit extra të virgjër në Shqipëri e kanë shitur mesatarisht tek eksportuesit dhe grumbulluesit e shumicës me 3-4 euro /kg. Kostoja e prodhimit dhe përpunimit për shumë subjekte është po në këto nivele. Objektivi që duhet arritur në një të ardhme jo të largët është krijimi i markës shqiptare të vajit të ullirit dhe shitja në tregjet e eksportit me shumicë 6-8 euro/kg.

Gjithashtu të eksportojmë deri në 10 mijë ton vaj ulliri extra të virgjër dhe të përfitohen 60 – 80 milion euro një vit po, një vit jo”, deklaron ai.

Rrapaj thekson se përfitimi i fermerëve shqiptarë është ende në nivele të papërfillshme

Rrapaj shton se tani është momenti më i mirë që Shqipëria të hyjë në tregun ndërkombëtar.

“Konjuktura ndërkombëtare e prodhimit të vajit të ullirit extra të virgjër e favorizon tani Shqipërinë dhe nuk duhet humbur asnjë minutë kohë që të hyjmë fuqishëm dhe me kosto të përballueshme në tregun ndërkombëtar të vajit të ullirit. Çdo vonesë në veprim do të jetë me pasoja të pariparueshme për të gjithë pa përjashtim”, vijon mandej ai.

Sipas të dhënave nga Ministria e Bujqësisë, në tetë muajt e parë të vitit eksportet arritën vlerën e 26 milionë eurove.

Ndërsa 25 për qind e prodhimit në tregun europian mungoi, çmimet në bursa u rritën me 50%.

Burimet nga pikat e grumbullimit thanë për Gazetasi.al se nuk e kishin parë këtë interes për vajin shqiptar prej vitesh.

“Nëse fermerët do të vijonin që të mbanin stok vajin e ullirit në shtëpi pas stinës së verës, vlerat e tij ushqimore do të humbisnin. Pavarësisht se këto eksporte janë refuxho, ku më pas vaji ynë përpunohet dhe shitet si markë e huaj, kjo situatë është tepër pozitive pasi po ndihmoi në zbrazjen e vajit nga shtëpitë e fermerëve”, ta Ylli Hajdini i cili ka kompaninë e tij prodhuese të vajit të ullirit, S.E.D Borsh, përpara disa kohësh për Gazetasi.al.

Fabrika e përpunimit, sipas tij, nuk kanë investuar në depozitim me qëllim grumbullimin e vajit që përpunojnë fermerët, për shkak të kostos së lartë nga mungesa e fuqisë punëtore, por edhe për shkak të informalitetit të lartë të fermerëve.

“Pjesa dërrmuese e fermerëve nuk janë të pajisur me NIPT, për këto arsye nuk mund të lëshojnë faturë tatimore. Informaliteti i lartë na penalizon tek investimet për të depozituar vajin, pasi nuk mund të eksportojmë vaj të blerë pa faturë”, deklaron Hajdini.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë