Nga Gazeta ‘Si’– Kryeministri kanadez Mark Carney nuk shkoi në Forumin Ekonomik Botëror në Davos në janar për të ofruar shpresë, por për të shpallur fundin e një epoke.
Sipas tij, rendi liberal ndërkombëtar- ai sistem institucionesh, normash dhe garancish amerikane i ndërtuar pas Luftës së Dytë Botërore- tashmë kishte marrë fund dhe kjo ndarje ishte e pakthyeshme.
Megjithatë, edhe ky përshkrim i zymtë nuk arrin të kapë plotësisht thellësinë e transformimit që po ndodh.
Sipas analizës, Donald Trump nuk po çmonton vetëm një rend diplomatik apo një ekuilibër të caktuar fuqish globale. Ai po mbikëqyr fundin e modelit industrial të mbështetur mbi lëndët fosile, model që për dekada e bëri të mundur rendin liberal ndërkombëtar. Ndryshimi nuk nisi me Trumpin- ai u përshpejtua nga kriza klimatike dhe konfliktet për kontrollin e burimeve energjetike-por presidenca e tij e ka kthyer tranzicionin energjetik në një garë të ashpër gjeopolitike.

Në këtë realitet të ri, e ardhmja nuk do të vendoset më në tryeza diplomatike apo gjykata ndërkombëtare, por nga kontrolli mbi energjinë, mineralet strategjike dhe teknologjitë që mbështesin jetën moderne.
Kjo po formëson atë që autori e quan “Lufta e Ftohtë Ekologjike”.
Ndryshe nga Lufta e Ftohtë e shekullit XX, e cila ishte një përplasje ideologjike mes kapitalizmit liberal dhe komunizmit sovjetik, konflikti i ri është një garë mes dy modeleve energjetike dhe industriale. Në njërën anë qëndron “Ententa e Gjelbër”, e udhëhequr nga Kina, e cila ka investuar fuqishëm në energjinë diellore, bateritë elektrike dhe zinxhirët globalë të mineraleve të rralla. Në anën tjetër ndodhet “Boshti i Petroshteteve”: Shtetet e Bashkuara nën Trumpin, Rusia dhe monarkitë e Gjirit, të cilat mbështesin fuqinë e tyre ekonomike dhe politike mbi vazhdimin e epokës së naftës dhe gazit.
Për këto shtete, karburantet fosile nuk janë vetëm burime ekonomike, por edhe instrumente pushteti dhe identiteti politik.
Trump e paraqet “dominimin energjetik” si kundërpërgjigje ndaj ambientalizmit global, Vladimir Putin e lidh pasurinë nga nafta me mbrojtjen e një civilizimi rus tradicional, ndërsa Arabia Saudite synon të ruajë ndikimin e saj global përmes pasurisë energjetike. Megjithëse të ndryshëm në sistemet politike, këta aktorë ndajnë të njëjtin vizion: mbrojtjen e “sovranitetit fosil” kundër tranzicionit të gjelbër.
Në praktikë, Boshti i Petroshteteve po përdor avantazhin e infrastrukturës ekzistuese. Ndërsa ekonomia e gjelbër kërkon ndërtimin e sistemeve të reja energjetike, petroshtetet po mbrojnë rrjetin aktual global të naftës dhe gazit. SHBA po shtyn vendet në zhvillim të investojnë në centrale me qymyr dhe gaz, ndërsa po forcon eksportet e gazit natyror drejt Europës përmes kontratave afatgjata që krijojnë varësi të reja energjetike.

Megjithatë, kjo aleancë mbetet e brishtë. Arabia Saudite, Rusia dhe SHBA janë aleatë vetëm për aq kohë sa u intereson ruajtja e konsumit global të lëndëve fosile. Në të njëjtën kohë, ato mbeten konkurrente të forta në tregjet e energjisë dhe të ndara nga konflikte të tjera gjeopolitike.
Përballë tyre, Kina po shfaqet si fuqia dominuese e rendit të ri energjetik. Pekini kontrollon pjesën më të madhe të përpunimit të mineraleve të rralla, prodhimit të baterive elektrike dhe paneleve diellore.
Në vetëm disa dekada, Kina është shndërruar nga ndotësi më i madh global në liderin kryesor të teknologjisë së gjelbër.
Përkrahësit e këtij modeli argumentojnë se energjia e rinovueshme nuk është vetëm domosdoshmëri klimatike, por edhe avantazh ekonomik. Teknologjitë elektrike janë më efikase, më të lira për mirëmbajtje dhe gradualisht po bëhen më konkurruese se modelet tradicionale të bazuara në naftë. Për këtë arsye, shumë shtete- përfshirë Bashkimin Europian, Japoninë dhe Indinë-kanë interes strategjik të afrohen me “Ententën e Gjelbër”.
Por kjo sjell një dilemë tjetër: varësinë nga Kina.
Vendet që adoptojnë teknologjitë kineze rrezikojnë të futen në një sistem ekonomik dhe teknologjik të dominuar nga Pekini. Në këtë kuptim, tranzicioni i gjelbër mund të krijojë një formë të re vartësie globale.
Në qendër të kësaj përplasjeje ndodhen “fuqitë e mesme”- vende si Brazili, India, Indonezia, Kanadaja apo Japonia, të cilat përpiqen të shmangin rreshtimin e plotë me njërin bllok. Ashtu si dikur Lëvizja e të Painkuadruarve gjatë Luftës së Ftohtë, këto shtete kërkojnë një rrugë të tretë: ruajtjen e autonomisë energjetike, teknologjike dhe ekonomike.

Sot kjo “mospërfshirje” nuk ka më karakter ideologjik, por infrastrukturor. Vendet po krijojnë marrëveshje të reja për minerale strategjike, teknologji dhe zinxhirë furnizimi, duke u përpjekur të mos varen as nga petroshtetet dhe as nga hegjemonia teknologjike kineze.
Megjithatë, interesat e tyre shpesh bien ndesh: shtetet eksportuese të naftës kanë interesa krejt të ndryshme nga ato që varen nga energjia e pastër dhe përballen drejtpërdrejt me pasojat e krizës klimatike.
Bota po hyn në një epokë ku përplasja kryesore nuk është më mes demokracisë dhe autoritarizmit, por mes modeleve të ndryshme energjetike dhe industriale.
Rendi liberal i pasluftës po zëvendësohet nga një konkurrencë për kontrollin e energjisë, teknologjisë dhe mineraleve kritike. Dhe në këtë rend të ri, pyetja më e madhe për shtetet e mesme mbetet: si të shmangin zgjedhjen mes një bote të dominuar nga nafta dhe një bote të varur nga teknologjia kineze?
Marrë me shkurtime nga Foreign Policy/ Përshtati Gazeta Si
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje