Histori

Ç’duhet të dini mbi Pashkën

Pashka (ose pashkët) është kremtimi më i madh i kalendarit liturgjik të Kishës Katolike dhe të kishave të tjera të krishtera që kremtojnë Ringjalljen e Jezusit të Nazaretit ndodhur, sipas Besëlidhjes së Re, tre ditë pas vdekjes së tij në kryq.

Java para Pashkëve është quajtur Java e Shenjtë, dhe ajo përmban Tri Ditët e Pashkëve, që përfshijnë Të Enjten e Shenjtë, që përkujton Darkën e Fundit, Të Premten e Shenjtë, që përkujton kryqëzimin dhe vdekjen e Jezusit. Në krishtërimin perëndimor, Sezoni i Pashkëve, fillon të dielën e Pashkëve dhe zgjat shtatë javë, duke i dhënë fund me ardhjen e ditës pesëdhjetë. Në Orthodhoksi, sezoni i Pashkës fillon ditën e Pashkës dhe përfundon me ardhjen e ditës së dyzetë, festën e Ngritjes.

Ka shumë hamendje mbi vitin e vdekjes së Jezusit. Festa e Pashkëve të krishtera është e lëvizshme, vendoset çdo vit të dielën pasuese, të parën hënë të plotë pas baraznatës (ekuinoksit) të pranverës (21 marsi). Ky sistem u fiksua përfundimisht në qv. e VI. Në lashtësi mund të kishte përdorime të ndryshme vendore mbi ndjekjen e datës, sidoqoftë të gjitha të lidhura me njehsimin e pashkëve hebraike. Në veçanti disa kisha të Azisë ndiqnin traditën e festimit të pashkëve në të njëjtën ditë me ato hebraike, pa përfillur të dielën.

Pra data e Pashkëve është përfshirë mes 22 marsit dhe 25 prillit.

Pashkët paraprihen nga një kohë parapërgatitore e agjërimit dhe përkorimit, që zgjat 40 ditë, që quhen Kreshmë që fillon nga e "Mërkura e Përhimtë" dhe mbaron të Dielën e Palmave (e fundmja para Pashkëve) që përkujton 40 ditët e kaluara në shkretëtirë të Jezusit në lutje e agjërim dhe që sprovohet nga Djalli.

Pashkët e krishtera janë në lidhje të ngushtë me ato hebraiket, në të cilat festohet çlirimi i hebrejve nga Egjipti prej Moisiut. Fjala Pashkë në të vërtetë do të thotë kalim: për hebrenjtë është kalimi nga robëria në liri ndërsa për të krishterët nga vdekja trupore dhe frymore në Jetën e Re të Amshuar.

Data e Pashkëve llogaritet në bazë të kalendarit hënor dhe kjo ndryshon sipas viteve. Për katolikët gjithmonë bie të dielën, sepse, sipas ungjijve, Jezu Krishti u ngrit ditën e parë pas të shtunës. Në veçanti, Pashkët bien të dielën e parë pas hënës së parë të plotë të pranverës: duke qenë se pranvera fillon me ekuinoksin, më 21 mars, festa mund të bjerë midis 21 marsit dhe 25 prillit, varësisht nga viti.

Pashkët ortodokse dhe ajo e kishave orientale është llogaritur sipas kalendarit Julian dhe jo sipas kalendarit gregorian të përdorur nga katolikët, kështu që dy datat pothuajse nuk përkojnë kurrë. Pashka feston kalimin e popullit të Izraelit nga skllavëria e Egjiptit në lirinë e Tokës së Premtuar: fjala hebraike Pesach do të thotë “kalim”.

Vezët janë simbol i lindjes dhe rrjedhimisht i kalimit në një jetë të re. Sipas traditës, zogu që del nga lëvozhga është një metaforë që përshkruan Jezusin në aktin e zbulimit të Varrit në kohën e Ringjalljes. Vezët që nga kohët e lashta, me formën e tyre të përsosur, janë simbol i bashkimit të tokës dhe qiellit ose të katër elementeve (ujë, ajër, tokë, zjarr). Si një guaskë që mishëron jetën, janë shenjë e rilindjes së pranverës: vezët rishfaqen në tryezë në ditën e Pashkëve pas periudhës së pendesës Kreshmore. Zakoni i sjelljes së vezëve artificiale si një dhuratë daton në Mesjetë dhe në klasat fisnike: përdoreshin materiale të çmuara si ari dhe argjendi, ndërsa vezët e para me surpriza brenda janë krijuar nga argjendi francez Peter Carl Fabergé në fund të shekulli të XIX të porositura nga carët të Rusisë.

Vezët e çokollatës u shpikën në vend në mes të shekullit të XVIII nga shefët e çokollatave të Francës dhe Gjermanisë. Në fillim vezët ishin plot, me përpunimin e teknikës së përpunimit, u bënë të zbrazura, për të fshehur brenda një surprize.

Qengji dhe keci hahen për Pashkë si një zakon që vjen nga spiritualiteti hebre. Me rastin e Pashkëve, populli i Izraelit, në skllavëri në Egjipt, morën urdhrin nga Zoti për t’u mbledhur në familje dhe për t’u mbyllur në shtëpi, pasi kishin shënuar derën me gjakun e një qengji ose një keci të ofruar në sakrificë dhe të konsumuar për darkë. Në natën, Engjëlli i Zotit vrau të gjithë fëmijët e lindur të parët në mbretërinë e Egjiptit, njerëz ose kafshë, përveç atyre që strehoheshin në shtëpitë e shënuara me gjakun sakrifikues. Të nesërmen faraoni, gjithashtu i privuar nga djali i tij i madh, i dha Moisiut leje për t’u larguar me njerëzit e tij në Tokën e Premtuar.

Lepuri i Pashkës është një simbol i lashtë i pranverës me origjinë pagane, që i përket kulturave anglo-saksone dhe gjermane. Tradita ka lindur në shekullin e XV dhe nga Europa u zhvendos në Shtetet e Bashkuara, ku është e përhapur. Kjo kafshë fantastike dhe disi e vogël, simboli i pranverës dhe pjellorisë, tradicionalisht sjell një dhuratë për fëmijët si një shportë me vezë të ngjyrosura, por i përhap në të gjithë kopshtin, duke i fshehur pak kudo. Është detyrë e fëmijëve, në mëngjes të Pashkëve, që të shkojnë në gjueti dhe t’i marrin ato. Është e njohur “Gara e vezëve të Pashkëve” që festohet të hënën në kopshtin e Shtëpisë së Bardhë në Uashington në shoqëri të Presidentit dhe Zonjës e Parë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë