Propozim i SI

Ca nxënës të Konicës, ca të racës së Avni Rustemit …

Pas krahasimeve të presidentit me figura të së kaluarës si Avni Rustemi e Vojo Kushi, edhe kryeministri Rama  në betejën me Metën –që,  nga institucionale tashmë është kthyer në personale – zgjodhi figurat me të cilat identifikohet.

“Jam nxënës i Fan Nolit dhe i Faik Konicës” , deklaroi në një intervistë televizive kreu i qeverisë të enjten mbrëma. Ndonëse  ngulmoi të mos barabitej  shpata e gjuhës së tij  me plehun e gojës së kundërshtarit, nuk ia kurseu përgjigjen me të njëjtin tonalitet.

Kreu i shtetit, nga ana tjetër,  do ta cilësonte në një interviste televizive të së premtes së shkuar si “këlysh blloku, para një presidenti nga Skrapari”.  Kreu  i qeverisë do t’i gjegjej se Meta i ishte dhënë rakisë, ndërsa kërkon më shumë sesa të ruajë balancën, të marrë vetë pushtetin.

“E dimë që është nga Skrapari, por është edhe president i Shqipërisë”, do të shprehej Rama, duke i kujtuar rolin e unitetit kombëtar, për të cilin Meta flet shpesh sa herë bie fjala tek mbrojtja e Kushtetutës dhe Referendumi. Madje për të siguruar unitetin kombëtar, do të argumentonte edhe shfuqizimin e ditës së zgjedhjeve lokale vitin e kaluar për të shmangur kështu  rrezikun e një konflikti civil, me opozitën që nga sheshet e protestave paralajmëronte pengimin e tyre.

Retorika  mes dy politikanëve është përflakur edhe më, pasi kreu i maxhorancës do të ironizonte dekoratat e presidentit për figura të vdekura – dhe jo pak të debatuara nga historianët – si Avni Rustemi apo Vojo Kushi.

Rama dhe Meta takohen me bërryla në Këshillin Kombëtar të Integrimit, qershor 2020

President që dekoron të vdekurit, që do të bëhet mbret apo të bjerë dëshmor, ishin disa nga cilësimet e kryeministrit Rama, ndërsa kreu i shtetit nuk ka qenë më pak i ashpër me përgjigjet si, “Mua të më thotë dëshmor, ai qen bir qeni!”

Presidenti Meta, nisi ta krahasojë veten me figura të së shkuarës, shumë më përpara se të niste t’i dekoronte ato, ndërsa më pas ka  argumentuar se të drejtën për t’i dekoruar  ia jepte Kushtetuta.

Pikërisht për të mbrojtur këtë të fundit - kur  kriza politike u thellua me braktisjen dhe djegien e mandateve parlamentare të deputetëve-,  Meta do të evokonte figurën e presidenti kilian Salvador Allende, i  vetëvrarë për të mos rënë në duart e gjeneralit Pinoçet pas grushtit të shtetit.

Mediat dhe opinioni publik nisën të ngrenë pyetje se ç’mesazh përpiqej të përcillte kreu i shtetit, që atëkohë u drejtohej ca diplomatëve të korruptuar , ndërsa fliste për krizë institucionale dhe kushtetuese dhe evokonte në nëntekst akte vetëflijuese si ai i presidenti kilian.

“Unë i them që ti s’je Pinoçet, je pinok, ti je një mashtrues dhe unë s’jam Allende. Unë jam Ilir Meta dhe unë jam nga Skrapari. Këtë ta dish mirë ti dhe kushdo tjetër”,  shprehej Meta, ndërsa e njëjtësonte veten  edhe me Vojo Kushin. “Vojo Kushi është president sot, janë 10 milionë shqiptarë vojo kushë”.

Kryeministri Rama që,  duke e përshkruar veten si dishepull të njerëzve të mëdhenj të letrave, si Noli dhe Konica me shpatën e gjuhës të mprehur, do ta cilësonte Metën një  të dehur, që e kishte stigmatizuar dhe bërë “lolo’ emrin e presidentit.

Meta do t’i theksonte edhe njëherë së fundi akuzat ndaj filantropit Soros, ndaj të cilit lëshoi deklaratën rreth një vit më parë se nuk ishte “i racës së Nikolla Gruevskit, por i racës së Avni Rustemit, Mic Sokolit e Vojo Kushit”, duke e paralajmëruar kryeministrin të mos provokonte trazira, “siç ke bërë për këto vite për llogari të Sorosit dhe për llogari të miqve të tu serbë”.

Shigjetimi retorik mes kryeministrit dhe presidentit do të vijonte, kur pas akuzave të të parit për votimin e raportit të Dick Marty-t në Këshillin e Europës që hedh hije mbi UÇK-në, zëdhënësi  i të dytit e cilësoi Ramën si “esadist”.

Kështu heroi i racës së Avni Rustemit, kishte krijuar antiheroin e sojit të Esad Pashë Toptanit, ndërsa zëdhënësi i presidencës i referohej kryeministrit si “kryepis” apo “Edvin Kristaq Tradhtia”.

Në një sqarim pse kishte vendosur të dekoronte të vdekurit, presidenti do të argumentonte se nderimi për luftëtarët që sakrifikuan dhe flijuan jetën për lirinë e Shqipërisë është shprehja më e drejtpërdrejtë e atdhedashurisë që duhet të mbartë çdo shqiptar, pavarësisht bindjeve politike”.

Në dijeni të debateve dhe komenteve që kishte shkaktuar lakimi i emrit të Avni Rustemit në pikë vështrimet e politikës së ditës,  Meta  do të thoshte se “Për mua, si Presidenti i Republikës, Avni Rustemi ngelet Heroi i Popullit, i cili i tha “JO” esadizmit, pazareve të ulëta në kurriz të Atdheut. Avni Rustemi është simboli i sakrificës më sublime për ruajtjen e integritetit tokësor dhe bashkimin e vlerave kombëtare”.

Jo vetëm dekorimi i të vdekurve, që kryeministri e shihte si të parin e të fundit president që e bënte këtë si një rast i rrallë e i çuditshëm duke ironizuar se e kishte shpallur Vojo Kushin “mjeshtër të punës”, por  kreu i shtetit në diskurin e tij politik  duket se rreket të ringjallë ato figura të lidhura me luftëra të brendshme politike apo edhe me luftëra ndaj pushtuesve.

“Vojo Kushi po. Ai ishte antifashist në bindje, por ai kreu të njëjtin akt trimërie  e vetëmohimi për lirinë e Atdheut si Heronjtë e tjerë të kombit, Selam Musai e Mic Sokoli. Figura dhe simboli i këtij Heroi të Popullit do t’i bënte nder çdo kombi antifashist në mbarë botën”, do të shprehej Meta, ndonëse ndarja e kampeve të fashiste dhe antifashiste, i përkasin së shkuarës e të paktën 75 viteve më parë.

Presidenti shpjegonte se dekorimi i Vojo Kushit ishte rrjedhojë e rrethanave për të rivlerësuar  atë që ai e cilësoi si “Epopeja e kodrës së Kuqe”, duke u ndalur edhe tek figura e Vasil Laçit, ndërsa ky rivlerësim për të cilin flet kreu i shtetit nuk duket të ketë gjetur në dakordësi historianët shqiptarë, që në debate publike enden ndahen tek figurat e diskutuara.

Rama në presidencë, në një takim për datën e zgjedhjeve parlamentare, shtator 2020

“Kështu  si e ka nisur do i japë Skënderbeut urdhrin e Nënë Terezës, ku do shkojë, ka marrë varrezat me radhë. Meta mendon që është hero”,  ironizonte  kryeministri Rama, duke i kthyer kështu takimet elektorale  më shumë sesa në shpalosje të planeve ekonomike e sociale për një mandat të tretë në shpalosje të ironisë e sarkazmës ndaj kundërshtarëve. Me po të njëjtën teknikë u paraqit edhe në zgjedhjet e 30 qershorit, ku PS garoi pa kundërshtarë, duke u mjaftuar me  qesëndisjen e katër kundërshtarëve; Meta, Berisha, Basha dhe Kryemadhi.

Edhe para zgjedhjeve të 25 prillit 2021, Rama i mëshon ironisë ndaj kundërshtarëve, ndërsa çdo zë kritik sipas tij vjen nga propaganda dashakeqe e baltëhedhëse e opozitës. Më shumë se garë alternativash, ndërsa qeverisja e tij është sprovuar në tetë vite, Rama shfrytëzon çdo rast për ta nxjerrë zbuluar atë që e cilëson “opozitë e mjerë”.

Ndërkohë,  presidenti Meta prej më  shumë se një viti evokon figurat e së shkuarës, duke e parë veten si mbrojtës të unitetit kombëtar e të Kushtetutës, në emër të së cilës organizoi edhe një tubim më 2 mars, ndërsa maxhoranca  ngriti komision për shkarkimin e tij duke e çuar çështjen deri në Komisionin e Venecias. Opinioni i ekspertëve të huaj, ndonëse e panë si tejkalim të kompetencave dolën në përfundimin se presidenti nuk kishte kryer shkelje të rëndë që do të justifikonte shkarkimin e tij.

Por ndërsa më herët akuzat mes presidencës dhe maxhorancës lidheshin me ngërçet aktuale politike dhe revokimet e të ndjerëve ishin më të rrallë,  duke ngritur jo pak vetulla habie e   pikëpyetje mbi mesazhe të koduara, pak muaj para zgjedhjeve të 25 prillit – kësaj here të dekretuara nga kreu i shtetit - , dy kundërshtarët politikë i kanë hyrë një beteje verbale, ku secili rendit në ekipin e tij figurat me të cilat identifikon veten dhe me ta mpreh retorikën, duke e kthyer atë më shumë në shfryrje inatesh personale, sesa një lufte politike, edhe pse kreu i shtetit nuk është në garë për zgjedhjet e ardhshme parlamentare, pasi siç e thekson shpesh ai, mandati i mbaron në korrik të 2022-shit e deri atëherë, do të jetë në krye të shtetit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë