Ne rrjet

Brenda bazës së spiunazhit rus në Ballkan

E vendosur pranë aeroportit dhe e lidhur ngushtë me shërbimet ruse të inteligjencës, baza humanitare ruso-serbe në Nish është parë jo vetëm si barriera e Kremlinit për zgjerimin e NATO-s në rajon, por edhe si një qendër ushtarake për spiunimin e vendeve fqinje.

Ish Ndihmësi Sekretarit Amerikan i Shtetit, Hoyt Brian Yee deklaroi së fundmi se Shtetet e Bashkuara ishin të shqetësuara për bazën ruse në Nish, jo vetëm sepse ndodhet afër kufirit të Serbisë me Kosovën, por edhe për faktin se i është premtuar mbrojte diplomatike nga Beogradi zyrtar.

Duke marrë pjesë në një seancë për ndikimet e huaja malinje në Evropën Juglindore në Senatin Amerkan, Yee tha se: "Ne nuk besojmë se Rusia ka qëllime të mira, përkundrazi mund të themi se po përpiqet të bllokojë Ballkanin të lëvizë pranë integrimi në Evropë. " Yee, e quajti bazën ushtarake ruse , një qendër të posaçme për spiunazhin dhe aktivitete të tjera të dëmshme.

Në këto kushte nuk kanë qenë të paktë analistët e huaj që kanë parë bazën e NATO-s në Kuçovë si një kundërpërgjigje të drejtpërdrejtë ndaj bazës gjigante ruse në Nish.

Baza u pa si një faktor që do të forconte sigurinë e Serbisë dhe Rusisë, veçanërisht nëse sistemet e reja ruse të mbrojtjes ajrore vendosen edhe në territorin serb. Baza ushtarake ka nxitur gjithashtu edhe rritjen ekonomike të Serbisë, pasi Beogradi dhe Moska forcuan edhe më tej bashkëpunimin ekonomik. Serbia,nuk mbetet vetëm një aleat i Moskës, por gjithashtu një bazë për aktivitete më të gjera në të gjithë Ballkanin, nga mbledhja e inteligjencës deri tek përhapja e ndikimit rus.

Si u ngrit kjo bazë?

Në përpjekje për të parandaluar një krizë të mundshme humanitare që kërcënon popullsinë e saj, Serbia është zotuar për një bashkëpunim intensiv civil me Federatën Ruse. Në vitin 2009, gjatë vizitës së ish presidentit rus Dimitri Medvedev në Beograd dy vendet nënshkruan një marrëveshje ndërqeveritare për bashkëpunimin në reagimin ndaj situatave emergjente. Neni 4 i Marrëveshjes thekson se në territorin serb duhet të ngrihet një qendër humanitare ruse. Tre vjet më vonë, dy qeveritë ngritën qendrën e Nishit. Megjithëse po bën më shumë se gjashtë vjet që është hapur, statusi dhe aktivitetet e Qendrës Humanitare vazhdojnë të jenë të mbuluara nga velloja e misterit.

Sipas faqes së saj të internetit, Qendra është një "organizatë humanitare joqeveritare që funksionon në përputhje të plotë me ligjet serbe". Në dokumentet zyrtare thuhet se qendra humanitare serbo-ruse është përgjegjëse për të gjithë Gadishullin Ballkanik dhe kryen detyrat e mëposhtme: parandalimin dhe eliminimin e situatave emergjente, duke përfshirë dërgimin e zjarrfikësve dhe ndihmës humanitare për njerëzit e prekur nga emergjencat. Sipas faqes së saj të internetit ajo merret gjithashtu me zbatimin e projekteve dhe programeve të përbashkëta, duke përfshirë ato që lidhen me misionet humanitare, dhe demonstrimin e teknologjive të shpëtimit. Sidoqoftë, misioni i vërtetë i punonjësve të Qendrës është i paqartë dhe aktivitetet e nëpunësve të saj kanë qenë shpesh të dyshimta. Sipas deklaratave të zyrtarëve të Qendrës, e cila punëson aktualisht 55 persona (5 prej të cilëve dyshohen si agjentë rusë), ata janë civilë (jo si staf ushtarak).

Pas themelimit të saj, qendra reagoi ndaj zjarreve në Serbi në vitin 2013 duke i ardhur në ndihmë Beogradit zyrtar me avionët, helikopterët dhe personelin në zjarrfikës. Në pranverë të vitit 2014, ajo ka ofruar mbështetje evakuimi dhe ndihmë humanitare për serbët e prekur nga përmbytjet. Padyshim, ndihma e ofruar ishte e një rëndësie të madhe në shpëtimin e shumë jetëve. Por paqartësitë rreth misionit të vërtetë të qendrës sa vinë e rriten.

Hije dyshimi

Shqetësimet arritën kulmin pas alarmit të ngritur nga përfaqësuesit e Senatit dhe qeverisë Departamenti amerikan i Shteti. Kjo çështje mbetet në krye të rendit të ditës në takimet midis Shteteve të Bashkuara dhe zyrtarëve serbë. Në vitin 2016, administrata shtetërore e Shteteve të Bashkuara deklaroi se Qendra shërbente në fakt si një qendër e posaçme për spiunazhin apo aktivitete të tjera të dyshimta. Megjithatë, Rusia i mohon vazhdimisht këto pohime dhe Sergej Lavrov zotohet se Qendra shërben për menaxhimin e fatkeqësive natyrore.

Misteri që rrethon qendrën është statusi i stafit të saj diplomatik. Si një organizatë jofitimprurëse, ajo duhet të jetë pjesë e Regjistrit zyrtar të Agjencive të Regjistrimit të Biznesit, nëse është e regjistruar sipas ligjit serb.

SHBA-ja i kundërvihet fuqishëm faktin që qendra ka marrë status humanitar, pasi që do të lejonte disa shtetas rusë (5 prej tyre, për momentin) që të kenë imunitet diplomatik. Në këtë mënyrë stafi do të kishte më shumë liri për të lëvizur dhe vepruar në territorin serb, dhe futja e makinerive dhe armatimeve në qendër do të bëhej pa kontrolle doganore dhe taksa.

Pala ruse thekson se imuniteti diplomatik i Qendrës është i ngjashëm me atë që kanë ushtarët e Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior (NATO) aktualisht në Serbi. Por nga ana tjetër, siç pretendojnë zyrtarët e qendrës, punonjësit e saj janë civilë. Duke pasur parasysh këtë statusi diplomati i kërkuar nga pala ruse nuk mund të jetë i njëjtë me atë që iu dha ushtarëve të NATO-s.

Velloja e misterit

Qendra në Nish duket se është e armatosur deri në dhëmbë. Në vitin 2017 mediat serbe njoftuan për blerjen e një sërë pajisjeve të reja ushtarake, kostoja e të cilave arrinte deri në 400.000,00 dollarë amerikanë.

Në vitin 2018, portali serb “Južne vesti”, raportoi se qendra nuk kishte ndihmuar asnjë nga vendet fqinjë në përballimin e fatkeqësive natyrore. Për shembull, qendra nuk dërgoi zjarrfikëse në Greqi gjatë zjarreve të mëdha në verën e vitit 2018, ose në Malin e Zi në vitin 2017. Kështu, roli rajonal i Qendrës nuk është duke u përmbushur.

Qeveria serbe duket se po përpiqet të shtyjë përpara politikën e saj de jure të "balancimit ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit" dhe "neutralitetit ushtarak". Megjithatë, ky lloj politike është e paqëndrueshme. Presioni ndaj Beogradit për zgjedhjen e një ane po bëhet gjithnjë e më i madh dhe pritet të rritet pas tensioneve të fundit në Detin Azov midis Ukrainës dhe Rusisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë