Njerez

Bohemian Raphsody: Freddie dhe macet, një histori dashurie

Freddie Mercury dashuronte muzikën, modën pompoze, Liza Minelli-in dhe siç e dëshmoi edhe filmi biografik “Bohemian Rhapdosy”, macet e tij. Megjithëse Rami Malek nuk hyn në shumë hollësi, filmi shfaq se çfarë ndiente Mercury rreth miqve të tij me gëzof, duke treguar se këngëtari dhe kantautori u kishte lënë nga një dhomë secilës mace, në vilën e tij të Londrës. Por përkushtimi i vërtetë i Mercury-it, ndaj maceve të tij, ishte edhe më i thellë.

FreddieMercury dhe macje e tij, Delilah

E dashura e Mercury-it dhe dashuria e tij më e madhe. Mary Austin, thuhet se e prezantoi fillimisht liderin e Queen-ëve me felinët, në vitet ’70, duke blerë dy mace –Tomin dhe Jerry-in – për shtëpinë e çiftit. Ndërsa Mercury ishte në turne me “Queen”, Austin kujdesej për kafshët dhe Mercury telefononte shpesh për të pyetur si ishin. Sipas ndihmësit personal të Mercury-it, Peter Freestone, “Ai mbërrinte në hotel, ne telefononim dhe ai fliste vërtet me macet e tij.” Në memoarin e tij, Freestone shkruante “Mary i mban me radhë Tomin dhe Jerry-in tek receptori për të dëgjuar Freddie-n, teksa u flet. Kjo do të zgjaste për vite.”

Goliath dhe Delilah, macet e Freddie Mercury

Mercury strehonte dhjetë mace gjithsej –të tjerat quheshin Tiffany, Dorothy, Delilah, Goliath, Lily, Miko, Oscar dhe Romeo. “Macet ishin familja e tij”, shkruante Freestone, duke shtuar se Mercury sigurohej që secila mace të kishte çorapin e vet të Krishtlindjes, mbushur me ushqim dhe lodra. “Freddie i trajtonte macet si fëmijët e tij”, shpjegonte Jim Hutton, i dashuri për shtatë vite i Mercury-it, në memoarin e tij “Mercury dhe unë”. “Ai ishte vazhdimisht i shqetësuar për to dhe nëse ndonjë prej tyre lëndohej, kur Freddie nuk ishte në shtëpi, vetëm zoti mund të na shpëtonte. Gjatë ditës macet vraponin nëpër shtëpi dhe mbrëmjeve njëri nga ne do i mblidhte dhe do i fuste brenda në shtëpi.”

Mercury dhe i dashuri i tij, Jim Hutton 


Hutton kujtonte një incident alarmues kur Goliathi u zhduk nga prona. “Freddie u çmend dhe në dëshpërim të thellë, vërviti një skarë të bukur japoneze (hibachi) nga dritarja e dhomës së miqve.” Kur Goliathi u gjend “Freddie fluturonte nga lumturia… Për pesë minuta iu përkushtuar i gjithi koteles, duke e ledhatuar dhe shtrënguar në gji. Pastaj, si një nënë, Freddie e qortoi, duke i bërtitur dhe ulëritur Goliathit të vogël, pse ishte larguar nga kopshti. Ai top i zi leshi u ul aty, duke e dëgjuar me qetësi Freddie-n dhe nisi të gërhijë zëshëm.”


Më 1985-ën, Mercury e çoi përkushtimin e tij ndaj maceve, në një nivel krejt tjetër – duke i dedikuar albumin solo –Mr. BadGuy – “Maces sime Jerry – edhe Tomit, Oscar-it dhe Tiffany-së dhe të gjithë macedashësve në univers… Në djall të gjithë të tjerët!”
Jacky Smith, drejtori prej një kohe të gjatë i Klubit Zyrtar të Fansave të Queen, thoshte se fansat i dërgonin Mercury-it lodra për kafshët e llastuara, duke shpjeguar se “Ata hanin ushqim të zakonshëm me raste, por në përgjithësi ishte pulë dhe peshk i freskët i përgatitur enkas për to.” Fotot e kafshëve të tij të dashura shfaqeshin edhe në letrën e përshëndetjes së grupit Queen. Megjithëse dukej se i donte të gjitha macet, Mercury kishte të parapëlqyerit e tij.

Hutton përshkruan se Delilah ishte “princesha e vogël” e shtëpisë – atë e merrte më shpesh në krah dhe e shtrydhte me të puthura…Ajo flinte në këmbët e shtatit përpara se të ikte tinëz për vërdallosjet e natës.” Ndërsa ishte shëndetlig, Mercury shkroi një këngë për kafshën e tij të parapëlqyer. Teksti thoshte “Më bën të buzëqesh kur jam gati duke qarë/ Më sjell shpresë, më bën të qesh –dhe më pëlqen/ arratisesh me vrasjen, aq e pafajshme/ Por kur je me nerva je gjithë kthetra dhe kafshon/ Nuk ka problem!”

Mercury me macet,Miko dhe Delilah, së cilës i kushtoi këngën "Delilah" 

https://www.youtube.com/watch?v=vuXnFN2kByM


Megjithëse anëtarët e bandës “Queen” nuk e pëlqyen këngën, Roger Taylor më vonë do të pranonte, “E urreja “Delilah”-në. Jo vetëm unë” – ata pranuan në heshtje, duke rënë dakord ta vendosnin këngën në “Innuendo”, albumi i fundit i Queen-ëve, i cili u publikua ndërsa Mercury ishte ende gjallë. Sipas Rolling Stone, May madje përdori shumë të urryerin efekt ‘talk box’, për të imituar tingullin e maceve, me kitarën e tij.” Më vonë, ai kujton çastin e mposhtjes bashkëpunuese, në një intervistë me Guitar World: “Epo, marr me mend se nuk ka mënyrë tjetër të imitoj mjaullimën e maces.” “Delilah” nuk ishte i vetmi homazh i Mercury-it në “Innuendo” – këngëtari dhe kantautori pozoi për ballinën e albumit me dy mace në supe dhe një mbi kokë.

Dhe kur Queen-ët regjistruan videon muzikore për këngën e Innuendo-s “These Are the Days of Our Lives,” Mercury veshi një kostum të qepur enkas, me imazhet e maceve të tij.
Delilah i dha Mercury-it dashuri dhe vëmendje, në muajt e fundit të jetës. Për Rolling Stone, “Mercury kalonte orë të tëra me boja uji duke u përpjekur të pikturonte një portret të trengjyrëshes Delilah – dhe kur po vdiste, më 1991-shin, një nga veprimet e fundit ishte të lëmonte gëzofin e saj.” Në një prej intervistave të tij të fundit, Mercury i rrëfeu gazetarit David Wigg se kishte përfshirë në testamentin e tij Austin-in dhe macet– dashuritë e tij më të mëdha, duke zbuluar “Do t’ia lë të gjitha Mary-it dhe maceve.”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë