Kombetarja

Bluza e kombëtares, mbetet e varur në gozhdë

Prej disa ditësh në medien shqiptare qarkullon lajmi se Federata Shqiptare  e Futbollit ka imponuar arbritrat e kampionateve vendase për të blerë fanellat e ekipit kombëtar. Federata nuk ka dhënë përgjigje nëse kjo është e vërtetë pavarësishtn jë sms-je të publikuar. Ndoshta për një arsye “urdhri” ndihmon për të rritur ndoshta pak ngjyrat e kuq e zi të atmosferës kur luan kombëtarja. Por  a mjaftojnë aq fanella sa zyrtarë janë që të mbytin ngjyrën e dëshpërimit të tifozerisë

Stadiumet  e pambushura   tregojnë se  boshllëkun mes Kombëtares dhe zemës së tifozit.

“Tashmë nuk e kuptojmë më se kur luan kombëtarja apo jo, se fanellat njëlloj qëndrojnë aty të pashitura”, thotë Fredi një tregtar i vjetër në tregun që ndodhet në zonën e Medresesë në Tiranë. Ai punon aty prej më shumë se 15 vitesh dhe më rrëfen se asnjëherë nuk ka qenë kaq dobët tregu i fanellave të kombëtares, siç është në këto dy vitet e fundit.
Për të që është edhe tifoz i kombëtares kjo rënie e madhe e shitjes së fanellave ka të bëjë edhe me rezultatet e dobëta që skuadra ka marrë në vitin e fundit. “Po tani mos të flas si tregtar, por si tifoz nuk ke çfarë t’i ndjekësh kësaj skuadre. Të mundesh nga Skocia 4-0, unë nuk mbaj mend ndonjëherë. Ne na mundi Kosova, që nuk ka as dy vite ekip”.

Duke filluar që nga tetori i vitit 2017-të janë 8 humbje, 1 barazim dhe 2 fitore, njëra në miqësore. Impakti negativ i rezultateve ka një peshë të madhe në këtë gjendje edhe sipas Arturit, tregtar në zonën e “Tregut Çam” në Tiranë. “Po besoj se po. Unë nuk është se e ndjek, po besoj se këto humbjet e fundit kanë ndikuar që njerëzit të mos jenë aq shumë tifozë që të shpenzojnë. Tani madje ne na duket çudi që ka ende njerëz që vijnë dhe blejnë bluzën e kombëtares”, më rrëfen.

Ai thotë më tej se gjendja e shitjes së fanellave nuk ka si faktor vetëm rezultatet e dobëta të skuadrës në fushën e lojës. Për të ndikon shumë edhe stadiumi ku luhet. Që prej më shumë se 5 vite ekipi kombëtar është larguar nga Tirana, duke larguar njëkohësisht edhe tifozët e blerësit e fanellave. “Për mua, por edhe për të gjithë tregtarët në këtë zonë nuk ka ndonjë diferencë shumë të madhe se kur luan kombëtarja për shitjen e bluzave. Ka pasur një rënie të madhe që kur kombëtarja filloi të mos luante më në Tiranë. Po në fakt kur shkuam në Europian para dy vitesh edhe pse ndeshjet luheshin në Elbasan edhe këtu kishte goxha njerëz që blinin bluza apo shalle të kombëtares. Gjatë Europianit pati shumë në fakt, se ishte verë edhe kishte që kishin ardhur nga jashtë vendit”.

Kur e pyes për një krahasim të shitjeve të bluzave apo shalleve të kombëtares, Arturi as nuk e pranon një gjë të tillë. Për të nuk mund të flitet për atë që ndodhte para 5 apo 6 vitesh kur luante kombëtarja dhe atë që ndodh sot. “As që bëhet fjalë. Jo vetëm që ndeshjet luheshin këtu dhe kishte shumë xhiro. Por atëherë vinin kosovarët që nuk kurseheshin. Mua më ndodhte me një djalë nga Kosova që jetonte në Zvicër. Ai i ndiqte të gjitha ndeshjet e kombëtares dhe çdo herë që luante kombëtarja ai blinte një bluzë apo shall të ri, edhe pse në shtëpi mund të kishte pasur disa të tjera. Tani ka disa vite që nuk ka ardhur më, se normalisht shkon në Elbasan, ose mbase ndjek skuadrën e Kosovës”.

Problemet me shitjet e fanellave zyrtare

Kur Shqipëria shkoi në finalet e kampionatit europian “France 2016” Federata Shqiptare e Futbollit firmosi kontratë sponsorizimi me kompaninë italiane të veshjeve, “Macron”. Kjo kompani ka prodhuar dy modele fanellash për skuadrën kuqezi, njëra me të cilën shkuam në finalet e Europianit dhe tjetra që është duke u përdorur për kompeticionin Uefa Nations League dhe do të përdoret edhe për eliminatoret e Kampionatit Europian 2020. Çmimet e bluzave të kombëtares variojnë nga 79 euro për të rritur deri në 69 për fëmijët. Një çmim i kripur, por që në fakt asnjëherë nuk është paguar nga tifozët që i kanë marrë këto fanella origjinale. Së pari janë preferuar fanellat imitime dhe që kushtojnë shumë herë më lirë dhe së dyti, ato kanë qenë gjithmonë me ulje çmimi.

Aktualisht, të gjitha fanellat apo shallet e kombëtares shiten nga kompania italiane me 50% ulje.  Në prag të ndeshjeve të rëndësishme në Uefa Nations League, FSHF ka organizuar disa fushata për shitjen e fanellave, por që nuk kanë pasur ndonjë impakt shumë të madh.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë