Biznes

Bllokohet që në ditën e dytë platforma për fiskalizimin e bizneseve. Shoqata: Duam ballafaqim me Ramën

Një ditë pas nisjes së fazës së dytë të fiskalizimit, portali Platforma Qëndrore e Faturave të Administratës Tatimore “Selfcare” është bllokuar dhe e ka bërë të pamundur ngarkimin e certifikatës së regjistrimit për bizneset tatimpaguese. Aplikimi nëpërmjet këtij portali është i nevojshëm për të kryer procedurat e raportimit për Fiskalizimin, pranimin dhe lëshimin e faturave elektronike.

Këtë gjë e pranoi edhe Kreu i Shoqatës së Biznesit të Vogël dhe të Mesëm, Albert Nasto, në një komunikim nga Gazeta “Si”.

LEXO EDHE:
- Bizneset në vend: Nuk jemi gati për fiskalizmin
- Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë kërkon shtyrjen e afatit të fiskalizimit
- Konfindustria: Mungesë profesionalizmi. Të shtyhet i gjithë procesi i fiskalizimit
- Nis faza e dytë e fiskalizimit. Bizneset nuk janë ende gati

Ai u shpreh se ndoshta për shkak të ngarkesës ka ndodhur një gjë të tillë, duke shtuar edhe se shoqatat kërkojnë ballafaqim me Kryeministrin e vendit Edi Rama, Ministrinë e Financave ose Drejtorinë e Tatimeve për të kërkuar shtyrjen e të gjithë fiskalizimit me 2 vite të tjera.

“Procesi i fiskalizimit, përveç se ka mungesë transparence, nuk ndihmon asnjë biznes, por vetëm korrupsionin dhe evazionin”, u shpreh z.Nasto.

Kreu i Shoqatës së Biznesit përmendi se reformimi i fundit fiskal u kushtoi bizneseve 16 milionë euro për një kohë shumë të shkurtër. Tani bizneseve u duhet të shpenzojnë përsëri shuma të mëdha për t’iu futur edhe njëherë fiskalizimit.

Një tjetër problem, sipas z.Nasto, është se bizneset nëpër fshatra ne pamundësi financiare apo teknike do të gjobiten dhe penalizohen masivisht.

Pak ditë më parë Ministrja e Financave, Anila Denaj njoftoi se bizneset “do të falen” deri më 31 dhjetor (vendim që hyri në fuqi këtë të premte), por procesi në tërësi nuk do të shtyhet.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë