Administrata Tatimore njofton tatimpaguesit se, brenda datës 31 dhjetor 2026, duhet të pajisen me terminal POS/POI në çdo pikëshitjeje, që kryejnë shitje me para në dorë dhe që nuk përfshihen në kategoritë për të cilat janë përcaktuar afate të mëparshme.
Sipas njoftimit të Tatimeve, detyrimi parashikohet në nenin 59/3 të ligjit nr. 9920, datë 19.05.2008, “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar. Administrata u bën thirrje subjekteve të përfshira që të marrin masat për instalimin e terminaleve brenda fundit të vitit.
Afati i 31 dhjetorit përbën një fazë të mëtejshme të shtrirjes së detyrimit për pranimin e pagesave elektronike. Më herët gjatë këtij viti, një afat i posaçëm ishte vendosur për strukturat akomoduese, subjektet që ofrojnë shërbime në sektorin e transportit, si dhe institucionet publike dhe shoqëritë publike me kapital shtetëror. Për këto kategori, Administrata Tatimore kishte përcaktuar si afat 30 majin 2026 për pajisjen me POS/POI në çdo pikë shitjeje ku kryhen shitje me para në dorë.
Megjithatë, ligji parashikon edhe përjashtime. Nuk kanë detyrim për t’u pajisur me POS/POI tatimpaguesit që ushtrojnë aktivitet në zona pa mbulim interneti dhe ata që përjashtohen nga detyrimi për lëshimin e faturës sipas legjislacionit në fuqi. Përjashtohen gjithashtu subjektet që, njëkohësisht, nuk janë në skemën e TVSH-së, kanë përgjegjësi të tatimit mbi të ardhurat personale nga biznesi, ushtrojnë aktivitet vetëm në një vendndodhje dhe kanë statusin e punësimit “i vetëpunësuar i vetëm”.
Administrata Tatimore argumenton se zgjerimi i përdorimit të POS/POI synon të lehtësojë pagesat për klientët dhe të ofrojë shërbim më të shpejtë, por njëkohësisht të rrisë transparencën e transaksioneve dhe të reduktojë përdorimin e parasë cash.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje