Biznes

Konfindustria kritika paketës fiskale: Ulja e taksave pa plan se si do të ndikojë te çmimet

Ulja e taksave për karburantet dhe ushqimet rrezikon të përfundojë në fitim shtesë për tregtarët, pa u reflektuar në çmimet për konsumatorët. Ky është shqetësimi kryesor që Konfindustria i ka përcjellë Kuvendit dhe komisioneve parlamentare për paketën fiskale 2027, duke kërkuar mekanizma konkretë kontrolli.

Për heqjen e taksës së qarkullimit prej 27 lekësh për litër karburant, Konfindustria vlerëson se mungesa e konkurrencës në treg mund të pengojë uljen e çmimeve.

“Në paketën fiskale nuk ka asnjë të dhënë shpjeguese sesi do të bëhet e mundur që ulja e çmimit të përcillet te konsumatorët, bizneset dhe qytetarët”, thuhet në letër.

Sipas Konfindustrisë, zhvendosja e kësaj barre te taksat vjetore të automjeteve nuk ul kostot e përgjithshme të transportit. Sipas saj, qytetarët dhe bizneset do të paguajnë edhe taksa më të larta për mjetet.

Të njëjtin shqetësim ngre edhe për uljen e TVSH-së nga 20% në 6% për 54 produkte ushqimore.

“Në projektpaketën fiskale 2027 mungon tërësisht plani institucional sesi do të bëhet e mundur që ulja e TVSH-së të pasqyrohet në të njëjtën vlerë te çmimet fundore për qytetarët”, thotë Konfindustria.

Konfindustria kërkon krijimin e një Enti Kombëtar të Karburanteve në varësi të Kuvendit dhe vendosjen e një tavani çmimesh të lidhur me mesataren e vendeve fqinje.

Ndërsa për rritjen e TVSH-së standarde nga 20% në 21%, Konfindustria thotë se nuk ka asnjë shpjegim se si do ndikojë në inflacion, investime dhe në mirëqenien e qytetarëve.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë