Biznes

Biznesi i vogël ka një paketë të re kërkesash: Taksa 0, elektorale. Duhej hequr 7 vjet më parë

Biznesi i vogël i ka pritur mirë ndryshimet ligjore në lidhje me heqjen e tatimfitimit dhe TVSH-së për bizneset me xhiro vjetore deri në 10 mln lekë, por e quan si vendim elektoral sepse sipas tij është i vonuar.

Kreu i Shoqatës së Biznesit të Vogël Albert Nasto në një komunikim me gazetën “Si” bëri me dije se bordi ka përgatitur një paketë të re kërkesash drejtuar qeverisë për të nxjerrë biznesin sipas tij nga humnera ku ka rënë.

Ndihmë e drejtpërdrejtë si në paketën e parë të shpëtimit, falja e gjobave që nga 2014-ta, falja e taksave për dy vjet, lufta ndaj korrupsionit, përmirësimi i klimës së biznesit, janë disa nga kërkesat kryesore të biznesit të vogël që ky i fundit do ta bëjë publik shumë shpejt.

Nasto, ashtu si një ditë më parë në një deklarim për gazetën “Si” thotë se biznesi i vogël po kalon ditët më të zeza, duke marrë parasysh edhe dy goditjet; tërmetin dhe pandeminë.

“Mendoj që vendimi i fundit i qeverisë për heqjen e tatimfitimit është show elektoral. Ne na bën shumë punë dhe çdo vendim i ngjashëm është i mirëpritur, por ky vendim duhej të merrej 7 vjet e gjysmë më parë, jo tani kur biznesi është i zhytur. Që nga 2014 deri tani kanë falimentuar 105 mijë biznese, nga janari deri në korrik 38 mijë dhe 125 mijë kanë mbetur të papunë, gjobat janë marramendëse, korrupsioni në majë, klima e bzinesit e frikshme, çmimi i energjisë, karburanti. Për çfarë reformash për biznesin e vogël flet kryeministri?”- pyet Nasto, i cili nuk lë pa kujtuar edhe vendimin e dy viteve më parë të qeverisë për uljen e pragut të TVSH-së nga 5 në 2 mln lekë për biznesin e vogël.

“Harroi kryeministri se si na shkatërroi me uljen e pragut të TVSH-së?”- thotë Nasto.

Një ditë më parë Ministrja e Financave Anila Denaj do ta justifikonte uljen e pragut të TVSH-së me prioritetin e qeverisë për të formalizuar ekonominë, duke deklaruar se “ sot kemi 55% më shumë regjistrime biznesi çdo vit”

Ulja e pragut të TVSH-së për biznesin e vogël do të kritikohej në atë kohë dhe në vazhdim nga Fondi Monetar Ndërkombëtar me argumentimin e barrës së shtuar të taksës dhe kostove të tjera administrative. Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) do të  theksonte disa herë se përfshirja e këtyre bizneseve në skemë do të krijonte më shumë ngarkesë për administratën dhe do ta shpërqendronte, në vend që të fokusohej te ndërmarrjet e mëdha.

Kjo mund të ndikonte në uljen e të ardhurave. Por, qeveria do të këmbëngulte me kokëfortësi asokohe në mënyrë që sipas saj të disiplinonte zinxhirin e tregtisë dhe të nxiste lëshimin e faturave.

Menjëherë më pas, të dhënat e buxhetit faktit do të tregonin se shqetësimi i FMN-s, i ekspertëve dhe i vetë biznesit të vogël do të vërtetohej me faktet kokëfortë; të ardhurat nga TVSH e brendshme për 6 mujorin e parë të vitit 2019  ishin rreth 17 miliardë lekë, me një rënie të ndjeshme prej 12.7% në raport me të njëjtën periudhë të vitit të mëparshëme. Në raport me planin, të ardhurat nga TVSH e brendshme ishin 20% më pak, ose 3.7 miliardë lekë (30 milionë euro) të munguara në buxhet në raport me parashikimin fillestar.

TVSH-ja ka qenë zëri me rendimentin më të keq në buxhet në 6 muajt e parë të vitit dhe ka qenë një nga arsyet kryesore të mos realizimit të planit me rreth 30 milionë euro për periudhën janar-qershor 2019.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë