Biznes

“Nga janari falimentuan 38 mijë biznese të vogla, 125 mijë të papunë. Qeveria të ndërhyjë urgjent”

Kreu i Shoqatës së Binzesit të Vogël dhe të Mesëm Albert Nasto, në një bisedë me gazetën “Si”, zbulon se llogaritjet e shoqatës tregojnë për 38 mijë biznese të falimentuara që nga muaji janar i këtij viti deri në muajin gusht dhe 125 mijë individë të mbetur të papunë.

Nasto e konsideron katastrofë një mbyllje të dytë, teksa biznesi po vuan pasojat e rënda të karantinës së pazakontë sipas tij që pësoi Shqipëria dhe bizinesi.

Shoqata ka bërë gati një listë kërkesash ndaj qeverisë, që ajo të ndërhyjë me masa konkrete sepse sipas Nastos, nëse nuk ka ndërhyrje të menjëhershme deri në fund të vitit, ai parashikon se mbi 80 % e bisnesit ose 90-95 mijë bisnese kryesisht i vetpunësuar nga 1-4 të punësuar, do të falimentojnë dhe mbyllin qepenat dhe mbi 250-300 mijë qytetarë do mbeten të papunë.

“Askush të mos mendojë se nuk do ndodhë kështu dhe kjo do të jetë një katastrofë e vërtetë  dhe një ortek i cili do të marrë me vete edhe Shtetin Shqiptar,  i cili nuk mund të egzistojë sepse 75 % e buxhetit mbushet nga taksat dhe tarifat që paguan bisnesi dhe qytetarët”- thotë Nasto për gazetën “Si”.

Sipas tij, fondi prej 98 milion € ndihmë për bisnesin dhe të punësuarit në të është i papërfillshëm dhe nuk ka zgjidhur asgjë për biznesin.

“Është një shifër e cila nuk ka mjaftuar për të ndihmuar mbi 80 mijë bisnese të cilat ndaluan veprimtarinë e tyre me urdhrin e Qeverisë për shkak të gjendjes së Emergjencës për shkak të fatkeqësisë natyrore të virusit COVID- 19. Jemi i vetmi vend në rajon, por dhe Europë që kemi këtë shifër ndihme, kur vendet fqinje si Maqedonia e Veriut ka dhënë ndihmë për bisnesin dhe të punësuarit në të mbi 500 milion €; Qeveria e Kosovës mbi 500 milion €, por gjithashtu dhe Kroacia ka dhënë shifra maramendëse të miliona eurove pa përmendur vendet e Bashkimit Europian, të cilët kanë dhënë dhe vazhdojnë të japin për bisnesin dhe ekonomiminë për të dalë nga kjo gjendje mjaft e rëndë dhe e pashoq në 100 vitet e fundit”- thotë Nasto.

Sipas tij, ende dhe sot  35 % e bisnesit dhe të punësuarit nuk kane marrë asnjë ndihmë për vetë vështirësitë dhe shkaqet që qeveria di.

Këto dy paketa ndihme që qeveria ka akorduar, sqaron kreu i shoqatës, ishin të pa mjaftueshme dhe fyese sepse “sipas nesh duheshin mbi 120 milion € për një muaj që duhet të pagueshin për biznesin dhe të punësuarit për 2- muajt e karantinës, e cila ishte më e gjata dhe me masat më të egra ndoshta në Europë dhe më tej. Që të evitoheshin dhe të evitohen mbylljet dhe falimentimet masive të subjekteve tregetare, Qeveria duhej të kishte nxjerrë një ligj i cili të detyronte bashkitë të falnin çdo taksë dhe tarifë vendore, jo vetëm për dy muajt e karantinës, por për gjithë vitin 2020. Veprim të cilin nuk e bëri dhe nuk po e bën si vendet fqinje të cilat i falën e ndihmuan dhe po ndihmojnë me financa direkte, por dhe me heqje të taksave dhe pagesës së qirave”.

Nasto e përshkruan tablon në të cilën operon aktualisht biznesi tejet të përkeqësuar, ku sipas të dhënave të gjeneruara nga shoqata, informalitetit ka arritur në shifrat 48-50 %, korupsioni në 70-80 %, gjobat  dhe selektiviteti me 67 %, performanca e mbledhjes së të ardhurave dhe evazionit me 53 %, përkeqësimi me 65 % i klimës  për të investuar dhe bërë biznes në Shqipëri.

 “Pa përmendur dhe nënvizuar se jemi vendi i parafundit në botë për çmimin e Karburantit, ndër vendet e fundit në botë për çmimin e energjisë elektrike dhe të numrit të taksave dhe peshës financiare të papërballueshme”- thotë Nasto.

Ai bën me dije për gazetën “Si” se shoqata ka kontribuuar në hartimin e programit ekonomik të Partisë Demokratike duke shpresuar që të mos mbetet në letër nëse PD vjen në pushtet me zgjedhjet e 25 prillit.

Ndërkohë qeveria ende nuk e ka bërë publik planin e rimëkëmbjes edhe pse do ta premtonte që do të ndodhte në një event siç i ka hije, brenda muajit qershor.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë