Politike

Taksa zero për biznesin e vogël, Tabaku: Rama ka dështuar me ekonominë

Jo më vonë se një orë, nga deklarata e kryeministrit Edi Rama se biznesi i vogël me xhiro deri në 14 milionë lekë të reja nuk paguan tatim fitim dhe ato nën 10 milionë lekë nuk do të paguajnë as TVSH, ka reaguar Partia Demokratike, përmes Jorida Tabakut.

“Në këto 7 vite: 97% e shqiptarëve kanë paguar 4,2 mld euro taksa të rritura; Investimet e huaja kanë rënë nivele minimale dhe vetëm 6 muaj e fundit kanë rënë me 100 mln euro; Çdo ditë janë mbyllur 50 biznese dhe vetëm gjatë pandemisë 30 000 biznese kanë deklaruar statusin inaktiv; Shqipëria ka rënie të prodhimit industrial me 11.2%; Korrupsioni ka arritur nivelet më të larta me 7,2 mld euro të certifikuara nga KLSH; Borxhi po arrin në nivelin 90% së bashku me faturën korruptive të koncesioneve; 155 mln euro vendime nga arbitrazhi, dëme te shkaktuara nga papërgjegjshmëria dhe interesat personale dhe qe do i paguajnë shqiptaret nga xhepat e tyre”, shkruan Tabaku. Sipas saj, Rama sot përmes konferencës për shtyp nuk bëri gjë tjetër veçse ricikloi premtimet e vjetra për ulje taksash.

“Ai vërtet i mendon shqiptarët me memorie të shkurtër por gabohet. Tashmë shqiptarët e kanë të qartë zgjedhjen për ofertën ekonomike dhe zgjidhjen për krizën në vend. Ne nuk bëjmë propagandë. Ne flasim me fakte. Ne kemi ofertën tonë konkrete që nxit konsumin, rrit të ardhurat dhe prodhon një shtresë të mesme. Ofertën që mundëson një ekonomi prodhuese dhe në shërbim të qytetarit. Ne ofrojmë mundësinë që taksat e shqiptarëve mos të vidhen nga koncesionet dhe PPP-të. Shqipëria në Punë është vizioni që na drejton dhe frymëzon për të qenë konkurrues jo me një forcë politike anti-biznes por të konkurrueshëm me rajonin”, shkruan ajo.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë