Vende dhe Udhetime

Bixa, fshati “i braktisur”, që jetoi 40 vjet si qytet, mes tij dhe një bredh amerikan

Në ligjin ekzistues Bixa konsiderohet fshat më vete, edhe pse sot atje pothuaj nuk banon e regjistruar ndonjë familje.
Nga Vërria, qendra e komunës së Shëngjergjit, një mikrobus niset pothuaj çdo ditë për në Bixë. Si pasagjer ka ndonjë bari, ushtarak, punonjës të pyjeve ose pronar amator, që ka lënë bletët në ato anë. Rruga malore e shtruar me çakull është plot kthesa dhe e vështirë. Pas 20 minutash makina ndalon në vendin që quhet “Kroji i Kuq”, ose te një lokal, ku ka ujë burimi të ftohtë. Lodhja e kësaj rruge nuk ndihet nga bukuria dhe kënaqësia që të fal peizazhi malor plot pyje, gjelbërim e freski.
Edhe ushqimi që shërbehet në restorantet e zonës është tepër i shijshëm dhe i veçantë.
Në atë lartësi malore midis kodrash dhe luginash me pamje të gjerë e peizazhe piktoreske janë të shumtë ata që qëndrojnë për disa minuta, për t'u kënaqur, në dimër ose në verë.
Tabela e madhe aty njofton se je 52 km larg Tiranës dhe 6 km larg Vërrisë: Aty është kthesa e rrugës që të çon në Mcek, pjesë e Malit me Gropa, në rrugën e vjetër për në Tiranë, kurse në anën tjetër është kryqëzimi, ku rruga ndahet drejt Bixës, Ballenjës dhe Thekrës, kurse djathtas për në Elbasan.

“Dimrit atje pothuaj nuk qëndron njeri. Për Bixën, shëngjergjasit kanë ndjesi të veçantë, që ngre krye sa herë që dikush e quan atë vend “Bixa e Martaneshit”. Kjo shije e ndjesi e çuditshme, ndodh edhe mua sa herë që dëgjoj se Shëngjergji është malësi e Elbasanit dhe jo e Tiranës.”, - kështu vëren në librin e tij për fshatrat turistikë të Tiranës, Skënder Farka.

Ai nënvizon edhe një studim të shëngjergjasit Lulëzim Koçi, sipas të cilit “vërtetohet se Bixa në historinë e saj mesjetare ka qenë arenë e luftërave të Skënderbeut.”

“Pozicioni gjeografik, madhësia, garancia ushqimore për njerëz e gjënë e gjallë, e mbështet këtë opsion. Në historinë e njëqindvjeçarit të fundit, ushtri të shumta, që kanë kaluar andej e kanë zgjedhur si vendgrumbullimi, duke e përdorur atë me sukses. Edhe sot ajo rrafshnaltë e gjerë dhe e pasur vazhdon të konsiderohet si “aset” ushtarak me rëndësi të veçantë.”,- thotë Farka.

Bredhi amerikan dhe pylli i Bixës

Në Bixë gjendet një bredh, një halor jo shqiptar, që rritet me sukses brinjëve të ngritjeve kodrinore atje (diçka midis bredhit të vendit dhe pishës). Forma e gjerë e bredhit dhe bukuria e tij është e veçantë.
Sipas inxhinierit të pyjeve Enver Tila, ai varietet quhet “Duglas”, sepse ka ardhur nga Amerika në Europë 200 vjet më parë, kurse në Shqipëri ai ka mbi 45 vjet që ka hyrë në zhvillim.
Ai është halor i rrallë. Frutat e tij 2 vjeçarë, boçet me formë të bukur pak vezake, duken shumë piktoreskë, si të qëndisura. Druri i tij ka vlera të mëdha industriale, është i hijshëm e krijon një peizazh të bukur e mahnitës si individ, por edhe kur zhvillohet në vllazërim, në formë masivi, ai plotësohet me familjen e halorëve të tjerë të Shqipërisë.

Nga klubi në Kroin e Kuq, nëse ecën për 500 metra dhe ndalon në kryqëzim, ku djathtas ka qenë një piedestal i gurtë në përkujtim të një ushtari italian të vrarë në luftë, tashmë i shembur. Mbi bregoren lart, në vendin ku ka qenë vendosur një bateri kundërajrore, një numër jo i vogël kosheresh bletësh, i bënte rojë ndërtesave të braktisura të repartit ushtarak të dikurshëm. Në atë bregore të lartë e të bukur, peizazhi është i gjerë e shumë i pëlqyeshëm, i rrethuar me male të larta e lugina të thella, atje ku dikur ishin të gatshme për punë ndërtesat e qendrës së radios dhe shtypit, por edhe shumë objekte dikur sekrete, parashikuar për kohë lufte. Nga lindja dallohet shkëmbi i Muzhaqit, pranë Librazhdit.
Në një rrugë verore të makinave të transportit të lëndës drusore, që pritet me leje e pa leje, ku është pylli i bukur i ahut 10-15 vjeçar, tek-tuk midis drurëve të rinj, shikon ndonjë trung të lartë 25-35 vjeçar.
Mbi tokë si kryegurë varresh të mëdhenj, shihen trungjet e prera të drurëve të vjetër mbase 80-100- vjeçarë. Rruga pyjore në ngjitje rrethuar me një gjelbërim të ngjeshur, tregon se aty kalonin ndonëse rrallë makinat e druve. Ajo rrugë nën hijen e drurëve nën diell e bën shëtitjen tepër çlodhëse, si një shëtitje gjuetie. Rruga pyjore, (tani vetëm këmbësore) dredhon bregoreve më shumë në zbritje dhe më pas fillon ecjen drejt veriut paralel me një rrëke të vogël uji, në një luginë jo shumë të thellë e të ngushtë.

Vendi i kullotës, përroit dhe staneve
Duke ecur qetësisht bashkë me ujin e asaj vije, (degë e vogël e përroit të Gurakuqëve), më poshtë ajo ndërron emrin dhe shton, ashtu pa e kuptuar, sasinë e ujit derisa arrin në një rrëke të vërtetë. Në ato 20 minuta ecje në atë rrugë paralel me përroin, mund të përshkosh luginën tepër të bukur e piktoreske, nga të dyja anët e saj, ku mbi koka ngrihen drurë dhe gjelbërim i madh pyjor. Nga fundi, lugina filloi të hapet midis kodrave. Uji para nuk lëviz teksa mbush qetësisht shtratin e një ujëmbledhësi, që edhe ai zgjatet midis kodrave duke formuar një liqen të vogël: pasqyra ujore ose trupi i ujëmbledhësit dredhon e zgjerohet. Ai ëshhtë i thellë dhe i kthjellët dhe rreth 500 metra më tutje. Pranë digës ai duket vërtet si një liqen vogël e shumë i bukur: në grykën e Pajetit ai quhet ujëmbledhësi i Bixës.
Nga diga e ujëmbledhësit duket më poshtë tubi i madh dhe metalik nga ku uji vërshon luginës, e cila hapet dhe lejon të sfaqet para nesh një pjesë e hapësirës së madhe malore të Bixës.
Djathtas në pjerrësinë e kodrës, pasi lë themelet e stanit të fisit Trimi dhe majtas pyllin e disa drurë rnolle, kurse përpara na hapet plotësisht ajo kullotë e madhe malore e Bixës, 400 ha në lartësinë 1220-1300 m, rrethuar me male të larta deri më 1846 m. dhe me pyjet e ahut që konsiderohen si më të bukurit në rrethin e Tiranës, Elbasanit e Matit.

Bixa është e bukur dhe madhështore në të gjitha stinët me gjithë kuptimin e fjalës. Ajo hapësirë malore mahnitëse, ai park botanik pemësh e lulesh, ku syri nuk mund të lodhet, i jep të drejtën kujtdo ta quajë atë si një dhuratë të jashtëzakonshme të natyrës, një perlë në zemër të tokës shqiptare. Në mesin e asaj lartësie të bukur e hapësire brigje-brigje, gjashtë-shtatë muaj e gjelbëruar e pastaj e mbuluar me borë, kalon me shushurimë e gjithë naze, përroi me ujin e kulluar të kodrave e maleve përrreth.
Rrjedha e ujit e pakëson nxitimin pranë një prite gurë-beton, tashmë pjesërisht e dëmtuar, e qetësohet në formën e një baseni që të mos krijojë gërryerje dhe që aty vazhdon duke dredhuar, rrjedhën më poshtë. Baseni e gropat ujore gjithnjë kanë qenë oazet e bukura të barinjve, ku freskohen gjatë vapës së madhe.

Shpella dhe lugina e Valit
Larg, përpara se të fillojnë ngritjet e bukura malore, duken ndërtesat e rrënuara te qytezës së dikurshme të Bixës dhe aty pranë, instalimet e repartit ushtarak. Tufa të mëdha bagëtish shihen duke kullotur anëve të ndryshme të asaj kullote të madhe me barinjtë pranë. Midis maleve të lartë, që duken sikur janë ndarë me sëpatë, është hyrja për në Luginën e Valit, një luginë e veçantë malore për nga bukuria, 100-150 m. e gjerë dhe 5-6 km e gjatë, hyrje lugine që të josh. Në anët e malit, poshtë dhe në lartësi, ka ndërtime e fortifikime ushtarake tashmë të braktisura, e pas tyre, hapësira e hone gjuetie të egër.
Sot atje ku duhej të ishte kopshti zoologjik natyror, nuk duken dhi të egra, kaproj dhelpra, derra, ujq e arinj, pse jo edhe shpendë e pëllumba të egër, thëllëza dimrit dhe verës. Në luginën e Valit, midis maleve, uji i përroit të çon rreth 2-3 km më tutje, ku nga e djathta, faqja e malit bie thikë poshtë mbi gurë masivë, pranë një honi të thellë. Duke u kacavjerrë me kujdes gur më gur, gjithnjë poshtë, ndodhesh në hyrjen e një shpelle.
Hyrja afërsisht në formë rrethore me diametër 12-15 metra duket si gojë e stërmadhe, thellësia e saj rreth 100 m, si fyt i pangopshëm, përfundon me një grykë të errët të flohtë e plot zhurmë, ku uji humbet. Pak metra brenda asaj gryke, ku uji nën gurë bie poshtë plot rënkim e përplasje shikon gurë të mëdhenj në tavan.

“Dimrit, uji i shumtë kishte sjellë aty, drurë e trungje të mëdhenj pemësh, dikur para rreth 100 vjetëve, pemë e trungje të tilla e kishin bllokuar atë grykë, që uji përroit kishte formuar një liqen jo të vogël. Pas disa muajsh, uji kishte shpërthyer grykën, duke lëshuar një zhurmë e krisje bubullime, që ishte dëgjuar dhjetëra kilometra larg.
Një kalë aty pranë ishte frikësuar dhe e kishte hedhur kalorësin poshtë, i cili ishte mbytur në rrjedhën e fuqishme të ujit.”, rrëfen Farka, si njohës i mirë i zonës.

Edhe pse tani në verë nuk ka shumë ujë, hyrja në shpellë është e frikshme, atje vetëm spelologët mund të qëndrojnë e të depërtojnë, ata priten të vijnë, sepse shpella prej kohësh njihet si e një rëndësie të veçantë nga shteti.
Uji që humbiste aty, nga disa prova të bëra, besohet se përfundon në burimet e lumit Mat, diku pranë Martaneshit.

Brenda ditës mund të përjetoni duke përshkuar 12-14 km rrugë një shëtitje turistike të veçantë, në pyll e në mal, çaste kënaqësie të atij fresku e bukurie që të jep bimësia e shkurtër aromatike plot ngjyra e bimëve të ndryshme medicinale, por edhe bukuria e drunjve të rinj të pyllit.
Mund të shikoni vendin ku buron e pastaj humbet në gjirin e maleve, uji i kulluar i një përroi jo të vogël në verë dhe gati lumë në dimër.

Qyteza në pllajë

Në Bixë mund të vizitosh edhe qytezën e dikurshme, ku dhjetëra vjet më parë ka funksionuar një veprimtari ekonomike e dukshme: sektori i sharrave, mbështetje e kombinatit të drurit në Elbasan, një vend, ku ishin ndërmarrjet ekonomike bujqësore pyjore e blegtorale, përfshi edhe ato të ushtrisë, sektori i Institutit të perim- patates, etj. Bixa ishte qendra e dislokimit të staneve të 80-90 familjeve të Shëngjergjit e zonës përreth, bazë e ushqimit për to dhe përpunimit të qumështit në baxhot e saj. Atje ishin sistemuar në banesa qytetëse 2 dhe 3-katëshe rreth 150 familje, kishte shkollë 8-vjeçare, qendër shëndetsore, hotel, restorant, postë e kinema, përfshi sistemet drita, ujë, kanalizime e rrugë. Atje kishte stacion elektrik dhe metereologjik, duke u kthyer shpejt kështu në qendër administrative të zonës me kuptimin e plotë të fjalës. Në dimër, në malet përreth ka pasur edhe orteqe bore vdekje-prurëse, kurse në qytezë dhe hapësirën përreth, bora që zgjaste disa muaj mbulonte çdo gië. Por qyteza e Bixës, e projektuar dhe ndërtuar si qytezë e bukur socialiste, jetoi vetëm 40 vjet.
Qyteti i dikurshëm nuk ekziston dhe thuajse gjithçka është shkatërruar, por pllaja e bukur kodrinore e Bixës, si sofër e madhe rrethuar me male është po aty, mikpritëse si gjithnjë.

Në fshat ka disa stane. Kullota, përveç shëngjergjasve shfrytëzohet edhe nga martaneshasit dhe nga gurakuqasit.

“Tufat e deleve në orën 11 pushojnë të rrethuara me gardhe, qentë presin ujkun, kurse barinjtë janë gjithnjë në lëvizje. Ata me bidonë plastikë dërgojnë qumështin e ditës në baxhon në cepin lindor të qytezës, ku mjeshtri prodhon djath e gjizë të mirë, të shijshme, me quinësht dele ose dhije, por edhe të përzier.
Nata në Bixë është e ftohtë edhe gjatë verës. Mjegulla e zakonshme që shkatohet nga mikroklima atje, tërhiqet luginave në formë shtëllungash të çrregullta, që zbresin poshtë ultësirave. Është një pamje që qytetit i mungon, por mbi të gjitha ajo të mrekullon, sepse ndjehesh i zhytur dhe rrethuar prej saj, ndihesh në qiell dhe merr frymë brenda nje skene natyrore, që nuk ka nevojë për shtesa artificiale. Në Bixë, si parku më i madh kombëtar shpallur prej kohësh, sot për sot mungojnë kushtet për të jetuar, në dimer e në verë, por besoj se shpejt ajo do jetë një qendër pushirni nga më të bukurat në Europë.
Në Bixë, pranë hoteleve alpinë dimër-verë, pushuesit do të kënaqen pranë fushave të golfit, pranë pishinave dimërore dhe verore, gjatë shëtitjeve me ski e me kuaj, me sportin e hipizmit, me gjuetinë me pushkë ose grep.
Sipas Skënder Farkës, hapësira e Bixës mund të shndërrohet në një muze të hapur për fortifikimet ushtarake të bëra atje për kohë lufte.
“Qendra zjarri, bunkerë të ndryshëm, tunele, strehime, furra buke, spitale, qendra e radios dhe televizionit, shtypshkronja për kohë lufte, strehimet e komandës dhe qendra e vendkomandës madhore, janë objekte që mund të rikuperohen.”, vëren ai ndërsa shton se Bixa, kjo zonjë e bukur e malësisë së Tiranës, park e pasuri kombëtare, ka një ekuacion për të zgjidhur:
Si do të bashkëjetojnë atje turizmi dhe ushtria?


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë