Analize

“Bin Ladenët” e Bankës së Shqipërisë – pjesa II

Nga Evarist Stoja - Një artikull i publikuar në Gazeten "Si" rreth vendimit të gabuar të Bankës së Shqipërisë për të hedhur në qarkullim në Korrik kartëmonedhën 10.000 Lek, një prerje jashtëzakonisht e madhe edhe për ekonomi shumë më të mëdha ajo shqiptare, shkaktoi një reagim të ndjeshëm në media. Vetë Banka e Shqipërisë në një seri prononcimesh dhe intervistash në media u përpoq të mbronte vendimin, që duke qenë befasues, nuk kaloi pa u vënë re. Argumentat në mbrojtje të vendimit u paraqitën në disa plane.

Evarist Stoja, profesor i financave në Universitetin e Bristolit

Një argument i paraqitur ishte, se ky është momenti i duhur pasi ekonomia, çmimet dhe pagat janë rritur, kështu që edhe kartëmonedha duhej rritur. Nuk ka moment të duhur të bësh gjënë e gabuar. Sikur rritja në ekonomi, çmime e paga të ishte argumenti mbi të cilin një bankë qendrore bazohej për të emëtuar një prerje kaq të madhe, atëherë bankat qendrore të vendeve me rritje ekonomike të ngjashme apo më të madhe do të bënin të njëjtën gjë. Kjo nuk ndodh dhe shembulli ekstrem është Kina, e cila ka pasur rritje ekonomike marramendëse në 20 vitet e fundit dhe tani është ekonomia e dytë me e madhe në botë pas asaj të SHBA-së. Por prerja e tyre më e madhe është 100 Yuan që është përafërsisht 1.500 Lek. Edhe ekonomia kineze mbështetet fort te pagesat në kesh e megjithë shkëmbimet tregtare brenda vendit që në një ditë të zakonshme kapin miliarda dollarë, prapë prerjen më të madhe e ka shumë me modeste se ç’ka vendosur Banka e Shqipërisë.

Banka e Shqipërisë u mbrojt gjithashtu duke vërejtur se trafiqet nuk bëhen në lekë. Kjo mund të jetë e vërtetë, por rreziku nuk qëndron te trafiqet. Rreziku është evazioni fiskal dhe korrupsioni e krimet të tjera që do ta ndjekin këtë prerje. Sa më e lehtë të jetë për një biznes ta fshehë xhiron dhe të ardhurat aq më shumë rritet tundimi dhe shancet për ta fshehur xhiron dhe për të mos paguar taksat. Për fat të keq dhe si për ironi, që kur Banka e Shqipërisë bëri publike datën e hedhjes në qarkullim të prerjes së re, asnjë ditë nuk ka kaluar pa një lajm të keq në media rreth evazionit fiskal, ryshfetit dhe krimeve të tjera që burojnë nga to. Kartëmonedha e re 10.000 Lek do t’i bëjë këto fenomene shumë më të lehta.

Banka e Shqipërisë kërkoi që kartëmonedha e re të mos paragjykohej, por nuk është paragjykim të kërkosh të mësosh nga eksperienca e vendeve të tjera. Rasti flagrant është ai i prerjes €500 që u tërhoq nga Banka Qendrore Europiane me argumentin se ato përdoren për të financuar krimin. Është e vërtetë që kjo prerje i shërben Bankës së Shqipërisë përmes seigniorage – fitimit që nxjerr një bankë qendrore nga diferenca mes vlerës së kartëmonedhës dhe kostos. Kostoja e prodhimit të prerjes 10.000 Lek do të jetë e ngjashme me koston e prerjes 1.000 Lek, por vlera e kartëmonedhës është 10 herë më a lartë.

Por thelbi i vërtetë i debatit është: a i shërben vendit kjo prerje apo jo? Në deklaratat e para, Banka e Shqipërisë u shpreh se ishte kërkesa e tregut. Nuk ishte fare e qartë për cilin treg flitej, por lihej të nënkuptohej se mund të bëhej fjalë për firma tregtare.

Në media ndërkaq doli një përfaqësues i biznesit që tha se jo vetëm që bizneset nuk ishin konsultuar po kjo prerje nuk ishte aspak e dobishme për ta. Kështu që është ende mister cili treg e kerkon këtë prerje. Banka e Shqipërisë duhet të argumentojë me detaje si konkretisht i shërben vendit, sepse përvoja ndërkombëtare tregon se prerjet e mëdha nuk ndihmojnë as njerëzit e zakonshëm as bizneset legjitime. Përkundrazi, duke lehtësuar evazionin, do t’u krijojë avantazh bizneseve që janë të gatshme të shmangin taksat dhe kështu do të shpjerë, mes të tjerash, edhe në konkurrencë të pandershme. Humbjet që do t’i rezultojnë shtetit si rrjedhim do t’i tejkalojnë shumë herë fitimet e Bankës së Shqipërisë. Për më tepër, në funksion edhe të përpjekjeve që Shqipëria të hyjë në BE, Banka e Shqipërisë ka objektiv reduktimin e pagesave kesh dhe rritjen e pagesave elektronike për të rritur transparencen dhe ulur evazionin. Ndaj ky vendim është jo vetëm në drejtim të kundërt me zhvillimet teknologjike si pagesat elektronike përmes kartave dhe telefonave inteligjente, por shkon kundër edhe qëllimeve madhore kombëtare.

Në fund Banka e Shqipërisë u përpoq të distancohej duke thënë se vendimi është marrë rreth vitit 2014 nga bordi i mëparshëm dhe kështu mund të jetë. Nuk është hera e parë as në Shqipëri as në botë që bordi apo këshilli mbikëqyrës në ikje i një institucioni merr vendime të gabuara. Por nëse vendimi është i gabuar – dhe shpresoj kjo është e qartë tashmë për lexuesin – nuk ka arsye për zbatimin e tij. Bordet e reja të institucioneve në gjithe botën shpesh i anullojnë vendimet e marra nga bordet e vjetra. Për me tepër që Banka e Shqipërisë vinte nga një situatë ku bordi i vjetër ishte aq disfunksinal sa kulmoi me vjedhjen tragji-komike në 2014. Ndoshta, këshilli mbikëqyrës i tanishëm kishte trashëguar një kontratë të pamenduar me firmën e shtypjes së parave që e ekspozonte Bankën e Shqipërisë ndaj gjobave të mëdha për prishje kontrate. Nëse është kështu bordi i vjetër i Bankës së Shqipërisë duhet të shpjegohet.

Konfuzioni që ekziston është totalisht i pavend. Gjetkë, eksperimenti është kryer dhe të debatosh dëmin e prerjeve të mëdha është pothuaj sikur të debatosh a është Toka e sheshtë apo e rrumbullakët. Megjithëse edhe ky është një debat i mbyllur, Toke-sheshtët kanë mbështetje, paradoksalisht dhe për ironi, rreth e qark globit. Kartëmonedha 10.000 Lek nuk do të ndihmojë bizneset legjitime dhe njerëzit e zakonshëm.

 Vendimi për të emetuar këtë kartëmonedhë është gabim që do t’i kushtojë Shqipërisë shumë. Këtë gabim, për fat të keq, as kartëmonedhat e mëdha nuk do ta shlyejnë dot.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë