Analize

Biden i shqetësuar për Ballkanin, kërkon koordinim të plotë me Bashkimin Europian

Për Bashkimin Europian, udhëtimi i parë i presidentit Joe Biden në Europë ishte si rikthimi i vëllait të madh në shtëpi, fiks në kohë për t'u përballur me komshiun që i kërcënonte.  Pas samitit të udhëheqësve të G7-ës dhe NATO-s, Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen dhe Presidenti i Këshillit Europian Charles Michel më në fund patën një shans për t'u ulur me kokë më kokë Biden të martën për të biseduar gjërë e gjatë rreth marrëdhënieve BE-SHBA.  

"Amerika është kthyer" tha Biden. "Ne kurrë nuk u larguam plotësisht, por ne po ri konfirmojmë faktin se është në interesin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës që të kenë një marrëdhënie të shkëlqyera dhe të koordinohen plotësisht me NATO-n dhe BE-në."

Në mesin e shumë temave të diskutuara nga delegacionet amerikane dhe europiane duket të ketë qene Ballkani Perëndimor, për të cilën Administrata Biden duket se ka kërkuar jo vetëm vëmendje më të madhe por edhe bashkëpunim të plotë. Uashingtoni zyrtar është i shqetësuar se Perëndimi po humbet terren në Ballkan dhe përballë fuqive rivale, duke i kërkuar Brukselit zyrtar përparime konkrete në integrimin e rajonit.

Pas takimit me Biden në Bruksel dhe pjesëmarrjen e tij në samitin e NATO-s, diplomatët evropianë kanë premtuar se do të rritet bashkëpunimi dhe koordinimi SHBA-BE në lidhje me rajonit.

Burimet diplomatike në Bruksel thonë se Administrata Amerikane ka shprehur qëndrimin se veprimi i përbashkët në lidhje me rajon është thelbësor dhe se integrimi i rajonit është biseduar në disa nivele gjatë qëndrimit të delegacionit të presidentit amerikan në Bruksel. Vëmendja më e madhe e të dyja palëve ka qene tek dialogu Kosovë-Serbi. Bisedimet kanë rifilluar për herë të parë pas një viti të martën, por kryeministri Albin Kurti dhe Presidentit Aleksandër Vuçiç janë përplasur ashpër në lidhje me njohjen e pavarësisë së Kosovës.

Dialogu mes dy palëve dhe Ballkani Perëndimor është përmendur edhe në deklaratën e përbashkët të lëshuar nga samiti BE-SHBA .

“Ne kemi qëllimin që të forcojmë angazhimin tonë të përbashkët në Ballkanin Perëndimor, përfshirë edhe përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja mes Beogradit dhe Prishtinës për normalizimin e raporteve mes tyre, dhe duke mbështetur reformat kyçe për integrime në BE”, thuhet në një pikë të kësaj deklarate të përbashkët.

Përfaqësuesi i lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell e quajti të rëndësishme edhe faktin se takimi i parë i kryeministrit Kurti me presidentit Vuçiç u zhvillua të njëjtën ditë kur u mbajt edhe takimi i liderëve të BE-së me presidentin amerikan, Joe Biden.

Diplomatët europianë thonë se prej ardhjes së Bidenit në krye të Shtëpisë së Bardhë është përmirësuar dukshëm bashkëpunimi me administratën e Shteteve të Bashkuara në shumë fusha, përfshirë edhe në Ballkanin Perëndimor ku, siç thonë ata, “BE-ja dhe SHBA-ja kanë interesa të përbashkëta”.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë mbështetur dialogun mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, duke njohur rolin e BE-së si lehtësues kryesor i këtij dialogu, por duke ofruar edhe ndihmën aktive amerikane në arritjen e një marrëveshjeje për normalizimin e plotë të raporteve.

Pas përplasjeve të ashpra me administratën Trump dhe raportet se ajo mbështeste shkëmbimin e territoreve, Shtetet e Bashkuara dhe BE duket të jenë tanimë në një vijë se njohja e ndërsjelltë është zgjidhja e vetme për paqen mes Kosovës dhe Serbisë. Megjithatë, Brukseli dhe Uashingtoni nuk duket se nuk kanë qënë deri më tani  në të njëjtën faqe për përshpejtimin e integrimit të rajonit.

 Biden i shqetësuar për Ballkanin

Sipas gazetës amerikane “Bloomberg”, diplomatët amerikanë janë të shqetësuar se Bashkimi Europian rrezikon të humbasë ndaj Rusisë dhe Kinës në oborrin e vet dhe me vonesat për anëtarësimin e rajonit duke krijuar terren për fuqitë rivale. SHBA druhet se një vonesë tjetër do të rriste zhgënjimin në të gjithë Ballkanin, duke çuar në fuqizimin e ideve nacionaliste dhe rritjen e tensioneve. Sikur të mos mjaftonte kjo, të gjitha vendet e rajonit kanë gjetur alternativa ndaj Bashkimit Europian, duke u afruar me Rusinë, Kinën, apo Turqinë.

"Ka shumë gjëra për t'u shqetësuar", thotë Peter Galbraith, ambasadori i parë i SHBA në Kroaci menjëherë pas Pavarësisë, i cili luajti një rol kryesor në përfundimin e luftërave në Kroaci dhe Bosnjë-Hercegovinë. “Në vitet 1990, kur rajoni u përfshi në luftë, SHBA ndërhyri në mënyrë direkte. Por tani, "ky është një problem europian dhe kërkon udhëheqje europiane. Pavarësisht këmbënguljes së SHBA-së, unioni nuk pranon të përshpejtojë në integrimin e rajonit dhe pasojat mund të jenë të rënda. Administrata Biden i sheh dhe po mundohet t’i parandalojë, por BE jo", tha ai.

"SHBA druhet se mbetja jashtë familjes europiane do të çonte në izolim dhe rritje të tensioneve etnike," shkruan nga ana tjetër “Bloomberg”.

Deklarata e përbashkët e liderëve europianë dhe Biden sugjeron se BE është gati të bëjë më shumë për integrimin e rajonit dhe të rrisë bashkëpunimin me SHBA-në kur bëhet fjalë për qajsen ndaj rajonit.

Megjithatë, prova e parë do të vijë në 24 qershor, kur BE pritet të marrë vendimin për nisjen e bisedimeve me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut dhe mbajtjen e konferencës së parë qeveritare. Shtyrja e tyre shihet sipas “Bloomberg” me shqetësim të madh nga Uashingtoni zyrtar, i cili druhet se paqëndrueshmëria dhe vonesat e BE-së po dëmton stabilitetin e rajonit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë