Politike

Fotot/ Hera e dytë në organin e akuzës, Berisha del nga Prokuroria pas më shumë se dy orë dëshmi dhe sulmon Bashën: Të hetohet për pastrim parash

Ish-Kryeministri Sali Berisha qëndroi dy orë e 40 minuta në Prokurorinë e Tiranës për të dëshmuar rreth protestës së 8 janarit. Në më shumë se 15 minuta deklarate jashtë Prokurorisë i pyetur dendur nga media, Berisha kishte një objektiv; akuzat ndaj kryetarit të PD-së, Lulzim Basha. Berisha i ka kërkuar organeve ligjzbatuese të huaja që ta hetojnë për pastrim parash e deri ka akuzuar Gardën se bashkëpunoi me Bashën për të mbajtur në seli njerëz me precedent penale e fondamentalistë.    Duke iu përgjigjur deklaratave të zyrtarit të DASH, Gabriel Escobar, i cili ka shprehur mbështetjen për kreun e PD-së, Lulzim Basha, Berisha tha ndër të tjera se: “ Ai shpreh qëndrimin e tij, por unë prapë e ftoj zotin Escobar por edhe të tjerët që çdo fakt dhe dokument që kanë ti depozitojë në gjykatë. Cdo fakt dhe dokument që të ketë t’jua sjellë shqiptarëve, s’ka nevojë për gjykatë, i marr unë vetë vendimet.

Të mbështesësh Lulzim Bashën sot, jo vetëm mbështet një kufomë politike. Por është më keq se kjo. Të mbështesësh Bashën, është një përçmim i madh, një shkelmim mbi politikanët e rinj shqiptarë.

Ata që mendojnë se po më dëmtojnë mua, duke mbështetur Bashën, nuk i bëjnë llogaritë mirë. Problemi është më i thellë. Problemi është se çfarë shohin shqiptarët tani, kur ky politikani më i ri, është njeriu më i degraduar i politikës shqiptare. Nuk janë kështu të rinjtë e politikës shqiptare.

Është simbol i të pabesit, i përzier në afera korruptive, dhe bashkëpunon me krimin. U bëj thirrje agjencive të huaja të zbatimit të ligjit, ta hetojnë minimumi për larje parash".

Ai deklaroi disa herë se selia e PD do u kthehet demokratëve, por pa u shfokusuar nga akuzat ndaj Bashës.Berisha u shpreh se Basha nuk u arrit dot të mbrohej nga Garda e Republikës, duke thirrur në ndihmë persona, sipas tij “të ardhur nga Siria”.

“Oficerët e gardës nuk mundet të qëndronin në mbrojtje të një njeriu që mbante mercenarë dhe banditët. Një oficer garde që ruan një personalitet dhe konstaton se personaliteti mban një vrasës është i detyruar t’i thotë komandantit që unë nuk e mbroj këtë njeri.

Këta janë në kontroll të plotë. Këta edhe mund të duan të bëjnë detyrën, por…krimi është prezent. A mundet oficeri i gardës të qëndrojë i rrethuar nga vrasës. Ai duhet ti thotë komandantit ose të ikën ata ose unë.

Mos harroni se kjo është lidhja më flagrante e politikës me krimin. Me fundamentalizëm nënkuptoj persona të organizatave terroriste, persona në Siri dhe janë kthyer. Këta i quaj fondamentalistë. Çfarë duan ata në selinë e PD? Ata  janë mercenarë. Ju them se ata mbronin Lulzim Bashën, i cili nuk i jepte siguri mbrojtja nga garda. Qëndrimi i gardës, pranimi nga garda si vrasëseve si rrethim të dytë, kjo është krim shtetëror”, tha ndër të tjera Berisha.

Berisha foli edhe për tentativën sipas tij të Bashës për ta kthyer selinë në një kullë.

“...Cështja tjetër që unë shtrova me forcë si ka mundësi që të njëjtat armë që përdorte narkopolicia e Edi Ramës përdorte banda e Lulzim Bravës?

Kjo ishte dëshmi tjetër e një shkrirje bashkëpunimi të grupit të mercenarëve me narkobanditët me uniformë.

Emrat e mercenarëve një pjesë i kanë ndaluar, problemi është se armët i nxori nga selia thuhet Lulzim Brava me mjetin e tij megjithatë ka dëshmi flagrante të pranisë së njerëzve të armatosur në seli, ka foto por jo vetëm foto.

Nuk ka asnjë njeri sot që vë në dyshim ekzistencën e këtij grupi të gjerë mercenarësh të përbërë nga vrasës, trafikantë, fondamentalistë si roje të Lul Bravës...”, nënvizoi ai

Ish-kryeministri Sali Berisha u nis në Prokurori pak para ores 11.00 te paradites aty ku ishte thirrur për të dëshmuar rreth protestës së 8 janarit.    

Berisha u shpreh para se te hynte se do të informojë gazetarët hollësisht sapo të dilte.

”Ju ftoj se sapo të dal nga dera e Prokurorisë do t’ju informoj ju hollësisht. Basha është një vegël i qeverisë, aty thirrem nga Rama unë jo nga Basha. Unë mendoj se duhet tu kërkonte të falur dhe të ndëshkonte policinë, kishte ndaluar njerëz të pafajshëm...”, tha Berisha.

Kjo është hera e dytë që Sali Berisha, gjatë jetës së tij politike, futet në derën e prokurorisë, jo si i pandehur, por si dëshmitar.

Për herë të parë Sali Berisha u paraqit në ish Prokurorinë e Krimeve të Rënda, në 9 mars 2015, për çështjen ‘Doshi-Meta’.

Në fillim të marsit 2015, Berisha akuzonte Ilir Metën se kishte planifikuar vrasjen e dy deputetëve, Tom Doshit dhe Mhill Fufit, dhe se Meta kishte bërë përpjekje që këtë krim në tentativë t’ja faturonte Berishës.

Berisha akuzonte Metën se ishte vrasës dhe i kërkonte dorëheqjen si kryetar Kuvendi. Nga ana tjetër, Meta iu përgjigj Berishës se e kishte dhënë dorëheqjen një herë për djalin e tij Shkëlzenin, ndërsa shantazhoi atekohe Berishën se do të publikonte një video-skandal për te birin.

E gjitha u shua si fluske sapuni nderkohe që të gjithë protagonistët e këtyre akuzave të rënda dhe të paprecedenta në politikën shqiptare, u thirrën në Prokurori, përfshirë edhe Berishën.

9 marsi 2015 ishte herë e parë që Berisha paraqitej para një prokurori.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë