Drejtësia

Protesta e 8 janarit/ Basha dëshmon në Prokurori: Berisha organizoi dhunën, por ne shmangëm gjakderdhjen

Krydemokrati Lulzim Basha ka dëshmuar për rreth 2 orë në Prokurorinë e Tiranës për ngjarjet e dhunshme të protestës së 8 janarit në selinë e PD.

Para mediave, Basha tha se ka inkurajuar drejtësinë të hetojë protestën e dhunshme. Ai shtoi se PD ishte subjekt i një sulmi barbar nga protestuesit pro-Berishës.

“Të qëndrosh sot në krye të PD është sakrificë dhe jo privilegj. Inkurajoj drejtësinë të hetojë ngjarjen e 8 janarit. U përgatitëm për çdo kenar dhe shmangëm gjakderdhjen”.

Basha ka hedhur akuza ndaj ish-kryeministrit, duke thënë se orkestroi dhunën para PD. "Dhuna u orkestrua, u organizua dhe urdhërua nga Sali Berisha dhe një grup mercenarësh dhe kriminelësh që përbëjnë një organizatë kriminale. Demokratët u thirrën për tu përdorur si fasadë, një pjesë shumë e vogël ju përgjigj thirrjes por u distancua nga dhuna. Kjo është një ditë ku nuk do kishim ardhur kurrë për interesat e askujt, është një nga dëmet e mëdha që po i shkaktohet familjes tonë politike për shkak të egoizmit pa kufij të Sali Berishës dhe mbivendosjes së hallit të tij persopnal interesave të demokratëve dhe shqiptarëve".

Ai shtoi se ka dy thirrje, e para për të çuara para ligjit përgjegjësit e dhunës që shpërtheu para PD më 8 janar dhe së dyti u shpreh se nuk duhet humbur asnjë sekondë për të vazhduar luftën kundër “regjimit” të Edi Ramës.

Bardhi: Nuk pati sulm nga brenda, por vetëmbrojtje

Ka përfunduar pas 2 orë e 30 minutash edhe dëshmia e Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë Demokratike Gazment Bardhi, i cili është pyetur për protestën e dhunshme të 8 janarit.

Ai ka këmbëngulur në qëndrimin e tij, se Policia e Shtetit nuk iu përgjigj në kohë thirrjeve për ndihmë nga brenda selisë së PD-së në mesditën e 8 janarit, kohë kur mbështetësit e Berishës në përpjekje për të hyrë selinë blu u përplasën me mbështetësit e Bashës.

“Kam informuar dhe sot zyrtarisht Prokurorinë e Tiranës se kam kontaktuar Policinë e Shtetit në numrin e kontaktit të vendosur prej tyre në orën 12:27 minuta. Ka pasur një komunikim të vazhdueshëm dhe kam telefonuar 7 herë drejtuesit e policisë dhe kanë ardhur mbi 40 minuta vonesë. Kam dhënë dhe shpjegime dhe për lëndën që u hodh në seli dhe që e vetmja lëndë rrethanore kanë qenë fikset e zjarrit”, tha Bardhi.

Deputeti demokrat ka shprehur edhe një herë qëndrimin se në selinë e PD, prokurorët pas ngjarjes nuk kanë gjetur asnjë send të paligjshëm.

Bardhi tha gjithashtu se ka dhënë shpjegime edhe për lëndën në selinë blu, ndërsa shtoi se prokurorët gjetën vetëm fikset e zjarrit. Sipas tij nga brenda selisë nuk ka pasur sulm, por vetëmbrojtje.

Pak pas dëshmisë së Bardhit, në Prokurorinë e Tiranës a hyrë për t’u marrë në pyetje si person që ka dijeni për ngjarjen edhe kryedemokrati Lulzim Basha.

Krei i PD pritet të pyetet për dhunën me mjete të forta nga ana e personave që ndodheshin së bashku me ta në katin e dytë të ndërtesës së PD gjatë kohës që protestuesit tentuan të futen në seli.

Një ditë më parë, në Prokurorinë e Tiranës dhanë dëshminë e tyre ish-Kryeministrit Sali Berisha dhe deputeti Flamur Noka. Dëshmia e Berishës zgjati gati 3 orë dhe më pas ai njoftoi fillimin e turit të takimeve në rrethe.

Sipas tij, ka pasur njerëz të armatosur në godinë atë ditë dhe armët u larguan me makinën e kreut të Partisë Demokratike. Berisha akuzoi sërish Bashën si peng të Ramës, teksa paralajmëroi edhe një herë protesta të fuqishme.

Ai nuk specifikoi datë për protestën e radhës, por ndërkohë deklaroi rikthimin e takimeve me qytetarët që do të nisin të dielën nga Shkodra.

Po ashtu dje dha dëshminë e tij në Prokurori edhe Flamur Noka, i cili tha për mediat se u mor në pyetje me urdhër të 'pengmarrësit të PD-së'.

Dy ditë më parë Gjykata la të lirë 34 personat e arrestuar më 8 janar, ku vetëm 5 prej tyre u lanë nën masën e sigurisë “arrest në shtëpi” ndërsa pjesa tjetër ka detyrimin të paraqiten në polici.

23 prej të arrestuarve ishin pjesë e grupimit të Sali Berishës që rezultoi me një dhunë ndaj godinës së PD-së. Ndërkohë 11 të tjerë ishin persona që përkrahën Bashën dhe iu kundërpërgjigjën sulmeve nga brenda selisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë