Njerez

Berberi më i vjetër në botë është 107 vjeç dhe …ende pret flokë

Foto: Andrew Seng për The New York Times

Corey Kilgannon/ The New York Times - Anthony Mancinelli shkund një përparëse berberi dhe mirëpret klientin e radhës në karrigen e  “ Fantastic Cuts”, një sallon flokësh në një qendër tregtare, afro një orë larg qytetit të Nju Jorkut.“Hej bashkatdhetar, njësoj si përherë”, i thotë John O’Rourke z.Mancinelli, i cili ka nisur t’ia shkallëzojë flokët z. O’Rourke  me gërshërët e tij të holla.“Nuk lë asnjë tjetër  të m’i prekë flokët”, thotë O’Rourke,  një 56-vjeçar në Kornualli, Nju Jork. “Ky njeri ka një shekull që pret flokë.”

Z.Mancinelli është 107 vjeç dhe punon ende me kohë të plotë, pret flokë pesë ditë në javë,  nga mesdita deri në tetë të mbrëmjes. Ai ka punuar në berberhane qëkur ishte 11 vjeç. Asokohe, në Shtëpinë e Bardhë ishte presidenti Warren Harding.Më 2007-ën, kur ishte 96 vjeç, ai u njoh nga Rekordet Botërore Guinnes si berberi më i vjetër,  që punonte ende. Nga ajo kohë, lavdërimet janë shtuar nga grupet qytetare, tek zyrtarët e zgjedhur dhe kompanitë e berberëve – të gjithë duke i uruar: 100, 101, 102 e kështu me radhë.

Është pasdite dhe nga bokset e sallonit dëgjohet një muzikë hip-hop. “Është mësuar me gramafonat”, ngacmon z.O’Rourke. Z.Mancinelli  ka trup të rregullt, një dorë të fortë dhe një kokë plot me flokë, edhe pse të bardhë borë. Ai i kalon shumicën e  ditëve, në këmbë, me një palë këpucë të zeza lëkure, të vjetruara.“Njerëzit hyjnë dhe habiten kur zbulojnë sa vjeç është”, thotë pronarja e  dyqanit, Jane Dinezza.“Kurrë nuk telefonon se është sëmurë”, thotë ajo. “Kam më të rinj me probleme gjunjësh dhe shpine, por ai vazhdon. Mund të bëjë më shumë prerje sesa një djalë njëzet vjeçar.Ata qëndrojnë ulur me sytë nga telefonat dhe ai punon.”

I pyetur –për  të kushedisatën herë –rreth  jetëgjatësisë, z.Mancinelli të thotë vetëm se është kënaqësia e një dite pune dhe se nuk ka pirë kurrë duhan e as alkool. Jetëgjatësia nuk është tipar i familjes së tij dhe kurrë nuk ka bërë stërvitje fizike. Me një regjim të mençur ushqimor, ai thotë  “Ha spaghetti të holla, që të mos shëndoshem.”I ka të gjithë dhëmbët dhe nuk është nën mjekim. Ai nuk ka pasur kurrë nevojë për syze, ndërsa duart që stilojnë flokë janë gjithnjë të forta.“Shkoj tek mjeku vetëm se njerëzit më thonë të shkoj, por as ai nuk e kupton”, thotë Mancinelli. “I them se nuk kam dhembje. S’më dhemb asgjë.”

Një arsye pse vazhdon të punojë, thotë ai, është të mbajë veten  zënë dhe me humor pas vdekjes së bashkëshortes prej 70 vitesh, Carmella-s, 14 vjet më parë. Ai shkon tek varri i saj çdo ditë, përpara pune. Jeton vetëm, jo shumë larg nga salloni, në Nju Uindsor. Nget makinën çdo ditë për të ardhur në punë, gatuan vaktet vetë, sheh televizor – është admirues i sportit të mundjes – dhe është i vetëmjaftueshëm. Ende i pret vetë shkurret në oborrin e tij, pa ndihmën e askujt.

“Ai madje as i lë të tjerët t’ia shkurtojnë flokët”, thotë i biri, Bobi, 81-veçar, i cili tregon  se i ati i pret vetë flokët e tij. Çdo mëngjes lexon të  rejat e Nju Jorkut nga biznesi, artet, sportet, gatimi, stili dhe të tjera. Siç vëren znj.Dinezza, “ai i bën vetë psonisjet, i lan vetë rrobat, i  paguan  vetë faturat – është i çmendur. Është në gjendje të shkëlqyer mendore.”“Dëgjon gjithë ata njerëz që pyesin, “Ç’mjekim të marr, ç’ushqim të ha, ç’krem kundër rrudhave duhet të përdor?”, thotë ajo, “dhe ai e bën, pa pasur nevojë për asgjë nga këto.”

Ai është përshtatur edhe me stilet e flokëve, që ndryshojnë sipas dekadave. “I pres të gjitha,”, thotë Mancinelli, “flokë të gjatë, të shkurtër, çfarëdo stili.” Disa klientë e frekuentojnë prej më shumë se 50 vitesh, ndërsa u ka bërë me qindra prerje. “Kam disa klientë;  u kam prerë flokët etërve të tyre, gjyshërve dhe stërgjyshërve – katër breza,” thotë Mancinelli, i cili ka gjashtë stër-stërnipër.I biri, Bob Mancinelli, thotë “Disa nga klientët e tij më të vjetër, i ndihmon të ulen në karrige. I thotë një burri 80 –vjeçar: “Dëgjo, kur të shkosh në moshën time...” Ata kënaqen kur e dëgjojnë këtë.Jen Sullivan, një stiliste që punon në karrigen ngjitur me të Mancinelli-t, është vetëm 20 vjeç. “Është e mahnitshme që punon ende me kohë të plotë”, thotë ajo. “Fundjavat këtu janë të çmendura. Edhe unë lodhem duke qëndruar më këmbë, por ai vazhdon punën.”

Z. Mancinelli thotë se ka lindur më 1911-ën, pranë Napolit, Itali dhe ka emigruar me familjen kur ishte 8 vjeç, duke emigruar tek një i afërm në Njuburg, në Nju Jork. Ai është një nga tetë fëmijët – “Jam i vetmi i mbetur gjallë” – dhe nisi të punonte në moshën 11-vjeçare në një berberhane vendase. Nga mosha 12-vjeçare, ai priste flokë dhe e la edhe shkollën për të punuar me kohë të plotë. Atëkohë, një prerje flokësh kushtonte  25 qindarka, thotë ai. Tani një prerje nga z.Mancinelli kushton 19 dollarë.

Ai nuk i praktikon më teknikat mjekësore që kishte mësuar më herët nga berberët më të vjetër, si djegia e lythave, vendosja e gotave të nxehta në shpinë  dhe përdorimi i shushunjave kundër ënjtjeve apo tensionit të gjakut. Mban në një sirtar të sallonit – “në rast se ikën energjia elektrike” – një qethës manual,  që përdorte  përpara se të dilte ai elektrik.Ai është zgjedhja e përvitshme si marshall i madh i  Ditës së Paradës së Nju Uindsorit. Një veteran i ushtrisë gjatë Luftës së Dytë Botërore, z.Mancinelli ka qenë anëtar krenar, prej 75 vitesh i “American Legion Post 1796”, ku pija e tij e preferuar është whiskey i athët.

Për ditëlindjen e Mancinelli-t salloni mbyllet dhe bën festë, me ushqimin e  dhuruar nga një supermarket vendas. Por pjesa më e madhe e ditëve janë rutinë, të ndërprera nga ndonjë kërkesë e  mediave, që duan të flasin me këtë berber shekullor. Artikujt kanë tërhequr kureshtarë nga e gjithë bota për prerje flokësh. Aktori Ben Gazzara erdhi aty 10 vjet më parë nga Manhatani, për një prerje flokësh, me këshillën e  një miku, thotë z.Mancinelli.Znj.Dinezza e punësoi z.Mancinelli disa vjet më parë, pasi një dyqan vendas i shkurtoi orët e punës. Recepsionisti i saj fillimisht nuk e mori në konsideratë aplikimin e tij për shkak të moshës, por z.Mancinelli aplikoi sërish dhe e befasoi znj.Dinezza me aftësinë e tij në prerje.

“Tani ndihem sikur punoj për të”, thotë ajo. “Marr një milion telefonata nga njerëz në të gjithë botën që kanë dëgjuar rreth tij dhe duan ta vizitojnë sallonin.” Tjetri në karrigen e  tij, është po ashtu një klient i rregullt, Joe Murphy, 46 vjeç. Ai kujton se Mancinelli i ka prerë flokët kur mbushi 100 vjeç, në dyqanin e mëparshëm.“Djemtë në dyqan donin ta çonin në një vend me vajza, për ditëlindje” kujton z.Murphy, ndërsa berberi 107-vjeçar i pastron me furçë qafën. “Por Anthony tha: “Në asnjë mënyrë!  Ç’po bëni? Po përpiqeni të më vrisni?”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë