Politike

BE kritika Qeverisë: Hiqni dorë nga rishikimi i buxhetit me akte normative

Këshilli i Bashkimit Europian ka miratuar gjashtë rekomandime për Shqipërinë në kuadër të reformave ekonomike dhe financiare. Mes rekomandimeve është edhe ai që i kërkon Qeverisë që t’u rikthehet ndryshimeve normale dhe të planifikuara në buxhetin e shtetit, duke hequr dorë nga ndryshimet e shpeshta me akte normative.

“Rishikimi i buxhetit duhet të rikthehet në një proces të rregullt, sipas parashikimeve të ligjit për buxhetin e shtetit dhe në rastet e ndërhyrjeve në këtë ligj, procesi të jetë një proces legjislativ i rregullt”, thuhet në rekomandimin e parë të Këshillit.

LEXO EDHE:
- FMN: Kujdes me taksat e prapambetura dhe tatimpaguesit e mëdhenj. BE nuk e pëlqen amnistinë fiskale
- FMN: Tatimet nuk e dinë pse mbledhin pak taksa
- Qeveria nuk i bëri kurrë shpenzimet sa 5% të PBB-së për pandeminë, ashtu siç pretendoi
- “Buxheti do përballet me kosto të larta”- FMN: Të rritet ndihma për shtresat në nevojë

Rekomandimet janë miratuar më 24 maj. Ironikisht, një ditë më parë në Fletoren Zyrtare u publikua akti normativ i Qeverisë me një kosto prej dhjetëra milionë eurosh në buxhet. Akti përcakton kushtet dhe kriteret për kompensimin financiar të kompanive që kanë fituar kontrata publike pas datës 1 janar 2020.

Masa e kompensimit është caktuar nga 5 deri në 30 për qind për materialet e ndërtimit, si çimento, hekuri, bakri e të tjera.

Por, kjo nuk është hera e parë që buxheti rishikohet përmes akteve normative. Pra, Qeveria e bën fakt të kryer ndryshimin dhe më pas e çon për miratim në Kuvend, duke e shndërruar parlamentin në këtë drejtim më shumë si ‘noterizues’ të këtyre ndryshimeve.

Vitin e kaluar, Qeveria miratoi 6 akate normative me efekte të drejtpërdrejta nën buxhet, ndërsa deri më tani këtë vit ka ndërhyrë katër herë po përmes akteve normative. Ndryshimet shkuan aq thellë, sa po me akt normativ qeveria rriti vitin e kaluar edhe nivelin e borxhit.

Heqjen dorë nga ndryshimet me akte normative e ka kritikuar edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar. Gjatë misionit të fundit vëzhgues në vend, FMN e përsëriti drejtpërdrejt kërkesën drejtuar qeverisë që buxheti i shtetit t’i nënshtrohet procesit normal legjislativ.

Në deklaratën e nxjerrë nga FMN, thuhet se Qeveria shqiptare i ka premtuar FMN-së së gjatë 2022, buxheti nuk do të ndryshohet më me akt normativ, por do t’i nënshtrohet procedurave normale legjislative në Kuvend.

Sipas ligjit, buxheti i shtetit rishikohet pas gjashtë muajve të parë të vitit fiskal.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë