Taksa

FMN: Tatimet nuk e dinë pse mbledhin pak taksa

Në raportin e Fondit Monetar Ndërkombëtar mbi sistemin fiskal në Shqipëri, renditen të gjitha masat  e kërkuara nga FMN, por të parealizuara. Janë 19 të tilla, përfshirë dhe ato të realizuara përgjysmë nga tatimet.

Në total, FMN ka dhënë 28 sugjerime për përmirësimin e sistemit tatimor në vendin tonë. 4 janë të parishikuara nga vetë Fondi dhe 5 të implementuara.

Rekomandimet e dhëna nga FMN në janar 2019, të parealizuara;

E para është plotësimi i dy vendeve vakante në drejtimin e administratës tatimore dhe 200 të tjera për nënpunës.

Kërkesa e dytë e paplotësuar është autonomia dhe pavarësia e Drejtorisë së Përgjithshme Tatimore për ti lidhur me burimet dhe strukturën organizative të saj.

As kërkesa për zhvillimin e një strategjie gjithëpërfshirëse kulturore në forcën e punës dhe adresimin e korrupsionit nuk është implementuar. Ndonëse, FMN thekson se janë ndërmarrë herë pas here nisma anti-korrupsion.

Kërkesa e katërt e realizuar pjesërisht, është ngritja e një strukture të menaxhimit të riskut për taksapaguesit e mëdhenj. Aty duhet të ketë një analizë të të ardhurave dhe profil të taksapaguesëve. Mbi këtë kërkesë është kryer vetëm ngritja e strukturës.

Kërkesa e pestë lidhet përsëri me taksapaguesit e mëdhenj, ku është kërkuar transparencë e aktivitetit të tyre dhe auditi që i kontrollon ato.

Lidhur me menaxhimin e riskut, ngritja e një strukture do të ndihmonte në krijmin e një plani disavjeçar për mirëmenaxhim. Rrjedhimisht, as kjo nuk është kryer.

Pjesërisht e realizuar përcaktohet edhe kërkesa mbi zgjerimin e aksesit në informacion për palët e treta. Kjo është arritur, por mungojnë raportimet automatike të lidhura me bankat dhe prokurimet.

Nuk është implementuar strategjia për menaxhimin e të dhënave të përgjithshme nga të gjitha burimet, përfshirë fiskalizimin digjital.

Rekomandim tjetër i realizuar pjesërisht është propozimi i një ligji që lejon ndërhyrjen e DPT-së në regjistrin e të dhënave kur ato rezultojnë të pasakta. Ligji ekziston, por DPT-ja nuk ndërhyn dot drejtëpërdrejtë, pa ndërmjetësimin e QKB-së, ndonëse të dhënat i posedojnë Tatimet.

Por që kjo të jetë e denjë, duhet të krijohet një program me QKB-në me të dhëna të sakta fianciare, kërkesë e parealizuar.

Zhvillimi i një strategjie për taksapaguesit dhe detyrimin e zbatimit. Kjo detyrë nuk është plotësuar, por po krijohet një strategji në bashkëpunim me Agjencinë e Tatimeve në Suedi.

Një tjetër sugjerim i arrirë pjesërisht është strategjia e përfshirjes së taksapagueëve në sistem dhe lehtësimin e pëdrorimit dhe kostos. Kjo quhet gjysmake, sepse strategjia është realizuar me fiskalizimin, por ky proces fokusohet më shumë tek politikat fiskale se sa prakticiteti.

Rekomandimi se duhen shtuar botimet mbi udhëzimet teknike, po ashtu nuk është kryer.

Nuk është realizuar as kërkesa për strategjinë  e taksave të pambledhshme.

Tatimet nuk kanë dhe nuk kanë përgatitur asnjë analizë mbi arsyet se pse mbledhja e taksave është në nivele të ulëta.

Analiza e punës së auditëve quhet pjesërisht e realizuar sepse është ende në fazat e para.

Rekomandimi për shlyerjen totale të rimbursimeve të TVSH-së sa më shpejt të jetë e mundur, quhet i realizuar pjesërisht sepse kërkon kohë.

Ministria e Financave dhe Ekonomisë nuk ka realizuar detyrën e dhënë nga FMN-ja për  përmirësim të parashikimit të të ardhurave tatimore. Kështu, fondi në dispozicion do të mund të paguante të gjitha rimbursimet në kohë.

MFE-së i është rekomanduar edhe ndryshimi i ligjit për rimbursimin dhe të hiqet tavani.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë