Para

Qeveria nuk i bëri kurrë shpenzimet sa 5% të PBB-së për pandeminë, ashtu siç pretendoi

Nga Gisela Troplini* - Gjatë prezantimit të programit qeverisës nga Kuvendi në shtator 2021, zv.Kryeministri i Shqipërisë, Arben Ahmetaj deklaroi se “mbështetja e dedikuar e qeverisë për menaxhimin e efekteve të pandemisë është sot e barabartë me rreth 5% të PBB-së.”

Ky konstatim gjendet i shprehur edhe në programin zyrtar të qeverisjes për mandatin e tretë, të publikuar po në të njëjtën ditë në portalin zyrtar shtetiweb.org.

Tani që të dhënat zyrtare mbi buxhetin e vitit 2021 janë të konsoliduara, është koha për të verifikuar nëse mbështetja financiare ka qenë në kuotën e deklaruar nga qeveria.   

Gazeta “Si” është konsultuar duke iu referuar opendata.al, një portal i pavarur që  mbledh dhe përpunon të dhënat zyrtare.

Sipas këtyre të dhënave rezulton se buxheti dedikuar shëndetit publik gjatë vitit 2020, në total ishte 39.625 mld lekë dhe një vit më vonë, në 2021-ishin ishte, 57.356 mld lekë. Përkatësisht sa 3.1 dhe 3% ndaj PBB-së sipas viteve.

Në korrik të vitit 2021, Fondi Monetar Ndërkombëtar, vlerësoi se suporti i qeverisë për kujdesin shëndetësor gjatë vitit 2020, ishte në total sa 2.8% e PBB-së së vendit. 1.4% në paketën e parë, 0.4% në paketën e dytë dhe pjesa tjetër nga rialokimi i fondeve të mbrojtjes.

Për vitin 2021, në përditësim të raportit në muajin nëntor, FMN e vlerësoi buxhetin dedikuar kujdesit shëndetësor lidhur me Covid-19, sa vetëm 1 % e PBB-së së vendit.

Në të njëjtën shifër, u raportua dhe suporti fiskal i qeverisë gjatë vitit 2020, përfshirë shtyrjen e pagesave apo taksave.

Në nëntor të 2021-shit, edhe Fondacioni Westminster për Demokraci, WDF, raportoi se fondi i dedikuar kujdesit anti-Covid gjatë 2020-s, është sa 3.1% e buxhetit total dedikuar shëndetësisë.

Sipas WDF-së, Shqipëria është vendi i parafundit në Europë, për më pak shpenzime mbi shëndetin me 297 euro për frymë duke lënë pas vetëm Maqedoninë e Veriut me 255 euro.

Të treja këto burime konfirmojnë se mbështetja buxhetore e qeverisë për të mbrojtur shqiptarët nga pandemia e nuk arritën asnjë herë tek 5 për qind e PBB-së ashtu siç deklaroi zv.Kryeministri i Shqipërisë, Arben Ahmetaj, dhe është shprehur qeveria në programin e saj.

Madje edhe në 2020 kur ishte viti i parë i pandemisë dhe paratë buxhetore nuk u kursyen dhe pati mjaft investime kapitale shpenzimet dedikuar shëndetësisë sipas Bankës Botërore arritën në vetëm 4.6% të PBB-së, përfshirë financimet e jashtme.

*Shkrimi u publikua si pjesë e “Unë bëj Fact-Checking”, që ka si qëllim të trajnojë dhe mentorojë gazetarë në Shqipëri, nën projektin e UNESCO-s “Ndërtimi i besimit në media në Evropën Juglindore dhe Turqisë- Faza II” i financuar nga Bashkimi Evropian.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë