Mendim

Bashkë me emrin, në Maqedoni kalon edhe shqipja

Marrëveshja më e rëndësishme që është arritur në Ballkan përgjatë dekadës së fundit duket se mund të vulosë edhe fatin e gjuhës shqipe në Maqedoni. Më nëntë janar parlamenti maqedonas do të votojë jo vetëm për zbatimin e ndryshimeve kushtetuese të paktit me Athinën, por edhe për përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe në vendin fqinj.

Lajmi u bë i ditur fillimisht nga kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, por edhe disa zyrtarë të qeverisë maqedonase, të cilët kanë theksuar se ligji i gjuhës do të dërgohet për botim në Fletoren Zyrtare.

I pyetur për kundërshtimin e presidentit Gjorge Ivanov mbi përdorimin e gjuhës shqipte dhe Marrëveshjes me Greqinë, Xhaferi ka thënë se askush nuk do të mund të ndalojë fuqizimin e këtyre akteve ligjore.

Talat Xhaferi

“Nuk kam nevojë të merrem vesh me dikë që keqpërdor kompetencat kushtetuese të institucionit që përfaqëson. Presidenti Ivanov ishte i detyruar të miratonte këtë ligj, por nuk e bëri, kështu që konsideroj këtë çështje të mbyllur. Mendoj se askush nuk ka të drejtë të pengojë vullnetin e deputetëve”, u shpreh kryetari shqiptar i parlamentin maqedonas.

Ligji për përdorimin e shqipes është miratuar më 11 janar 2018, por tre ditë më vonë presidenti Ivanov refuzoi dekretimin e tij. Ai u miratua sërish më 14 mars, por Ivanov nuk pranoi ta nënshkruante edhe pse Kushtetuta sugjeron dekretimin e tij pas kalimit të dytë në Kuvend.

Zyrtarizimi i shqipes ishte një nga kushtet që partitë e vogla të opozitës shqiptare i vunë kryeministrit Zoran Zaev për miratimi e ndryshimeve kushtetuese të Marrëveshjes së Prespës. Me qëllim përshpejtimin e këtij procesi, Kryeministri Zoran Zaev është takuar të premten me kryetari n e Lëzizjes Besa, Bilal Kasamin, për të shqyrtuar kërkesat e tij.

Si Besa ashtu edhe Aleanca për Shqiptarët kërkojnë zyrtarizimin e gjuhës shqipe në mbarë vendin. Ato këmbëngulin se ndryshimi i kushtetutës për zbatimin e marrëveshjes së emrit, është një mundësi e mirë edhe për ndryshime të tjera që do të përmirësonin jetën e shqiptarëve atje. Kasemi, ashtu edhe kreu i Aleancës për Shqiptarët , Ziadin Zela, kanë paralajmëruar se mbështetja e mëtejshme për marrëveshjen e emrit, varet nëse qeveria e kryeministrit Zaev do të pranojë kërkesat e tyre për ndryshimet kushtetuese. Së bashku, dy parti opozitare kanë vetëm katër deputetë në parlamentin me 120 vende, por votat e tyre mund të jenë vendimtare gjatë raundeve të mëvonshme të votimit mbi marrëveshjen ’emrin’.

Bilall Kasami, kryetari i Lëvizjes Besa

Dy partitë opozitare shqiptare kanë hartuar tanimë amendamentet përkatëse për ndryshimet kushtetuese që do të përmirësojnë pozitën juridike të shqiptarëve të Maqedonisë. Lëvizja Besa ta hartuar katër amendamente, nëpërmjet së cilave kërkon që shqiptarët të jenë shtetformues, që gjuha shqipe të përcaktohet si gjuhë zyrtare dhe të hiqet emërtimi si gjuhë që e flasin mbi 20 për qind e popullatës në vend. Gjithashtu lëvizja kërkon ndryshimin e nenit 49 të Kushtetutës që të mos ketë diskriminim në mbrojtjen e entiteteve tjera që jetojnë jashtë vendit si dhe ndryshimin e nenit 75 me qëllim që të gjendet mënyrë që kryetari i shtetit të mos bllokoj ligjet që miratohen në Kuvend.

Këto amendamente kanë të ngjarë të kalojë për votimin së bashku me ndryshimet kushtetuese për zbatimin e marrëveshje me Greqinë. Kjo ishte parashikuar të mbahej më 27 janar, por u përshpejtua, duke bërë që edhe procesi në Athinë të nisë para kohe.

“Hije dyshimi” në Greqi

Sipas të përditshmes greke “Kathimerin” ky proces po përshpejtohet me kërkesë të Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s Jens Stoltenberg, i cili përmes një letre dorëzuar autoriteteve në të dyja vendet kërkon që Marrëveshja e Prespës të finalizohet deri më 15 shkurt.

Më 9 janar këto ndryshime pritet të votohen në parlamentin maqedonas nga dy të tretat e nevojshme në Kuvend, falë 6 deputetëve të përjashtuar nga VMRO DPMNE-ja që fituan amnistinë për ngjarjet e dhunshme në Kuvend dhe që ka të ngjarë të votojnë pro gjuhës shqipe.

Kryeministat Zoran Zaev dhe Alexis Tsipras

Si një nga nënshkruesit e marrëveshjes mes Maqedonisë dhe Greqisë, ministri i Jashtëm Nikolla Dimitorv u shpreh i bindur se procesi i Prespës do të jetësohet deri në fund. Të njëjtën garanci për zbatimin me sukses të paktit në Athinë e dha edhe ish kolegu i tij grek, Nikos Kotzias, i cili është i bindur se parlamenti grek do të ratifikojë këtë marrëveshje historike me dy vendeve.

Por mediat në Greqi presin tensione politike me mbërritjen e Paktit në Athinë madje edhe zgjedhje të parakohshme në muajin maj së bashku me lokalet dhe ato për parlamentin europian.

Në fjalimin e fund vitit kryeministri grek Aleksis Tsipras deklaroi se nuk ishte i sigurt nëse Pakti i Prespës do të votohej përpara muajit mars dhe hodhi poshtë mundësinë që zgjedhjet parlamentare të mbaheshin më herët nga afati i rregullt në tetor. Ai është shprehur i prerë se ka shumicën e nevojshme për ratifikimin e marrëveshjes, por reagimet e shumta të ditëve të fundit në Athinë kanë ngritur dilemat nëse marrëveshja do të zbatohet nga pala greke.

Partia e Grekëve të Pavarur, një nga partitë me ndikim në Qeverinë e kryeministrit grek ka kërcënuar se nuk do ta mbështesë ratifikimin e marrëveshjes për shkak të fjalorit nxitës të kryeministrit Zaev se gjuha maqedonase dhe identiteti garantohen me marrëveshjen mes dy vendeve. Madje, kryetari i saj, Panos Kammenos, I cili është edhe ministër i Mbrojtjes, ka thënë se do të largohet nga Qeveria sapo marrëveshja të jetë miratuar nga pala maqedonase për të bllokuar ratifikimin e saj në Parlamentin e Greqisë.

Kryeministat Zoran Zaev dhe Alexis Tsipras

Zaev pro hapjes së kufijve me Shqipërinë dhe Kosovën

Ndërkohë në Shkup, kryeministri përparon me deklarata. Zoran Zaev thotë se deklarata e kryeministrit shqiptar, Edi Rama për hapjen e kufirit me Kosovën, është e mirëseardhur.

Duke komentuar deklaratën e Ramës se përveç Kosovës, Shqipëria do të dëshironte të hiqte kufijtë edhe me Maqedoninë, Malin e Zi dhe Greqinë, Zaev ka thënë se edhe ai do të dëshironte të bënte të njëjtën gjë.

"Kjo, do të sille përfitime të mëdha për rajonin. Edhe unë do të dëshiroja t’i hapnim kufijtë”, është shprehur Zaev, duke theksuar se e mirëpret propozimin e palës shqiptare.

Sipas Zaev, në fakt, kjo ide do të sillte përfitime të mëdha ekonomike dhe do të ishte në të mirën e qytetarëve të të gjitha vendeve të rajonit. Në mesazhin e tij të fundvitit 2018, kryeministri Rama ka thënë se hapja e kufirit me Kosovën është vetëm fillimi dhe se do donte të bënte të njëjtën gjë me Maqedoninë, Malin e Zi dhe Greqinë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë