Politike

Basha sulmon Ramën, Berishën e Metën: Llum 30-vjeçar! Kryeministri: Ti je ajka e llumit! (Video)

Parlamenti u mblodh në një seancë plenare normale sot, ku në rend ditë kishte diskutimet për Eurobondin 700 milionë eurosh dhe marrëveshjen me BERZH për huanë 70 milionë euroshe për OSHEE.

Por, një interpelancë e kërkuar nga deputeti i PD-së, Ferdinand Xhaferaj me zv.Kryeministrin dhe ministrin e Ndërtimit, Arben Ahmetaj zhvendosi gjithë vëmendjen e seancës te dy projektligjet në fjalë dhe ndezi përplasjen më të ashpër në Kuvend mes Ramës dhe Bashës.

Kreu i PD-së hodhi akuza për korrupsion me fondet e rindërtimit, për fryrje të kostove dhe deri te vjedhja e fondeve që Bashkimi Europian ka dhënë për këtë proces. Basha akuzoi Ramën se qëndron pas aferave korruptive kudo, te pandemia, infrastruktura, koncesionet, PPP-të, inceneratorët e të tjera. Ai lexoi edhe emrat kompanish dhe biznesesh, që sipas kreut të PD-së Kryeministri ndan paratë e shqiptarëve.

Kreu i PD sfidoi Ramën që për të kuptuar gjendjen reale të shqiptarëve, sipas tij, të shkojë dhe t’i takojë. Përgjigja e Kryeministrit ishte e menjëhershme.

Basha u përgjigj se halli i Edi Ramës ishte frika nga PD e drejtuar prej tij. Ai i premtoi se përballë nuk do të ketë Sali Berishën, por atë. Këtu, kreu i PD-së sulmoi për herë të parë që nga 2017-ta, Ilir Metën. Ai tha se Rama, Meta e Berisha ishin pjesë e trekëndëshit të së keqes, që e quajti “Trekëndëshi i Bermudës”.

Kryeministri iu përgjigj se ai vetë donte “pikërisht Lulzim Bashën përballë”.

Më tej e akuzoi kreun e PD për hipokrizi.

Basha mori përsipër një pjesë të vogël të fajit, se pse, sipas tij, në krye të vendit sot ishte Edi Rama, një njeri që tha se nuk duhej lejuar fare në politikë. Fajtorët kryesorë përmendi Sali Berishën dhe Ilir Metën.

Kreu i PD tha se ishte në krye të një beteje kundër 30 viteve llumi në politikë. Këtu pranoi se llum ka pasur dhe ka edhe partia që drejton, por duke shtuar se po “e pastron”.

Rama iu përgjigj duke i kujtuar Bashës se edhe ai vetë ishte prodhim i këtij llumi.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë